Depozitat e ujit, rrezik për shembjen e pallateve
SHKODËR - Pallatet në qendër të qytetit të Koplikut, të ndërtuara para viteve ‘90 paraqesin rrezik të madh shembjeje për shkak të peshës së madhe të depozitave të ujit të vendosura në tarracat e tyre. Banorët në to, jetojnë çdo ditë me frikën e shembjes së tarracave të këtyre pallateve, por megjithatë nuk kanë asnjë mënyrë tjetër për të siguruar ujin e pijshëm. Mungesa e furnizimit me ujë, tipike për këtë zone, ka bërë që banorët të vendosin në tarraca depozita uji që shkojnë nga 5-10 kv secila. Kjo, pasi uji i pijshëm këtu vjen vetëm 1 orë në ditë dhe kjo gjendje është prej rreth 20 vitesh. Të ndodhur para kësaj situate dhe pa asnjë rrugëzgjidhje, banorët kanë vendosur elektropompa në katet e poshtme që thithin ujin atëherë kur vjen dhe mbushin depozitat sipër pallateve. Por tarracat e këtyre pallateve janë të pasigurta dhe në bashkinë e Koplikut dhe zyrën e urbanistikës, askush nuk di të tregojë se sa është pesha e parashikuar për t’u mbajtur nga soleta e këtyre pallateve. Kur depozitat mbushen, ato peshojnë deri 60 ton, pasi ka pallate ku ka deri dhe në 65 depozita të tilla. Banorët e qytetit të Koplikut shprehen se janë të vetëdijshëm për rrezikun e shembjes së pallateve nga ngarkesa e depozitave të ujit mbi to, por nuk kanë rrugë tjetër. “Pa ujë nuk jetojmë dot. Ai vjen vetëm një orë në ditë dhe jemi të detyruar të rrezikojmë për ta pasur atë “shprehen banorët e Koplikut. Bashkia në muajin gusht pati vendosur një afat për largimin e të gjithë depozitave të ujit nga tarracat e pallateve, por më pas kjo nuk ndodhi pasi ndeshi në kundërshtimin e banorëve, të cilët ndodhen në kushtet e mungesës së theksuar të furnizimin me ujë të pijshëm. Në Bashkinë e Koplikut shprehen se problemi i ujit të pijshëm për këtë qytet pritet të gjejë zgjidhje me investimin e filluar në ujësjellësin e ri, ndërsa banorët shprehen se dhe kur të mbarojë së ndërtuari ujësjellësi, përsëri do të jetë problem uji i pijshëm. Kjo pasi rrjeti shpërndarës ka mjaft lidhje të paligjshme në të, madje dhe ai aktuali, dhe kështu sasia e ujit për këtë qytet që dikur ishte 2-3 orë, tani është vetëm 1 orë në ditë. Sipas kryebashkiakut të Koplikut, Ramadan Lika, situata e soletave të tarracave të pallateve është kritike dhe këshilli bashkiak do të marrë një vendim të prerë për to, pasi ato rrezikojnë seriozisht shembjen e pallateve.