“Nobeli 2009” dhe financat shqiptare
“Qeverisja ekonomike” mbi bazën e reformimit dhe normimit financiar të veprimtarisë ekonomiko-shoqërore apo administrative është bërë këtë vit kriteri bazë mbi të cilin është dhënë çmimi “Nobel” apo janë bërë vlerësime të tjera në fushën e ekonomisë. Dhënia e çmimit “Nobel” në ekonomi për vitin 2009, nuk i buzëqeshi as ekonomistit amerikan W.Fama i shkollës së biznesit në universitetin e Chicago-s me teorinë e tij mbi “tregjet eficente” dhe as P.Romer i Universitetit të Stanford-it, i njohur për studimet e thelluara në “ndikimin e teknologjive të reja në rritjen ekonomike dhe zhvillimin”, si dy prej pretendentëve më të favorizuar deri në minutën e fundit, por iu dha ekonomistes amerikane Elinor Ostrom e universitetit të Indiana-s dhe ekonomistit amerikan Olivier E.Williamson i universitetit të Bercley në Kaliforni, të cilët u vlerësuan për punimet e tyre në fushën e “qeverisjes ekonomike”. Mesazhi themelor i “Nobel”-it të sivjetshëm në ekonomi duket se është pikërisht interesi dhe rëndësia e madhe që po merr çdo ditë e më tepër koncepti dhe praktikat e “qeverisjes ekonomike”, si në planin mikro ashtu dhe në atë makro, e orjentuar siç duhet nga “ylli Polar” i financave. Mjafton të kujtojmë se për kontribute të kësaj natyre në vendin e vet, ministrja franceze e financave, Christine Lagarde u cilësua nga një juri prestigjioze e revistës “Financial Times” si “star”-i i botës së financave. Revista në fjalë vlerësonte se ekonomia franceze rezultoi si një nga më rezistentet e gjithë botës industriale në raport me efektet negative të krizës globale. Ajo u shfaq si një ekonomi e ekuilibruar, që nuk varej as nga eksportet e importet, nuk kishte një sektor imobiliar të atrofizuar dhe mbi të gjitha, dispononte një sektor publik solid që kontribuoi mjaft në ruajtjen e ekuilibrave. Së fundi, “Financial Times” konkludonte se “masat e marra nga qeveria franceze gjatë gjithë kësaj periudhe krize, dhe veçanërisht ndërhyrjet efektive buxhetore, frenuan një recension të rrezikshëm”. Ekonomia dhe financat botërore kaluan më se dy vite të vështira, të pushtuara nga ethet e krizës më të rëndë që ka njohur njerëzimi qysh nga vitet ’30 të shekullit të kaluar. Goditja që morën buxhetet dhe besimi publik i shumë vendeve, duke filluar nga vendi më i zhvilluar i globit u reflektua në rënien më të thellë ekonomike të 50 viteve të fundit, që ato pësuan. Rënia absolute e të ardhuarve dhe inefektiviteti i masave fiskale për rigjallërimin e sektorit real bëri që buxhetet e ekonomive të mëdha të dobësohen ndjeshëm. Mjafton të përmendim se vetëm në vitin e fundit, borxhi publik i “G 20”-s u rrit me të paktën 21 për qind të PBB-së. Fenomene të tilla si falimentimi, paaftësia paguese, rënia e eksporteve, bllokimi i investimeve direkte, rritja e papunësisë, rënia e ndjeshme e indeksit të konsumit, etj, u bënë gjithnjë e më prezente në shumicën e ekonomive të globit. Pothuajse në të gjithë vendet e BE-së, të anëtarësuara këto 15 vitet e fundit në këtë organizëm, pamundësia e financimit të aktiviteve publike për shkak të rënies ekonomike, u shoqërua edhe me masa drastike për uljen e pagave dhe të pensioneve. Ndërsa në vendet e rajonit tonë u vu re fenomeni i zhvleftësimit të monedhave kombëtare, i cili u shoqërua me pakësimin drastik të rezervave valutore dhe rritje të indeksit të çmimeve, ndërkohë që leku dëshmoi qëndrueshmëri të lartë. Për të përballuar krizën, vetëm nga vendet e “G-20” u mobilizuan me urgjencë mbi 9 mijë miliardë dollarë, ndërkohë që pasojat e krizës për vendet e ndryshme, bizneset apo individët llogariten në rreth 45 mijë miliardë dollarë. Humbjet ekonomike e financiare llogariten të jenë më të mëdha se ato të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore së bashku. Por në ekonominë dhe financat shqiptare, pasojat e kësaj krize u ndjenë shumë pak, sidomos në drejtim të pakësimit disi të remitancave me rreth 6,2 për qind, rritjes së defiçitit buxhetor nga 4.2 % në 6.8% të PBB këtë vit, shtrenjtimit të kreditimit të ekonomisë, rënies së kërkesës të eksporteve shqiptare në tregjet rajonale, ngadalësimit të ritmit të të ardhurave buxhetore, zhvleftësimit të moderuar të kursit të këmbimit në raport me euron në masën 7-8 për qind gjatë 12 muajve të shkuar, etj. Kredia e shtrënguar dhe remitancat e ulëta kanë ndihmuar në uljen e deficitit korent, i cili është parashikuar të bjerë nga 14.9% në 11 % të PBB këtë vit. Ndërkohë që konsumet nga importi ranë ndjeshëm, importet e mallrave të investuara u rritën në 15% në gjysmën e parë të këtij viti. Por në përgjithësi, ekonomia dhe financat shqiptare performuan tepër pozitivisht në kushtet e krizës globale, duke reflektuar qëndrueshmëri makroekonomike dhe stabilitet financiar. Kësisoj, nëse ekonomia e vendeve të tjera kishte rënie drastike, ekonomia shqiptare u rrit në këtë periudhë me 5-6 për qind, vëllimi i investime publike dhe investimeve të huaja po kështu. Mjafton të kujtojmë që hyrjet nga investimet direkte të huaja u dyfishuan në gjysmën e parë në 460 m euro. Ndërkohë rritje ka patur edhe treguesi i të ardhurave buxhetore, pagat dhe pensionet, etj. Dhe e gjithë kjo performancë u arrit në kushtet e aplikimit në vazhdimësi të politikës së taksave të ulëta, me synim krijimin e sa më shumë stimujve fiskalë për mbështetjen e ekonomisë reale. Ruajta e stabilitetit makroekonomik, mbajtja e defiçitit nё norma tё ulëta, zvogëlimi i borxhit publik, si dhe zbutja e defiçitit tё llogarisё korrente kanë pёrbёrё objektivat bazё tё politikave tё koordinuara monetare e fiskale tё vendit tonë gjatë periudhës së krizës. Këto fakte tregojnë se efektet negative të krizës globale në Shqipëri, gjatë dy viteve të shkuara janë amortizuar nëpërmjet rritjes së efiçiencës qeverisëse, ku dikasteri i financave ka patur një rol vendimtar për rritjen dhe mirëadministrimin e të ardhurave publike. Të investosh pa t’u dridhur dora në projekte të shumëta publike në një situatë kur shumë vende të tjera ngurojnë të rritin edhe rrogat e pensionet, madje disa dhe t’i ulin ato, do të thotë se qeverisjen dhe drejtimin financiar të shtetit e ke shndërruar në shkencë. “Qeverisja ekonomike” mbi bazën e reformimit dhe normimit financiar të veprimtarisë ekonomiko-shoqërore apo administrative tek ne ka moshën e qeverisë “Berisha”. Koha, por mbi të gjithë kriza e rëndë globale e dy viteve të fundit provoi drejtësinë e parimeve qeverisëse të sanksionuara qysh më programin e parë të këtij kabineti në vjeshtën e vitit 2005, për “qeverinë e shërbimit dhe të shërbesave” dhe “luftën me tolerancë zero ndaj korrupsionit”. Ndërkohë që nuk është gjetur ndonjë minierë floriri apo ndonjë burim tjetër ekonomik i rëndësishëm për prodhim të ardhurash publike, shumëfishimi i tyre në mënyrë periodike nga njeri vit në tjetrin lidhet tërësisht me mirëadministrimin financiar. Në këtë mënyrë u inkasuan në buxhetin e shtetit afro 5 miliardë dollarë që më parë përfundonin në xhepat e qeveritarëve majtistë dhe njerëzve të lidhur me ta. Gjithësesi nuk mund të kemi një vlerësim të saktë për punën dhe përpjekjet e bëra në këtë drejtim nga qeveria “Berisha”, në se nuk kemi parasysh situatën e “tokës së djegur”, që lanë trashëgim socialist në verën e vitit 2005, ku buxheti i shtetit ishte boshatisur sipas të njëjtës strategjie që ishin shteruar edhe rezervuarët e hidrocentraleve. Megjithatë nga qeveria e demokratëve nuk u deshën më shumë se 6 muaj punë që situate të ndryshonte pozitivisht. Kësisoj në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2006 u arrit që të paraqitej për miratim buxheti i parë shtesë, për shkak të tejkalimit të të ardhurave buxhetore me 200 milionë dollarë. Kjo histori suksesi u përsërit vit pas viti për të gjithë periudhën qeverisëse të demokratëve në mandatin e tyre të parë dhe nuk ka diskutim që do të thellohet akoma më tej gjatë mandatit të dytë të tyre që filloi pas fitores së merituar në zgjedhjet e përgjithëshme të 28 qershorit 2009. Kur performancën e kësaj qeverie nuk u zbeh gjatë dy viteve të fundit, tani që kriza e jashtëzakonshme ekonomiko-financiare e këtyre dy viteve po shkon drejt fundit, nuk ka më asnjë arsye që mund ta ndal vrapin e reformave dhe sukseseve mbreslenëse të vendit tonë si një parametër i rëndësishëm i integrimit euro-atlantik, duke u prirë si gjithnjë nga ekspertiza e mendimit ekonomiko-financiar. Nëse në vendet e viktimizuar nga kriza globale po kërkohet llogari se si “doktorët” e shëndetit ekonomik e financiar të ekonomisë kombëtare nuk i paraprinë kësaj situate, tek ne që arritëm t’u shpëtojmë kthetrave të krizës, duhet t’i japim “çezarit” të financave shqiptare atë që i takon, edhe për shkak se i orjentuan saktë të gjitha mjetet dhe instrumentat e autoriteteve publike drejt realizimit të disa objektivave themelore në dobi të komunitetit, të tilla si: stimulimi i rritjes ekonomike, mbajtja e nivelit të lartë të punësimit, lufta kundër inflacionit, ekuilibri i tregtisë së jashtme, rritja e fuqisë blerëse, stabiliteti i skemave të pensioneve dhe mbrojtjes sociale, cilësia e shërbimeve publike etj....