Riciklimi i planifikuar i pinjojve të diktaturës, një kërcënim serioz për demokracinë
është me të vertetë mjaft për t’u çuditur, se ka ndodhur një fenomen në Shqipërinë postkomuniste, që kurrkush s’mund ta besonte të paktën me 22 Mars 1992 me fitoren historike të Partisë Demokratike dhe rrëzimin nga pushteti të komunizmit. Në median e shkruar dhe elektronike, analistë dhe gazetarë të njohur në shkrimet dhe opinionet e tyre e predikojnë komunizmin në mënyrën më të gabuar, si një “kapitull të mbyllur”. Akoma nuk po sqarohet fakti i një qëndrimi shumë liberal ndaj regjimit komunist në raport me regjimin fashist, kur Asambleja Parlamentare e KE-së, me rezolutat përkatëse i ka vendosur në ekuivalencë, si dy regjimet më kriminale të shekullit të shkuar. Edhe deputetë të Asambleve të KE dhe BE, gjithnjë dhe vazhdimisht kanë ngritur zërin për rrezikun që u kanoset popujve dhe demokracisë në botë nga komunizmi, që si lugat i neveritshëm endet nëpër Europë dhe kudo në botë t’i bëjë gjëmën demokracisë. Nuk mundet të harrojmë deputetin Linbland të Suedisë, që megjithëse vendi i tij nuk kishte vuajtur asnjë ditë nga regjimi barbar komunist, u bë njëri nga hartuesit kryesorë të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare te KE të 25 Janarit 2006, për dënimin e krimeve të komunizmit. Në këtë kontekst duhet përmendur edhe deputetja holandeze në Parlamentin Europian Els de Groen, që megjithëse vendi i saj nuk e ka njohur komunizmin, e ka ngritur zërin mjaft e shqetësuar se “shumë shpejt pas kthesës elitat e vjetra (komuniste) u rikthyen. Ato infiltruan në organizatat joqeveritare dhe në administratën shtetërore. Ajo që më duket veçanërisht cinike është që në Perëndim shumë njerëz kanë bashkëpunuar dhe bashkëpunojnë me këto elita. është mjaft kuptimplotë edhe fakti se Presidenti Bush me Kongresin e Sh.B.A.vendosën ngritjen në Washington të memorialit në kujtim të 100 milionë viktimave të komunizmit. Edhe në këtë rast populli amerikan nuk e ka vuajtur asnjë ditë barbarinë komuniste. Ndërkohë e kundërta po ndodh. Në vendet ish-komuniste, metastazat e komunizmit kanë hedhur rrënjë në trupin e brishtë të demokracisë që shpesh përpëlitet ndërmjet jetës dhe vdekjes, ashtu siç ndodhi në Shqipëri me revolucionin tipik bolshevik të vitit 1997. është trishtues fakti se sot në botë akoma shumë vende vuajnë regjimin komunist. Demokracitë e reja në vendet ish-komuniste, me shumë vështirësi kanë mundur të shkallmojnë pengesat e reminishencave të regjimit komunist në zbatimin e reformave. Shqetësues është edhe një fakt tjetër se në Rusinë ish-bolshevike, sipas një sondazhi 60% e të anketuarve shprehin simpati për regjimin komunist, 35% kanë frikë të shprehën kundër dhe vetëm 5% e dënojnë komunizmin si regjim barbar. Sigurisht nuk mundet të ndodhë ndryshe kur ish-shefi i K.G.B.staliniste Putini, ka zënë vend në herarkinë më të lartë të shtetit. Nuk ka asnjë dyshim se shembulli më i vështirë në këtë proçes është Shqipëria që bëri hapa prapa në vitin 1997, kur falangat e ish-Sigurimit në elitën e Partisë Socialiste ia dolën të rrëzojnë me grykën e pushkës qeverinë demokratike. Shumë kohë e humbur në rrugën e vështirë të demokracisë. Por këtij fakti në mënyrë tinzare i bëjnë bisht demagogët e pinjojve të diktaturës komuniste dhe ish-kriminelët e kësaj diktature që janë elita e kësaj partie ish-komuniste... Reminishencat e regjimit komunist si asnjë vend tjetër i ka vuajtur dhe po i vuan Shqipëria. Për fat të keq, riciklimi në politikën shqiptare i pinjojve të kriminelëve të regjimit komunist, po ndodh në një kohë që kjo nuk duhej të ndodhte. Edi Rama, si përfaqësues tipik i kësaj elite, ka uzurpuar të majtën ish-komuniste duke e penguar me të gjitha format dhe mënyrat në përpjekjet e shumë socialistëve që me të vertetë aspirojnë për një të majtë të modelit europian dhe për një shkëputje sa më parë që të jetë e mundur nga e kaluara e saj komuniste enveriste. Në këtë pikëpamje nuk është e mundur që PS të integrohet si e majtë europiane pa u shkëputur më parë nga simbioza me të kaluarën e saj komuniste dhe nga ana tjetër duhet t’i kërkojë falje popullit shqiptarë për krimet gjysmë shekullore. Në vend të kësaj e kundërta po ndodh. Në krye të kësaj partie si më e madhja e opozitës, është instaluar mentaliteti komunist në të gjithë strukturën dhe përbërjen e saj. Edvin Rama, pinjoll i njërit prej kriminelëve më të spikatur të regjimit komunist, pjesëmarrës në vrasjen e kundërshtarëve të regjimit dhe njerëzve që aspironin për fjalën e lirë dhe demokraci, ka grumbulluar në stanin e tij enverist të gjitha karrocat e vjetra të regjimit kriminal dhe pinjojtë e brezit të dytë të kriminelëve. Nuk është një rastësi bashkëpunimi i Edvinit me të birin e Sulejman Bushatit. Rrënjët e këtij bashkpunimi vijnë nga bashkëpunimi i baballarëve të tyre në krime kundër popullit. Sulejman Bushati, i ati i Ditmir Bushatit, Sekretar i parë i Komitetit Partisë të Rrethit Kukësit, direkt ka inskenuar dhe realizuar dënimin me varje në litar për të terrorizuar popullin e Kukësit, të poetit disident antikomunist, mikun tim të paharruar Havzi Nela. Nuk ishte rastësi se duke qenë Anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, babai i Edi Ramës pa hezitim firmosi varjen në litar të poetit. është kjo një dukuri e regjimit komunist të bashkëpunimit ndërmjet kriminelëve. Në pamjen e parë, personalisht mua nuk do duhej të më interesonte se kush janë ata që militojnë në partinë ish komuniste. Por fakti se në krye të kësajë partie po riciklohet me strategji brezi i dytë i kriminelëve komunistë, don të thotë se baballarët e tyre pas rënies së komunizmit, i shkolluan dhe i edukuan bijtë e tyre me ndjenjën e hakmarrjes primitive për të penguar Shqipërinë në rrugën edhe ashtu të vështirë për demokraci. Nuk është për t’u çuditur edhe fakti tjetër se Ditmir Bushati si bajlozi i zi i Edi Ramës shkon në Bruksel dhe në një mbledhje të rëndësishme të institucioneve të BE, kundërshton integrimin e Shqipërisë në BE, se gjoja “Shqipëria nuk është e gatshme për t’u inkuadruar në këto proçese”. Hordhia me mentalitet dhe bindje komuniste që Rama ka grumbulluar rreth vetes, po bën atë që të rritet zëmrimi i atyre qindra e mijëra njerëzve të vuajtur nga regjimi kriminal që akoma nuk po gjejnë varret e të afërmve të tyre që vdiqën burgjeve dhe u pushkatuan pikërisht nga baballarët e këtyre që sot janë ricikluar në politikën shqiptare. është kulmi i hipokrizisë dhe i marrëzisë së të sëmurit psiqik të PS, kur në protestën e fundit të marrëzisë “për hapjën e kutive”, me një fjalim të shpifur për habinë e të gjithëve, filloi me lot krokodili t’u qajë hallin ish të përndjekurve politikë. Sa jetë kanë ndërprerë baballarët e këtyre eurosoc-ave të sotëm, prandaj pinjollët e diktaturës komuniste duhet të largohen nga politika në mënyrë që të mos e provokojnë popullin shqiptar për ta çuar detyrimisht në zemërim dhe urrejtje. ...