E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nobeli për kiminë i jepet Daniel Shechtman

Në prill të vitit 1982 Daniel Shechtman zbuloi dicka shumë të çuditshme me mikroskopin e tij. Në lëndën në gjendje të ngurtë, mendohej se atomet ishin të lidhur bashkë në kristale në formë simetrike që përsëriteshin sipas një rregulli të caktuar në mënyrë periodike. Sipas dijeve të asaj kohe, përsëritja e kësaj strukture ishte e nevojshme për të pasur një kristal.

Imazhi i realizuar në mikroskop elektronik nga Shechtman tregonte dicka tjetër: Atomet e kristaleve ishin të grumbulluar në një skemë që nuk përsëritej, sic shpjegojnë në faqen e cmimeve Nobel me një krahasim efikas:

“Një skemë e tillë ishte e konsideruar e pamundur sic konsiderohet e pamundur të ndërtosh një top futbolli duke përdorur vetëm poligonet gjashtë këndore, kur për të krijuar një sferë nevojiten edhe poligonet pesë këndore përvec atyre gjashtë këndore”.

Zbulimi i Shchetman ishte i diskutueshëm dhe u prit me shumë skepticizëm nga komuniteti shkencor. Studiuesit iu desh të mbronte zbulimin e tij dhe mori dhe një ftesë formale të braktiste grupin e tij të studimit. Shechtman vazhdoi me kokëfortësi të mbronte tezën e tij, duke shtyrë në fund edhe studiues të tjerë të vinin në diskutim vetë natyrën e lëndës ashtu si e njihnin.

Shechtman arriti të vërtetonte që në natyrë ekzistojnë forma strukturore që kanë një rregull të tyrin, por edhe që nuk përsëriten në formë periodike: Quasikristalet, apo pothuajse-kristalet. Këto kujtojnë mozaikët me ritme jo periodike, si ato të Alhambra në Granda (Spanjë) dhe Darb-i Imam në Iran. Si quasikristalet edhe këto mozaik kanë skema të rregullta – që ndjekin rregulla matematikore – por që nuk përsëriten kurrë në të njëjtën mënyrë.

Pas zbulimit të Shechtman, shumë qendra shkencore kanë riprodhuar lloje të tjera quasikristalesh në laborator. Struktura e tyre e vecantë lejon studimin dhe krijimin e materialeve të reja që i rezistojnë më mirë kohës.

(a.h/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›