E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana: S’ka përçarje në ekip, në Francë kujdes goleadat

DURRES- Ndeshja e së premtes është e veçantë për Lorik Canën, që do të rikthehet në qytetin ku u bë i njohur. Në Paris, mesfushori kuqezi do të jetë lideri i ekipit në prapavijë, reparti që do të ketë më shumë punë përballë një skuadre të mbushur me yje. Por, për ish-lojtarin e Paris Sent Zhermen dhe të Marsejës, kjo sfidë mbart me vete shumë rreziqe, sidomos duke parë mungesat që ka Shqipëria.

“Kjo ndeshje është shumë e veçantë dhe sjell shumë krenari për mua, - u shpreh Lorik Cana në një konferencë për shtypin të mbajtur në Durrës. – Gjithë këto mungesa po qëllojnë në ndeshjen më të fortë, disa lojtarë që mungojnë nuk kemi luksin t’i zëvendësojmë. Ne do ta startojmë ndeshjen me një formacion që nuk ka luajtur asnjëherë bashkë. Mund të pësojmë një disfatë shumë të rëndë dhe kjo nuk është një surprizë e madhe”, shtoi më tej mesfushori i kombëtares. Përpos kësaj, Cana deklaron se futbollistët që do të zbresin në fushën e lojës do të japin maksimumin dhe sipas tij, ata duhet të ndjejnë peshën e fanelës.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, pasi ndiqet nga miliona shqiptarë. Nuk duhet të mendojmë të shkojmë atje për të kaluar një natë të bukur, por ata çunat që do të zbresin në fushë do të japin maksimumin, do të luajnë pa komplekse dhe të dalin me kokën lart. Duhet të japim një imazh të bukur të vendit tonë, sidomos pas humbjes me Luksemburgun”, deklaroi ai.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›