Nobelisti turk në Tiranë
Shkrimtari turk, Orhan Pamuk, fituesi i çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2006, vjen për një vizitë në Shqipëri, ku do të qëndroje nga data 17 19 maj. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë shkrimtari turk do të marrë në dorëzim edhe titullin "Doktor Honoris Causa", të akorduar nga Universiteti i Tiranës. Po kështu ai do të marrë pjesë edhe në një sërë takimesh me personalitete të artit, të kulturës e të politikës shqiptare.
Me rastin e vizitës së novelistit turk shtëpia botuese "Skanderbeg books" do të prezantojë dhe hedhë në qarkullim veprën e tij të re përkthyer në shqip "Stambolli". Romanet "Unë jam e kuqja", "Bora", "Kështjella e bardhë", "Shtëpia e heshtjes", "Jeta e re", si edhe libri me ese "Baulja e babait" janë të përkthyera tashmë në shqip. Gjatë këtij viti pritet të botohen edhe romanet "Muzeu i pafajësisë" dhe "Libri i zi".