E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rastësi mbretërore!

Një ditë më parë, në Londër, ky djalosh simpatik shqiptar së bashku me sopranon Ermonela Jaho ka tronditur historinë 276-vjeçare të operës londineze; atyre të dyve, për herë të parë, me të njëjtën orgjinë etnike, u janë besuar dy rolet kryesore të operës Traviata

Dita e Evropës, dje, ka treguar të gjitha arsyet se është sa politike aq dhe kulturore. Insinuatat asnjëherë nuk mungojnë, por çfarë është në interesin publik, sidomos sot për një raport politik, nuk ka mundur ta vendosë në hije ardhjen e tenorit Saimir Pirgu. Një ditë më parë, në Londër, ky djalosh simpatik shqiptar së bashku me sopranon Ermonela Jaho ka tronditur historinë 276-vjeçare të operës londineze; atyre të dyve, për herë të parë, me të njëjtën orgjinë etnike, u janë besuar dy rolet kryesore të operës Traviata. Ka qenë një sukses i tyre i radhës në Operën Mbretërore të Londrës në Covent Garden, për të cilët kritika britanike ka vlerësuar maksimalisht interpretimin e dy shqiptarëve. Prestigjiozja The Times i kushton një artikull me titullin Lotët për Violetën me kualitet yjesh, duke shkruar se Ermonela Jaho rikthehet me rolin e Violetës duke provuar se ajo ka potencialin e duhur ta bëjë për vete audiencën. Ndërsa për Saimir Pirgun kjo gazetë vlerëson tonin dhe interpretimin e veçantë në skenë. Tenori Pirgu rikthehet në Royal Opera House pas katër vjetësh nga interpretimi tij i parë në Londër, duke mos e fshehur gëzimin për këtë sukses të tijin me një partnere brilante siç është Ermonela Jaho. Ka pasur më pak emocione dhe entuziazëm ky sukses dje në Tiranë, ku vetë Pirgu ka ardhur një ditë pas vënies së operës, duke kaluar nga Londra një udhëtim të lodhshëm prej katër orësh. Në një panel me përfaqësuesin e BE-së, Helmuth Lohan, dirigjentin dhe drejtorin e Teatrit të Operës, Zhani Cikon, Pirgu është ndier gati i pasigurt për këtë pritje, sikur të kishte kryer një detyrë politike. Në fakt, gjithë atmosfera e konferencës së shtypit dukej sikur mbante këtë elektrizim, për shkak se edhe vetë Lohan është ndier i detyruar të refuzojë së pari të përgjigjet politikisht në konferencën për shtyp organizuar për një event kulturor, për një ditë politike evropiane, duke lënë mediat shqiptare në një situatë të ankthshme se si BE do ta trajtojë çështjen e politikës në vend, me interpretim kritik. Në këtë mësymje tenorit tonë shqiptar, emocionet i janë zbehur dhe pak fjalë që u është përgjigjur nga mediat e ka lidhur me gjuhën e tij të turpshme kundrejt tyre, pasi skena është realizioni i tij më i devotshëm. Ai është në Tiranë, për një koncert, që do të organizohet sot në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Është një përmbledhje nga ariet që tenori ka kënduar nëpër skenat e Evropës, ndërsa simbolikisht çfarë ka zbuluar është aria e Skënderbeut, me kompozim të Preng Jakovës. Po, ka një arie nga opera Skënderbeu i Preng Jakovës, e këndoj për herë të parë dhe jam akoma duke e studiuar. Shpresoj që të këndoj mirë, sepse nganjëherë është shumë më vështirë të këndosh në vendin tënd sesa në vendet e tjera, sepse gjykimi apo dhe vlerësimi janë gjithmonë më të dukshëm sesa në një vend tjetër, - është shprehur Pirgu, duke menduar njëkohësisht këtë marrëdhënie të publikut me atë që la një ditë më parë, londinez, ku kishte dëgjuar bravo shqiptare. Është hera e tretë që vjen në Shqipëri Pirgu, duke bashkëpunuar me TOB, ndërsa kjo herë është e para që e kthen në një raport personal me karrierën e deritanishme. Ndërsa i pyetur për emocionet që ka provuar një mbrëmje më parë në skenën mbretërore të operës londineze, tenori iu përgjigj në befasinë që ka provuar duke kënduar me sopranon shqiptare, Ermonela Jaho. Pirgun e kanë zgjedhur pas debutimit të tij, më 2007, duke vendosur që të rikthehet dhe e njëjta gjë tregon se ka ndodhur dhe me Ermonelën. E shndërruar kjo në një rastësi mbretërore, Pirgu thotë: dhe të kishim dashur të paguanim operën e Londrës, me fjalët ju lutem na vini bashkë, kjo nuk do qe e mundur. Ishte koençidencë dhe ka qenë vërtet një shfaqje e suksesshme, e pritur mirë si nga kritika dhe publiku. Traviata ka qenë eventi i parë në karrierën e tenorit, para disa vitesh, e kaluar një herë në skenën shqiptare të operës interpretuar krah sopranos Marjana Leka. Çudia më e madhe që ka marrë Pirgu nga mbrëmja e tij londineze, ka qenë publiku. Ai ka vërejtur se si në Londër, ku ka aq shumë shqiptarë nga Shqipëria, nuk e frekuentojnë operën aq sa shqiptarët e Kosovës, po prej tyre e kishte marrë bravon. Është për tu çuditur se janë shumë dashamirës dhe më vjen keq për këtë se shumë prej spektatorëve janë nga Kosova dhe janë shumë pak nga Shqipëria. Ndërkohë që shqiptarë të Shqipërisë ka më shumë në Londër dhe nuk e di pse. Por zakonisht ata vijnë dhe janë më tepër të interesuar dhe më mjafton bravoja e tyre. Pirgu ka tërhequr vëmendjen për këtë indiferentizëm të shqiptarëve të Shqipërisë për operën, kur atij i ka rastisur i njëjti impresion edhe në Amerikë apo në Vjenë. Ndërsa situata e konferencës për shtyp, me sytë drejtuar nga Lohan është shndërruar në ironi të lehtë, se do të vijë koha të lëvizim pa viza, si shenjë admirimi klasik për operën dhe nga Shqipëria. Drejtori i Teatrit të Operës, Zhani Ciko, në fjalën e tij, pasi uroi Pirgun për suksesin që pati në Londër, si gjithmonë me një xhentilesë klasike e falënderoi tenorin që vëmendja e tij, në një kohë kur axhendën e ka super të ngarkuar, i kushton Tiranës qoftë dhe një hapësirë minimaliste, për të ardhur në një protagonizëm siç është koncerti që jepet sot. Ciko është i preferuari Pirgut, duke e zgjedhur dhe dirigjent për ariet që do të këndojë. Ndërsa Helmuth Lohan, duke qenë një admirues i operës, që në disa rastësi kishte dëgjuar tenorin Pirgu dhe e kishte admiruar atë, tha se ardhja e tij në një ditë të veçantë si Dita e Evropës, la të nënkuptohej për tolerancën politike kur vjen fjala në këto marrëdhënie kulturore. Lohan zbuloi se ideja për këtë koncert ka qenë një dëshirë personale e tij, pas takimit të tretë virtual që ka pasur me tenorin, pasi në çuditë e tij, ishte dhe performanca që ka dëgjuar nga Pirgu në Hamburg, qyteti nga ai vjen. Kështu që kjo histori ka ardhur me një fund të suksesshëm, - e ka mbyllur fjalën e tij Lohan, për tu ndjekur nga pyetja finale e politikës së ditës në vend. Ndërsa Pirgut i ka mjaftuar të buzëqeshë, duke thënë se tani misioni politik i Lohanit vazhdon, sepse dje në atë orë tenori duhej të nxitonte në provat e fundit. Për në provat e fundit të aries së Skënderbeut, të cilën e këndon për herë të parë në karrierën e tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›