E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nofkat më të spikatura të bardhebluve aktualë dhe ish-legjendave të Tiranës

Nga Leonard Karaj
Gallabordsi, Zogu, Loku, Hekri, Pula, Ben Llaveshi, Tushja, nuk janë gjë tjetër vecse nofkat e disa prej legjendave dhe lojtarëve aktualë të Tiranës. Duke filluar që nga Hysen Kusi, Riza Lushta, Xhavit Demneri e deri tek Klodian Duro e Nevil Dede, tifozeria fanatike bardheblu mundohej vazhdimisht të futej në karakterin e tyre duke i përshtatur niknejmin më të përafërt. Ca kjo për ti ngritur sa më lart vlerat sportistit në fjalë, ca edhe për të thjeshtëzuar sa më shumë emrat e tyre. E ndërsa në vitet 50-70 nofkat zgjidheshin në përvijim të lojës dhe famës së këtyre sportistëve, në dekadën e fundit të shekullit 20-t tifozët zhbiruan edhe në jetën private duke nxjerr nga repertori nofka si "Tata" (Blendi Nallbani), "Agustineli" (Agustin Kola), "Hunderri" (Sulejman Mema), e deri tek "Lashi" (Jetmir Sefa). Nofkat e bardhebluve janë të shumta dhe intriguese, madje të paimagjinueshme për nga fantazia më të cilët ata janë pagëzuar. Pseudonime të vendosura edhe rastësisht, por që kanë mbetur përjetësisht përkrah emrave të tyre të vërtetë. Lista e pseudonimeve është e gjatë dhe në to ka emra kafshësh e shpendësh, epitete të ndryshme që kanë të bëjnë me karakterin e sportistit dhe cilësitë e tij. Sot gazeta "Tirana Observer" publikon nofkat e më të spikatura të 35 futbollistëve që kanë bërë historinë e klubit bardheblu. Ndër nofkat më karakteristike nuk ka se si të lëmë mënjanë "Gallabordsi". Toponimi i njohur në lindje të Shqipërisë i është vënë pullë poste ish-mesfushorit Shkëlqim Muca, tashmë sekretar i përgjithshëm i Tiranës që në vitet 80-të. Tifozët bardheblu me këtë nofkë kanë dashur në një farë mënyre ti kojtojnë përgjithnjë origjinën një prej futbollistëve më të mirë të kësaj skuadre. "Cajkovski" ishte pseudonimi i Qemal Emirit futbollist i Tiranës së viteve 50-të. Emiri mori nofkën e një prej kompozitorëve më të mëdhenj rusë dhe në gjithë botën për mënyrën se si vallëzonte me topin nëpër këmbë dhe xhonglimet në fushën e lojës. Ndërsa kolegu i tij rreth atyre viteve Pavllo Bukoviku thirrej me emrin "Beni i madh". Kapiteni i Tiranës në viteve 60 u pagëzua në atë kohë me këtë emër. Madje dhe kur në ekip u inkuadrua futbollisti Arben Cela për të mos i ngatërruar me njëri-tjetrin, Bukovikut iu shtua nga pas mbiemri cilësor "Beni i madh", kurse Celës i mbeti "Beni i vogël". Një nofkë tipike te Tirana kishte edhe Hajri Frashëri. Ai njihej me emrin "Lepuri". Në fakt nuk dihet ende se pse tifozët e thërrisnin me këtë emër por natyrisht jo se nuk ishte trim më shumë se i shkathët si një lepur sidomos kur bardheblutë kundërsulmonin. Ndërsa Bedri Omurit, mesfushor i viteve 80, në pamundësi për ti gjetur ndonjë ves i shtrembëruan sadopak emrin duke i vënë nofkën "Bedrana". "Agustineli" ishte nofka e Agustin Kolës. E thërrisnin kështu, "Agustineli" për mënyrën e lojës alla italiane që ai shfaqte në fushën e lojës. Ai është një ndër futbollistët që ka fituar më shuam tituj kampionë me Tiranën dhe mbetet një nga golashënuesit më të mirë bardheblu ndër vite. Ndërsa Sulejman Memën e thërrisnin "Hunderri". Nofkën ia vunë tifozët në një ditë të zezë të Sulës në fushën e lojës, por ja që i mbeti edhe kur shkroi historinë tek kjo skuadër. Një tjetër futbollisti i Tiranës së atyre viteve me nofkë shumë karakteristike është edhe i paharrueshmi Arben Minga. Legjenda bardheblu i ndarë tragjikisht nga jeta në fillim të këtij viti nga një sëmundje e rëndë kishte nofkën "Ben Llaveshi" ose "Pesëmbëdhjetëkatëshi Minga". Thirrej kështu për formën disi të madhe të veshëve dhe faktin se ishte një klient i rregullt i të vetmit pallat shumëkash në Tiranë, 15-të katëshit. "Vlonjati fluturues" është nofka e kapitenit aktual të Tiranës, Devi Mukajt. Fantazisti bardheblu ka lindur dhe rritur në Vlorë por me zhdërvjelltësinë arriti të bëhej një lider i padiskutueshëm tek skuadra e Tiranës aq sa kjo e fundit s'mund të kuptohet më pa të. Ndërsa "Loku" dhe "Zogu" janë niknejmat e Alban Bushit dhe Indrit Fortuzit. Pakkush e di se Bushi këtë nofkë e ka peshqesh nga tifozët e kësaj skuadre me të cilën ai luajti në fillimet e karrierës së tij futbollistike. Ndërsa Fortuzit e thërrisnin me këtë emër për shpejtësinë me të cilën depërtonte në zonë dhe shënonte gola. Ndërkohë që i njëjti problem si në vitet 60 mes Pavllo Bukovikut dhe Arben Celës lindi edhe në vitet 90-00. për të mos i ngatërruar Ervin Bulkun tifozët e Tiranës e thërrisnin "Bulku i madh" ose "Polivalenti bardheblu" ndërsa Sokol Bulkun e quajtën "Bulku i vogël". Shkëlqim Muca "Gallabordsi" Ose "Gallabordsi". Prejardhja nga një zonë në lindje të Shqipërisë, Golloborda nuk iu nda edhe kur e la futbollin si futbollist. Arben Minga "Ben Llaveshi" "Ben Llaveshi" ose "Pesëmbëdhjetëkatëshi Minga", thirrej kështu për formën disi të madhe të veshëve dhe faktin se ishte një klient i rregullt i 15-të katëshit. Artur Lekbello "Tushja" Ose "Tushja" është një nga legjendarët e epokës së artë të viteve 80-90. Pas rënies së komunizmit luajti edhe në Greqi tek Aris i Selakinut. Blendi Nallbani "Tata" Është veterani i skuadrës bardheblu. Para shuam vitesh tifozët i ngjitën nofkën "Tata" dhe nonëse po kalon të 36-at vazhdojnë ta thërrasin kështu. Klodian Duro "Dyli" Ai është elbasanlli por tifozët bardheblu i kanë gjetur një nofkë karakteristike tiranase duke i dhënë kështu një herë e mirë "nënshtetësinë" kryeqytetase për të pasur gjithmonë të tyrin. Nevil Dede "I hekurti" "I hekurti". Edhe Dede ka pasur gati të njëtën nofkë si Tafaj. Tifozët e pagëzuan kështu nëfund të dekadës së fundit të shekullit 20 kur Dede u bë një titullar i padiskutueshëm. Hysen Kusi "Dake" Futbollist i viteve 30-të tek Tirana njihej me emrin "Dake" Kusi aq sa shumë fansa nuk i mësuan asnjëherë emrin e vërtetë. Riza Lushta "Llustra" Futbollist i viteve 30 - 40-të, të cilit iu transformua mbiemri në "Llustra" dhe me këtë emër u quajt për vite me radhë. Aristidh Parapani "Tici" Futbollist i viteve 40-50 i Tiranës dhe ekipit tonë përfaqësues. Ai thirrej shkurt "Tici" Sulejman Vathi "Bule" Futbollist i viteve 50-të i cili e mbylli shpejt karrienër në futboll. Nga tifozët e Tiranës thirrej "Bule" Qemal Emiri "Cajkovski" Futbollist i viteve 50-të, një prej atyre që vallëzonte me topin nëpër këmbë dhe jo pa qëlim thirrej "Cajkovski" i Tiranës. Remzi Bulku "Xikja" Ose shkurt "Xikja" u inkuadrua me skuadrën e Tiranës në fundin e viti 1947 dhe luajti për gati dhjetë vjet me bardheblutë. Gani Merja "Kacafycja" Në vitet 50 kur shkëlqeu te Tirana u quajt nga fansat "Kacafycja", emër që i mbeti deri në ditën e fundit të jetës. Shyqyri Bylyku "Tasi" Tirons dembabadem. Ai spikati te Tirana e pas luftës së Dytë Botërore dhe nga fansat thirrej për shkurt, "Tasi". Enver Rada "Coci" Kur kishte një goditje këndi ishte ai që shkonte e merrte topin për ta krosuar në zoën. Nga tifozët thirrej me emrin "Coci". Pavllo Bukoviku "Beni i madh" Kapiteni i Tiranës në viteve 60. Thirrej me emrin "Ben". Dhe kur në ekip u inkuadrua edhe futbollisti Arben Cela, iu shtua nga pas mbiemri cilësor "Beni i madh", kurse Cela u quajt "Beni i vogël". Fatmir Frashëri "Mimi" Legjenda e futbollit bardheblu. Futbollist, trajner dhe vitet e fundit president i Tiranës. Fansat e thërrisnin shkurt "Mimi" Josif Kazanxhi "Xuxi" Futbollist i viteve 60-70 tek skuadra e Tiranës. Tifozët bardheblu ishin mësuar ta thërrisnin që në fillim, "Xuxi" Hajri Frashëri "Lepuri" Ose Lepuri. Nuk dihet ende se pse tifozët thërrisnin me këtë emër por natyrisht jo se nuk ishte trim më shumë se i shkathët si një lepur. Arjan Bimo "Grepi" Fjalë pak e punë shumë. Një mbrojtës i cili dallohej për lojën e qetë dhe sigurinë që reflektonte tek të tjerët. Nofka: "Grepi" Bedri Omuri "Bedrana" Edhe ky tiros dembabadem. Tifozët në pamundësi për ti gjetur ndonjë ves ose për ti shtrembëruar mbiemrin i latuar emrin në "Bedrana". Agustin Kola "Agustineli" E thërrisnin kështu, "Agustineli" për mënyrën e lojës alla italiane që ai shfaqte në fushën e lojës. Mbetet një nga golashënuesit më të mirë bardheblu. Sulejman Mema "Hunderri" Ose "Hunderri". Nofkën ia vunë tifozët në një ditë të zezë të Sulës në fushën e lojës, por ja që i mbeti edhe kur shkroi historinë tek kjo skuadër. Devi Muka "Vlonjati fluturues" "Vlonjati fluturues". Ka lindur dhe rritur në Vlorë por me zhdërvjelltësinë e tij është bërë lider i padiskutueshëm tek skuadra e Tiranës aq sa kjo e fundit s'mund të kuptohet pa të. Alban Bushi "Loku" Të gjithë e thërrasin kështu por pakkush e di se këtë nofkë e ka peshqesh nga tifozët e kësaj skuadre me të cilën ai luajti në fillimet e karriesës së tij futbollistike. Indrit Fortuzi "Zogu" E nisi karrierën e tij tek Tirana dhe po e përfundon aty. Nofkën "Zogu" e mori për shpejtësinë me të cilën depërtonte në zonë dhe shënonte gola. Ervin Bulku "Bulku i madh" I thonë "Bulku i madh" për ta dalluar nga Sokoli. Por, ky emër po i harrohet teksa po i zëvendësohet me "djali i artë bardheblu" ose "Polivalenti bardheblu" Ansi Agolli "Pula" Kjo nofkë nuk ka të bëjë aspak me të qenurit i guximshëm apo frikacak. Këtë emër Ansit ia kanë gjitur ish-shokët e skuadrës teksa "vdes" për mishin e pulës. Jetmir Sefa "Lashi" Ndonëse është një lojtar i ri dhe luan me Tiranën prej tri sezonesh edhe për sefën tifozët kanë gjetur si ta thërrasin duke u mbështetur tek flokët e talentit të ri, Jetmir Sefa. Alban Tafaj "Hekri" Ose "Hekri". I mbiquajtur kështu nga tifozët për formën shumë të mirë fizike që ka paraqitur teksa ka veshur fanellën e kësaj skuadre. Tashmë, ndihmëstrajner tek bardheblutë. Elvis Sina "Pistoni i bardhebluve" "Pistoni i bardhebluve". I është ngjitur ky emër nisur nga fakti se kundërsulmet e Tiranës shpesh herë nisen nga krahu i tij dhe ishte pikërisht Sina ai që i jepte oksigjen lojës ofensive. Sokol Bulku "Bulku i vogël" Sot tek Elbasani. Për ta dalluar nga Ervin Bulku, i thoshin "Bulku i vogël" edhe pse ai është në moshë më i madh se sa Ervini. Fjodor Xhafa "Intuitivi" "Intuitivi". Qëndroi tek bardheblutë as shumë sa tu mërzitej por as dhe pak sa nuk mund të vihej re. Cilësitë e tij në nuhatjen e golave i vunë nofkën e mësipërme. Saimir Patushi "Matjani" "Matjani". Edhe ky pati ecejaket e tija me bardheblutë. Disa herë ka ikur vetë e disa herë e kanë larguar si të panevojshëm por gjithsesi ka lënë gjurmë me fanellën e kësaj skuadre. Rezart Dabulla "Dabi" "Dabi" është shkurtimi i mbiemrit të lushnjarit. Para disa vitesh erdhi tek Tirana si një përforcim i dobishëm dhe e vërtetoi për disa sezone rresht. Tifozët bardheblu nuk e kanë harruar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›