E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi, “Gerd Myleri” shqiptar, “vret” Trapatonin

Golat e thjeshtë duken se janë krijuar për t'u realizuar nga "Gerd Myleri" shqiptar. Salihi shënoi pikërisht një gol të tillë, kur pasi mori një top nga goditja e lirë e Hervig Drekselit, e futi topin në rrjetë mbi vijën e bardhë të portës. Sulmuesi shkodran i nënkampionëve të Austrisë ishte autori i golit të parë të SV Ried-it në ndeshjen me kampionen në fuqi të Bundesligës austriake, Salzburgut, të drejtuar nga italiani i njohur Xhovani Trapatoni. Salihi realizoi golin e tij në minutën e 12-të. Hamdi Salihi është shndërruar në një bomber vrasës pasi për të ky ishte edhe goli i shtatë në kampionatin austriak. Hervig Dreksel, një nga lojtarët më të mirë të takimit, dyfishoi rezultatin në minutën e 44-t. Ky ishte një tjetër sukses i rëndësishëm për skuadrën e trajnerit e SV Ried, ne ndeshjen e pare pa ish-trajnerin Kraft
Asisti i Skelës
Ervin Skela, me asistin e tij në minutën e 92-të, të shndërruar në fol nga Sorensen, i siguroi një pikë të cmuar Kotbsuit të tij, në barazimin 1-1 në transfertë, të arritur me Arminian e Bielefeldit, një ekip i dikurshëm i fantazistit shqiptar. Energi Kotbus vuajti shumë pasi dhe vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 77-të me anë të Kamper. Skela dha disa pasa të vlefshme për shokët e tij të ekipit, të pashfrytëzuara. Ervini goditi në mënyrë të zgjuar një top, kur e hodhi sferën sipër portierit kundërshtar, por topi nuk iu bind këmbëve të shqiptarit për të përfunduar në rrjetë. Dy minuta përpara përfundimit të takimit, Skela ekzekutoi një goditje të lirë, ku Sorensen fitoi duelin me mbrojtësin Langkamp, duke shënuar edhe golin e barazimit.
Rasti i Kapllanit
Sulmuesi i Karslsuhes, Edmond Kapllani, vazhdoi aktivizimin e tij nga stoli. Ekipi i durrsakut barazoi në transfertë me Hansan e Rostokut (0-0), duke marrë një pikë të vlefshme. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare u fut në lojë në minutën e 62-të, duke zëvendësuar sulmuesin e vetëm, Sebastian Freis. Kapllani pati një rast të mirë për të shënuar në minutën e 69-të, kur Mutzel gjuajti nga 20 metra, por sulmuesi shqiptar, i cili duket se ka humbur reflekset e golit gaboi për t'i dhënë avantazhin ekipit të tij. Të premten Hanoveri i Altin Lalës barazoi me Eintrahtin e Frankfurtit. Kapiten i Kombëtares shqiptare hyri në lojë në minutën e 56-të, në vend të Shulcit.
Krivbasi "shqiptar"
Skuadra ukrainase, Krivbasi, e njohur ndryshe edhe si ekipi i "shqiptarëve", për shkak të pasjes në gjirin e saj të katër lojtarëve shqiptarë, barazoi në transfertë me Arsenalin e Kievit (0-0) në javën e 14-të të Vyscha Liga. Portieri Isli Hidi dhe mbrojtësi Henri Ndreka luajtën gjatë gjithë takimit, ndërsa fantazisti Dorian Bylykbashi u zëvendësua në minutën e 90-të, për të fituar kohë ekipi i Krivbasit. Dori shkëlqeu në këtë takim me ekzekutimet e tij nga goditjet e lira si në pjesën e parë, ashtu dhe në të dytën. Edhe Ervin Bulku ishte i pranishëm në këtë takim për 58 minuta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›