E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nojer i trembet Italisë: Duket si ajo e vitit 2006

KIEV- Tifozë që presin jashtë kangjellave, policë të gatshëm që vëzhgojnë gjithçka, heshtje dhe deri diku mërzi. Është kjo pamja e hotelit të Gjermanisë dy ditë para ndeshjes me Italinë, në gjysmëfinale të kampionatit europian. “Pas një dite e gjysmë pushim, ndeshja me Italinë ka elektrizuar atmosferën”, thotë Manuel Nojer, në një intervistë për të përditshmen italiane “Gazzetta Dello Sport”. Portieri i Gjermanisë është gjithnjë serioz, një djalosh i zgjuar dhe i aftë të marrë pjesë në kuice të televizioneve, duke arritur deri në shifrën e 500 mijë eurove. Nesër në mbrëmje, ai do të ketë përballë Italinë dhe Xhixhi Bufon, në një klasike të kontinentit. Nojer kërkon kujdes edhe pse skuadra e Lëv ka treguar se është e frikshme këtë edicion. 
Çfarë do t’i thonit një kundërshtari, nëse iu shënon një penallti si ajo e Pirlos ndaj Anglisë? 
Asgjë, nëse pëson gol duhet të rrish urtë. Nëse ai e humbet pastaj... 
Është portieri i autorizuar për të fyer? 
Askujt nga ne nuk i pëlqen ta pësojë golin ashtu, por secili ka mënyrën e tij. Shkoi mirë gjithsesi, Hart nuk reagoi. 
Po nëse Pirlo e përsërit të enjten kundër jush? 
Do të isha i kujdesshëm, por mundësitë janë të pallogaritshme. Ndoshta unë përgatitem për “garuzhden” dhe ai e dërgon në cep. Gjuajtësit e penalltive i kanë të gjitha opsionet. Lum si ata. 
Edhe ju gjuani penallti, si në finalen e Champions kundër Çelsit. Do ta bënit edhe kundër Italisë? 
Varet kush ka mbetur në fushë. Por, nuk do të kisha probleme. 
Sa penallti do të kishit pritur ju në ndeshjen Angli- Itali? 
(qesh dhe mendohet) 
Atëherë? 
Nuk kishte nevojë për mua, mendoi Xhixhi. 
Do ta ndërroni fanelën me të edhe pse idhujt tuaj kanë qenë Van der Sar dhe Lehman? 
Edhe Bufon. Për sjelljen, për faktin që është konstant gjatë gjithë këtyre viteve. 
Italia do të jetë shumë e lodhur, jeni akoma më shumë favoritë? 
Jo, jemi të barabartë. Por, të kaltërit kanë gjetur shpirtin e Botërorit 2006, që e kishin humbur dy vjet më parë. Isha i sigurt që do të kualifikoheshin kur i pashë që po përqafoheshin mes tyre para penalltive.
Po Gjermania si është përmirësuar në krahasim me Botërorin? 
Në cilësinë e skuadrën. Kushdo që hyn në fushë, vlera nuk ndryshon. Kjo ka krijuar një efekt surprizë, pasi jo të gjithë lojtarët rezervë janë të njohur.
Tregohuni i ndershëm, i njihni të gjithë futbollistët e Italisë? 
Sigurisht, të gjithë ata që hynë në fushë i njoh. 
Ku luan Diamanti?
 ............. Bolonja. 
Po Balzareti?
...E di si luan, por ku luan jo... Te Palermo... Ah, por unë ama di numrin e Diamantit: 22. Dhe e njoh mirë atë gjermanin. 
Çfarë, mos do jetë shoku juaj te Bajerni? 
Jo, flas për numrin 18, gjermanin, Montolivon. Gaboi një penallti, por duket që është një nga tanët, sepse vrapoi sa për tre. Edhe për Pirlon. 
Sipas “Gazzetta Dello Sport” ju ishit më i miri në gjysmëfinalen e kampionatit europian U21 në vitin 2009, ku Gjermania fitoi 2-1. Keni kujtime nga ajo ndeshje? 
Shumë nga futbollistët e asaj skuadre janë protagonistët aktualë, Ozil, Khedira, Boateng, Humels. Kurse te ju italianët, Baloteli e Xhovinko. I kujtoj që ç’ke me të. Mario godiste nga çdo cep i fushës, njërin top ia ndalova me këmbë. Ne shënuam nga 40 metra dhe më pas bëmë disa mrekulli. Është gjithnjë diçka e bukur të mundësh Italinë. 
Patjetër, por le të frasim për traumën e Dortmundit. Mats Humels tha se në gjysmëfinalen e vitit 2006, pas golit të Italisë iku në shtëpi pa e pritur fundin. Po ju? 
Jo, unë qëndrova në shesh në Gelsenkirshen, shpresova deri në minutën e 120-të. E kotë. Por, Gjermania ka ndryshuar, është më moderne dhe më e zgjuar. Flas për më shumë shpejtësi në sulm dhe më shumë shpejtësi në lëvizjet pa top. 
Ju qëndroni mbrapa dhe e shihni ndeshjen në një mënyrë të ndryshme, kurse shpesh te Bajerni apo te Gjermania qëndroni shumë pa prekur top. Mërziteni nga kjo? 
Ka ndeshje, ndoshta kundër Azerbajxhanit, në të cilat nuk bën asgjë. Ka edhe të tjera me Bajernin, ku pret e pret, më pas në goditjen e parë të shënojnë gol. Është një situatë që të konsumon nervat, edhe Bufon njëherë bëri një gabim të tillë. Është një fatkeqësi për portierët. 
Me Italinë nuk do të ndodhë, i ke parë Kasanon e Balotelin? 
Të “vjedhin” në çdo çast, por të dielën mungoi ajo “prekja” decizive. 
Çfarë është “Fondacioni Nojer për Fëmijët”?
Është një shoqatë bamirëse për ndihmë ndaj fëmijëve të varfër. Në zonën ku kam lindur unë, në Gelsenkirshen, Dortmund, është varfëria më e lartë në Gjermani për fëmijët: rreth 24 %. Do të thotë që një fëmijë në katër është i disavantazhuar nga ana sociale. Ne tentojmë t’i ndihmojmë, disa nuk kanë as një supë të ngrohtë, nuk shkojnë në shkollë dhe nuk marrin edukimin e nevojshëm. Nëse mundemi, ne i parandalojmë këto. 
Po 500 mijë eurot e fituara nga emisioni “Kush do të bëhet milioner”, i dhatë për këtë fondacion? 
Jo, i dhashë për një fondacion tjetër, që menaxhoehej nga televizioni që transmeton kuicin. 
Çfarë pyetjeje ishte që ju ndali? 
Çfarë ka shpikur Martin Behaim. Nuk e dija dhe nuk rrezikove. Ai kishte zbuluar hartën e botës. 
Menduam mos ishte pyetja: ku luan Diamanti? 
Bolonja...
(m.a/Altin Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›