E Diel, 1 Nëntor 2026

Noka: Kuksianët do të votojnë Berishën, si mirënjohje për rrugën e kombit

KUKËS- Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Kukësit, Flamur Noka, tha sot se "fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit do të nisë nga Kukësi, Hasi dhe Tropoja". 

"Jemi mbledhur këtu sot për t'i shprehur mirënjohjen tonë të pakufishme kryeministrit Sali Berisha, që bëri të mundur realizimin e aspiratave dhe ëndrrave të kahershme të kuksianëve, hasianëve dhe tropojanëve", theksoi Noka në mitingun elektoral në Kukës, ku u prezantuan kandidatët për deputetë. 

Noka tha se "ne i japim fjalën kryeministrit Berisha që uragani i fitores do të nisë pikërisht nga Kukësi, Hasi dhe Tropoja, në vendin ku mirënjohja dhe fisnikëria janë dy virtyte që zbukurohen dhe lartësohen së bashku me vetë banorët e këtyre trevave". 

Në 23 qershor, vijoi Noka, kuksianët e kanë shumë të lehtë të zgjedhin, do të mjaftonte vetëm rruga e Kombit që banorët e këtyre trevave t'i ishin mirënjohës përjetë kryeministrit Berisha. 

"Berisha dhe PD po vazhdojnë të bëjnë gjithçka për zhvillimin e ndryshimin e Kukësit, për mirëqenien, punësimin e integrimin, ishin ata që bënë që Kukësi nga qarku më i prapambetur i Shqipërisë, të shndërrohet në një qark që po zhvillohet e ndërtohet përditë, në një qark me infrastrukturë moderne e europiane sepse ne demokratët besojmë shumë tek liria , tek mirëqenia, punësimi, zhvillimi dhe integrimi", tha Noka. 

Noka u shpreh se "në 23 qershor ne do të votojmë 4 me 0 për integrimin, punësimin, mirëqenien, zhvillimin e Kukësit dhe të gjithë Shqipërisë". 

"Kuksianët e kanë refuzuar alternativën tjetër dhe do të vazhdojnë ta refuzojnë alternativën e Edi Ramës dhe të Koços, sepse ajo është alternativa kundër interesit të tyre dhe kundër interesave të të gjithë shqiptarëve", theksoi Noka, duke shtuar se kuksianët do ta përbuzin alternativën e bojktotit, të dhunës, të grevave të urisë dhe bllokimit. 
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›