E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nokia N97 mini, i gatshëm për tregun në tetor



Për një kohë të gjatë në Nokia nuk kanë dashur as të vërtetojnë se diçka e tillë ekziston, ndërsa tani dihet si çmimi ashtu edhe data e paraqitjes në shitje. Edhe pse prej muajit maj flitet për Nokian N97 mini, versionin më të vogël dhe të përpunuar të Nokia N97 i cili tani rishtazi mund të gjendet edhe në rajon, disa ditë më parë në ngjarjen Nokia World të mbajtur në Stuttgart të Gjermanisë, Nokia ka konfirmuar edhe zyrtarisht daljen e kësaj pajisje. Ai është një centimetër më i vogël sesa modeli standard N97, ka tastierë pak më ndryshe dhe vetëm tetë gigabajt të memories të integruar (N97 ka 32 gigabajt), fotoaparat të njëjtë dhe mundësi të njëjta si vëllai i tij më i madh. Në shitje del në muajin tetor, ndërsa çmimi do të jetë 450 euro.

Samsung W B5000
Aparati fotografik i teknologjisë së fundit
Produkti i fundit në linjën e kompanisë Samsung të fotoaparate me objektiv të madh dhe relativisht kompakt bart shenjën dalluese WB5000. Fotoaparati WB5000 i kompanisë Samsung përmban ultra zoom 24x (26-624 milimetra). Ai vjen me sensor të rezolucionit prej 12.5 megapikselash, ekran tre inçësh dhe stabilizim optik e dixhital të fotografisë. Gjithashtu, në të janë integruar teknologjitë si ajo për njohjen e fytyrës (face-detection) dhe buzëqeshjes, video materialet i incizon në rezolucion 720p me 30 fps në formatin H.264, ndërsa fotografitë mund të regjistrohen edhe në formatin RAW. Funksioni i tij i ri Smart Album lehtëson shumë kërkimin dhe shfletimin e fotografive. Çmimi i pritur i fotoaparatit për tregun europian është 350 euro.

Panasonic TH-85PF12U
Televizor plazma me diagonale 216 centimetra

Kompania Panasonic ka paraqitur televizorin plazma prej 85 inçësh, respektivisht 216 centimetra, me performanca të shkëlqyera por edhe me çmim të papërballueshëm. TH-85PF12U, siç e kanë emëruar në Panasonic këtë pajisje, mbështet rezolucionin e plotë HD (1.080 p) dhe teknologjinë NeoPDP të Panasonic e cila premton kualitet superior të fotografisë,e gjithë kjo për trashësi të ekranit prej 9.9 centimetrash. Nëse mendoni që krejt këtë pajisje mund ta ngritni vetëm me një dorë, harrojeni: ka peshë prej 117 kilogramësh. Ky produkt, qartazi, bie në kategorinë e pajisjeve “nëse me të vërtetë duhet të pyetni për çmimin, harrojeni menjëherë”, mirëpo nëse me të vërtetë doni ta dini, atëherë çmimin e ka 30.000 dollarë.

5 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›