Ilaçet bimore, si ti dallojmë produktet origjinale nga ato të pavërteta
Të mbingopur me medikamentet farmaceutike mjaft njerëz kanë filluar t’i drejtohen farmacive bimore për të kuruar sëmundjet e tyre. Dallimi midis trajtimit farmaceutik dhe atij parafarmaceutik nuk qëndron aspak në faktin se këto dy kurime të ndryshme nuk japin efektet e dëshiruara, por se produktet bimore përveç shërimit të sëmundjes nuk sjellin asnjë efekt anësor në organizëm. Kjo ka qenë edhe pika më e fortë e produkteve bimore, të cilat tashmë po gjejnë një përdorim të gjerë në mbarë botën. Por edhe në këtë gamë të gjerë të trajtimit të sëmundjeve të ndryshme kanë filluar të vihen re disa probleme që nuk kanë të bëjnë aspak me efektin e ilaçeve bimore origjinale, por me produktet që reklamohen si të tilla ndërkohë që nuk janë. Përdorimi i gjerë i këtyre të fundit, ka bërë sipas mjekëve të specializuar të mjekësisë bimore, që një pjesë e madhe e njerëzve që i kanë përdorur të fitojnë probleme të tjera shëndetësore, madje që nuk i kanë pasur më parë. Këtu bëhet fjalë për disa probleme që përdoruesve të produkteve bimore joorigjinale i janë shfaqur në organet e brendshme të organizmit si shpretka, tëmthi dhe mëlçia.
Këshillat
Duke marrë shkas nga kjo situatë tepër problematike për shëndetin e njerëzve, specialistja e mjekësisë bimore, Mimoza Petani ka shpjeguar se si duhet t’i dallojmë ilaçet bimore që janë origjinale nga ato që janë produkte të pavërteta, por thjesht reklamohen si të tilla. Sipas specialistes, secili prej nesh para se të vendosi të blejë një produkt bimor duhet të shikojë me kujdes paketimin e tij. Pikësëpari që një produkt bimor të jetë origjinal duhet që në ambalazhin e tij të jetë shkruajtur medoemos fjala bimë medicinale (bimë mjekësore). Ky mbishkrim nuk duhet të nënvlerësohet, pasi jo çdo bimë mund të ketë efekte kurative e thënë ndryshe bimë mjekësore. Po ashtu, përveç përcaktimit bimë medicinale, produkti duhet të ketë mbi kutinë e tij edhe bimët që bëjnë pjesë në të, e detyrimisht edhe roli që ato luajnë në organizëm. Në këtë mënyrë, sipas Petanit, çdo person i interesuar për të përdorur produkte mjekësore bimore jo vetëm që merr një informacion më të detajuar për ilaçin që do të blejë, por fare mirë ai vetëm nëpërmjet një klikimi në internet me emrin e bimës ose bimëve që gjenden në ilaç mund të marrë informacione të hollësishme për vlerat e saj kurative. Ndërkohë një problem tjetër që po vihet re së fundmi sipas specialistes Mimoza Petani, është tregtimi i disa bimëve në rrugë që mund të përdoren në formë çajrash. Duke qenë se përgatitja e një bime mjekësore duhet të kalojë një sërë etapash për tu servirur si kurative, duke filluar që nga rritja e saj, mbledhja e pjesëve që i përdoren, tharja e cila duhet të bëhet në kushte tepër specifike etj. bimët që shiten në rrugë me një paketim të thjeshtë kanë rezultuar jo pak të dëmshme për shëndetin e atyre që i kanë përdorur. Arsyeja e problemeve që shfaqin bimët e tregtuara në formën e mësipërme qëndron në faktin se sipas konstatimit të mjekëve alternativ specialist, ato nuk janë të përgatitura sipas kushteve të duhura për tu përdorur në formë çaji. Madje pirja e tyre si çaj mund të sjell edhe helmim të organizmit, pasi duke u marr në këtë formë, helmi që bima ka si pasojë e mostharjes së duhur kalon menjëherë në gjak.
Barërat mjekësore për mirëqenien tuaj natyrale
Kërkim i aplikuar, kultivime biologjike, aplikime të teknologjive ekologjike të avancuara, kërkime universitare. Të flasësh për barëra mjekësore do të thotë të tregosh historinë e botës. Në fakt njihet prej kohësh përdorimi nga ana e njeriut i barërave mjekësore terapeutike. Kalimi i shekujve dhe evolucioni i shkencës dhe mjekësisë nuk kanë ndikuar në zbehjen e rëndësisë së barërave në mirëqenien e individit. Me kalimin e kohës, që nga përdorimi i bimëve ashtu siç ishin, u kalua në një përpunim të bimëve mjekësore. Në disa vende afër nesh bimët janë integruese të pasurisë kulturore të shoqërisë. Për shembull në Itali, me përjashtim të disa zonave veçanërisht me bimë, si Veneto dhe Piemonte, mungon akoma një familjaritet i vërtetë në përdorimin e bimëve mjekësore. Shfaqja e erboristerive (dyqane ku shiten bimë mjekësore) në Itali ka bërë që bimët të merrnin në më pak se 20 vjet funksionin e fenomenit në masë, kjo shumë shpesh e lidhur me një modë në vend të një njohurie të vërtetë fitoterapeutike. Është e rëndësishme të kujtojmë se si nga bimët dhe nga principet aktive të pranishme në to, janë zhvilluar pjesa më e madhe e molekulave të pranishme nëpër ilaçe të cilat janë shumë të përhapura sot. Zhvillimi bimëve mjekësore në vendin tonë, ka bërë që të krijoheshin kushtet për të investuar në kërkimin shkencor për të transformuar bimët në një fushë terapeutike moderne dhe të domosdoshme. Falë ndërhyrjes të disa agjencive lider në industrinë erboristike, teknologjia moderne është aktivuar në konsistimin e bimëve edhe si çaj, dhe në formë kokrrash, me një masë terapeutike. Çaji klasik përftohej nga një përzierje e bimëve mjekësore, në të cilin njiheshin shumë pak përparësitë. Ndërsa sot është e mundshme të njohim me ekzaktësi raportin cilësor dhe sasior në principe aktive të çdo bime. Aktualisht, për çdonjërën prej tyre, është e mundshme të njohësh me saktësi klasën e përbërësve aktivë dhe sasinë e tyre, duke lejuar një krahasim analitik mes bimëve të të njëjtit varietet. Me të mbaruar këtë, vëmendja drejtohet në optimizmin e përmasave të çdo bime, për të përftuar nga ato rendimentin maksimal. Një tjetër aspekt i rëndësishëm që duhet kujtuar, është progresi i agrikulturës në këto vitet e fundit, në të cilin ka përfituar kultivimi i specieve mjekësore. Bimët mjekësore janë një instrument shumë i vlefshëm shërues në shërbim të njeriut. Shumë patologji të vogla mund të gjejnë një zgjidhje të efektshme terapeutike me anë të bimëve si me anë të çajrave apo ilaçeve në formën e kokrrës, pa efekte anësore në përdorimin.
5 Shtator 2009