Nominohen Valentina, Graciela dhe Bertina
Pas javës së parë të qëndrimit në shtëpi banorët kanë dhënë kandidaturat e para. Seldi ka pranuar se i pëlqen Domenika pas shfaqjes së një klipi ku ata janë puthur vetëm pak orë para spektaklit, ndërsa Pamela ka sqaruar se ajo dhe Seldi janë vetëm miq
Pas javës së parë në shtëpi, publikut i është ofruar mbrëmë një spektakël plot surpriza, emocione dhe rrëfime. Përmes klipeve dhe bisedave në shtëpi apo në dhomën e rrëfimit për publikun janë sqaruar marrëdhëniet e para që kanë filluar të krijohen në shtëpi. Erioni ka marrë urime nga miqtë e tij, Valentina ka takuar të ëmën, Hakiu ka parë një klip të familjes, ndërsa në shtëpi ka hyrë i vëllai i Erionit. Ndërkohë që banorët kanë dhënë kandidaturat e para duke nxjerrë në nominim tre më të votuarit
Klipi
Një klip i transmetuar sjell pamjet e hyrjes së banorëve në shtëpi. Habia dallohet qartë në fytyrat e tyre, ku në vend të një shtëpie luksoze kanë gjetur një shtëpi të mobiluar njësoj si ato të para viteve ‘90. Gjatë transmetimit të klipit banorët kanë qeshur me detaje të veprimeve të tyre gjatë javës së parë si larja me kanoçe, ngrohja me reflektorin e vjetër, gatimi në furnelë me vajguri apo në sobën me dru. Të pyetur nëse do të dëshironin një shtëpi më luksoze, duke e lënë të kuptonin nga mimika se do ta pëlqenin një shtëpi me luks, banorët kanë thënë se janë përshtatur tani. Në fakt, shtëpia është kthyer në një diskutim për idenë. Arjani ka thënë se e rëndësishme është që përtej orendive të shohim se si mund të përshtaten banorët në kushte modeste, ndryshe nga ato të jetës së zakonshme dhe për të përbën çudi fakti që ata kanë arritur të përshtaten shpesh. Nga ana tjetër Arjani në rolin e opinionistit thekson se kjo shtëpi përbën memorie, një mundësi për ta njohur për ata që nuk e kanë jetuar dhe për ta kujtuar nga ata që kanë qenë protagonistë.
Surpriza e Erionit
Erioni ka qenë i pari nga banorët që ka festuar ditëlindjen brenda shtëpisë. Banorët i organizuan gjatë javës një surprizë. Bertina i ka dhuruar një tufë me trëndafila. Një surprizë e dytë është menduar për të nga Vëllai i Madh gjatë spektaklit. Me pretekstin se do të ishte protagonist i pjesës së dytë të provës së javës, Erioni thirret në dhomën e rrëfimit. Aty do të transmetohet një klip me urimet e miqve të tij që ka lënë jashtë shtëpisë. Një kuti me dhurata nga familja dhe miqtë është surpriza tjetër për Erionin.
Prova e javës
Vëllai i Madh ka vendosur që prova e parë e javës të ketë të bëjë me fjalët e urta. Për pjesën e parë të provës zgjidhet Olta dhe Gjimi. Arbana do të lexojë fjalë të vjetra të urta në dialekt dhe ata duhet të gjejnë përgjegjësen në shqipen letrare. Para se të fillojnë Olta shkon të marrë një kuti të kuqe në dhomën e rrëfimit. Brenda saj janë biberonë për banorët e tjerë, në mënyrë që ata të mos flasin gjatë provës. Olta dhe Gjimi e fitojnë pjesën e parë të provës. Për pjesën e dytë zgjidhet Hakiu dhe Bertina. Ata recitojnë poezitë e filluara nga Arbana. Prova është fituar dhe banorët do të kenë buxhet të plotë gjatë javës në vijim.
Puthja e Seldit me Domenikën
Gjatë javës publiku ka mundur të ndjekë se Seldi dhe Pamela për t’u bërë lojë banorëve të tjerë të shtëpisë janë shtirur si një çift. Njëkohësisht është parë se Seldi ka marrëdhënie shumë të afërta me Domenikën. Vetëm pak orë para spektaklit ata kanë treguar shumë afrimitet me njëri-tjetrin që ka kulmuar në puthje. Të thirrur në dhomën e rrëfimit, Seldi ka pranuar se i pëlqen Domenika dhe se ndihet edhe pak xheloz për të. Gjatë klipit është dëgjuar se me pëshpërimë Seldi i ka thënë Domenikës: “Je e vetmja që nuk shoh dot me një mashkull tjetër”. E pyetur për këtë marrëdhënie, paksa në siklet Domenika është përgjigjur se ata janë shokë shumë të mirë.
Marrëdhënia e Seldit me Pamelën
Gjatë kësaj jave Seldi dhe Pamela kanë menduar t’i bëjnë një lojë banorëve të tjerë të shtëpisë duke u shtirur sikur ndiejnë diçka për njëri-tjetrin. E pyetur në dhomën e rrëfimit, Pamela është shprehur se ata janë miq shumë të mirë. Pamela ka thënë se nuk i pëlqen asnjë djalë tjetër brenda shtëpisë.
Valentina takohet me të ëmën
Hyrja në shtëpi e Valentinës është komentuar mjaft gjatë kësaj jave. Përveç banorëve të tjerë ajo është konkurrente edhe me të bijën, Domenikën. Meqenëse publiku do të dijë më shumë për të, Vëllai i Madh ka vendosur që nëna e saj të tregojë për të përmes një klipi. Por surpriza nuk mbaron me kaq. Valentina thirret në dhomën e rrëfimit ku gjen të ëmën. E ëma e saj nuk ishte dakord që Valentina të bëhej pjesë e “Big Brother”. Ajo qesh me shprehjen e së ëmës: ‘Mos hyr në spektakël se do më lësh edhe vajzën pa martuar”. Të dyja çmallen me njëra-tjetrën, ndërsa Domenikës nuk i lejohet të takojë gjyshen, sepse brenda shtëpisë ajo është konkurrente si gjithë të tjerat.
Nominimet
Pas një jave bashkëjetesë brenda shtëpisë së “Big Brother”, banorët kanë bërë nominimet e para. Kjo çështje është diskutuar shumë gjatë javës mes banorëve. Secili prej tyre në dhomën e rrëfimit ka dhënë dy emra për kandidim dhe dy arsye për këtë zgjedhje. Në nominim dalin tre më të votuarat, Valentina, Graciela dhe Bertina.
#