Në pakot për Orik Shytin, mostra pllakash mermeri
Zbulohet “sekreti” i lidhjes me djalin e Arta Dades. Kolitë u bllokuan nga Antiterrori
Zbulohet “sekreti” se çfarë mbanin brenda dy pakot e nisura nga djali i Arta Dades për Orik Shytin. Pakot janë zbuluar pikërisht nga Seksioni Kundër Akteve Terroriste në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, por që brenda janë gjetur vetëm disa pllaka mermeri. Para tri ditësh, Partia Demokratike doli në konferencë për shtyp, ku deklaroi se kishte zbuluar se dy pako të dyshimta i ishin nisur Orik Shytit nga djali i Arta Dades. Megjithatë, rezulton se ato pako nuk kanë mbërritur asnjëherë në destinacion, pasi janë bllokuar nga policia. Sipas të dhënave të besueshme, disa ditë më parë, policia është njoftuar nga Zyra Postare nr. 1 në Tiranë. Policisë i është deklaruar se kishin hasur në dy pako të dyshimta që i ishin adresuar Orik Shytit. Menjëherë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Antiterrorit, të cilat kanë bërë kontrollin e pakove. Më pas, ato janë dërguar në laborator për verifikime të mëtejshme. Por, nga këto verifikime, ka rezultuar se brenda pakove, ndodheshin disa mostra guri dhe pllaka mermeri. Në këto kushte, policia i ka bllokuar pakot me motivin e vetëm se materialet brenda tyre janë pa certifikatë origjinale malli. Menjëherë pas bllokimit të pakove, ka rezultuar se ato ishin nisur nga Alban Dabulla, djali i Arta Dades. Por, kjo ka sjellë edhe reagimin e Partisë Demokratike. Madje, edhe ditën e djeshme, Partia Demokratike deklaroi se prej tri ditësh me radhë, me fakte të pakontestueshme është provuar se djali i Arta Dades është anëtar i organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”, duke u nisur nga fakti i pakove. “Siç e kemi ndjekur në media, Orik Shyti në një deklaratë të shpërndarë shprehet se është krenar për miqësinë e tij me Alban Dabullën, i cili nga ana e tij po në një njoftim publik për mediat deklaron se është krenar për miqësitë e shëndosha, tek të cilat e ka orientuar nëna e tij, e për të cilat i është mirënjohës pikërisht nënës së tij”, deklaroi PD-ja.
#