E Diel, 1 Nëntor 2026

Rudi Vata: Salihi është i duhuri për Selltikun

Nga ANDI MATRAXHIU 

Trajneri shkodran, Rudi Vata, ka sugjeruar Hamdi Salihin në ish-skuadrën e tij. Hidhet në sulm edhe Gllazgou, duke startuar një derbi për bomberin shkodran

Duket se Hamdi Salihi është një temë serioze për skuadrën skoceze të Selltikut. Mediat e huaja flasin për një afrim gati të sigurt të lojtarit shqiptar. Por orët e fundit ka nisur edhe një derbi, pasi Gllazgou është hedhur në sulm për shërbimet e shqiptarit. Edhe pse Salihi shpreson të kaloje në radhët e Selltikut, do ta ketë të vështirë, njësoj si te Rapidi i Vjenës, rolin e titullarit.

Ish-lojtari i Selltikut, Rudi Vata, po bën të mundur një lëvizje të Hamdi Salihit drejt skuadrës skoceze, pasi disa ditë më parë emri i tij u shfaq si një opsion i mundshëm. Sipas Vatës, Salihi mund të jetë një sukses te ish-skuadra e tij. Trajneri Neil Lennon ka treguar interes për sulmuesin e kombëtares shqiptare, ndërsa kërkon të forcojë skuadrën në kërkim të trofeve. Çmimi i Salihit është tërheqës, vetëm rreth 600 mijë euro, dhe ai vetë u shpreh shumë i interesuar për një lëvizje drejt Skocisë.

Rapidi Vienës është i gatshëm ta shesë me atë çmim të reduktuar, pasi kontrata e tij skadon në fund të sezonit. “Hamdi Salihi ka një kualitet të rëndësishëm sulmuesi. Ai ka nuhatjet për golin dhe e ndien kur i jepet shansi për të shënuar,”- tha Vata. “Mund ta krahasoj me Gerd Mylerin, pasi bën gjithçka brenda zonës dhe është njeriu i duhur për stilin e lojës së Selltikut.

Me kualitetin që Selltiku ka nga krahët dhe kroset e shumtë që ata fusin në zonë, Salihi do të ishte një sukses i padiskutueshëm,”- vazhdoi ai. Por problemi kryesor, sipas Vatës, që akoma mbahet mend nga tifozët në vitet ’90, kur u bë shqiptari i parë në Skoci, është nëse Salihit do ti jepet shansi për të treguar atë që di të bëjë.

Vata ka qenë menaxher i Salihit më parë dhe thotë se shkodrani vështirë se do ta pranoj ofertën e Selltikut, pa ndonjë garanci me sasinë e minutave që do ti jepen. Salihi po largohet nga Rapidi pasi me sistemin e ri që u vu në skuadër me ardhjen e trajnerit Peter Schoetel, minutat e tij u ulën ndjeshëm. Por bomberi shkodran mund të ketë të njëjtin fat edhe në Glasgou, pasi Hooper dhe Stokes janë dy zgjedhjet e para për sulmin e Selltikut.

Ata vështirë se do ti hapin rrugë Salihit, pasi deri tani kanë qenë impresionues me nga 15 gola secili. “E njoh Salihin, pasi e përfaqësoja si menaxher më parë, – tha Vata. – Ai dëshiron të luaje dhe jo të qendrojë në stol. Nëse do të isha në vend të tij, do të pyesja veten se cili do të ishte vendi im te Selltiku dhe a do të pranoja të ulesha në stol. Salihi është në kulmin e karrierës së tij dhe ka nevojë për minuta.

Por gjithsesi të qendrosh në stol te Selltiku është një shkallë më lart sesa stoli i Rapidid të Vjenës. Por gjithsesi jam i sigurt se ai i ka të gjitha aftësitë për të qenë një sulmuesi i suksesshëm në Skoci,”- sqaron trajneri i Vllaznisë. Vata beson se edhe nëse ai nuk mund të zerë vendin e dy titullarëve Hooper dhe Stoke, ai shumë mirë mund të luaje së bashku me ta në një sulm tredhëmbësh.

Ai di të shënojë gola. Ka qenë i pafat te Rapidi, pasi nuk i është dhënë mundësia aq sa duhet për të luajtur, por ai ka shumë eksperiencë në Shqipëri, Greqi dhe Austri dhe do të jetë i rëndësishëm për Selltikun, që ka lojtarë të rinj. Ai punon shumë dhe jam i sigurt që do të shënojë shumë gola në  Premier Ligën” skoceze,-  e mbyll intervistën e tij Rudi Vata.

Elis Bakaj fillon stërvitjen me Dinamon e Bukureshtit

Sulmuesi shqiptar Elis Bakaj, pas shumë aludimesh në merkaton dimërore, ku është përfolur edhe një rikthim në kampionatin shqiptar, pikërisht tek Skënderbeu i Korçës, tashmë është pjesë e skuadrës së Dinamos së Bukureshtit. 24-vjeçari i kombëtares kuqezi ka kaluar dëmtimin e pësuar në Maqedoni në miqësoren e Shqipërisë në Prilep dhe tashmë është i gatshëm të jape kontributin e tij.

Dinamo e Bukureshtit po kalon një moment të mire, duke kryesuar kampionatin rumun. Ndërkohë, Bakaj nuk ka gjetur hapësirat e duhura deri tani. Gjatë prononcimeve të ndryshme, Bakaj ka folur edhe për një largim të mundshëm drejt Ukrainës apo Rusisë, por ende gjërat mbeten enigmatike. Fakt është vetëm realiteti që shqiptari ka nisur stërvitjen me skuadrën që e ka nën kontrate, pra Dinamon e Bukureshtit.

Curri eliminohet nga Kupa e Turqisë

Debatik Curri është aktivizuar 120 minuta në eliminimin nga kupa e skuadrës së tij. Boluspor-Gençlerbirligi ka përfunduar në shifrat 3-2 për vendësit. Por 90 minutat e rregullta janë ndarë në barazim, pas skuadra ku aktivizohet Curri ka arritur barazimin në sekondat e fundit. Tashmë kosovari dhe ekipi i tij duhet të përqendrohen vetëm në kampionat, ku nuk është se po kalojnë një moment të mire, duke pasur shumë oshilacione.

Debatik Curri është duke u aktivizuar në rolin e tij natyral në qendër të mesfushës. Ndërkohë që në kombëtaren kuqezi, kosovari është duke u sakrifikuar jashtë rolit të tij, pra në qendër të mbrojtjes. Gjithsesi, Debatiku ka qenë gjithnjë cilësor dhe luftarak në lojën e tij, duke treguar siguri dhe personalitet. Në të kaluarën Curri është aktivizuar në kampionatin ukrainas, në radhët e Vorskla Poltavës.

Roshi, 25 minuta në miqësoren ndaj Utrehtit

Mesfushori shqiptar Odise Roshi duket se e ka lënë pas shpine problemin e kaluar pak ditë më parë gjatë një përplasjeje me një nga futbollistët e Hanoverit dhe tashmë është përqendruar në performancën e tij. Dje shqiptari, ish-lojtari i Apolonisë dhe Flamurtarit, është aktivizuar në minutën e 65-te në vendin e Lanigut. Në miqësoren ndaj Utrehtit, sfida është mbyllur në shifrat 0-0.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›