Nora humb penallti, Meta anulon gol

Albania-sport- Penallti e humbur nga Arlind Nora, shtyllë e goditur nga mesfushori Hasalla, gol i anulluar i Shenaj nga dyshja Meta-Guce dhe tension i jashtëzakoshëm në stadumin "Gjirokastra" i shoqëruar edhe me ndërprerje disa minutëshe të takimit Luftëtari-Vllaznia, e mbyllur me fitoren e shkodranëve falë golit të Suad Licit të kombinuar edhe me gafën qesharake të portierit gjirokastrit Toci.
Edhe njëherë tjetër tekniku i Luftëtarit, Mustafa Hysi dështoi në përballjen me Vllazninë, teksa ka vuajtur dhe kujtimet e hidhura të shkarkimit të tij për shkak të humbjes së premierën e tij si trajner i Kategorisë Superiore.
Luftëtari luajti kundër Vllaznisë pa kapitenin Neritan Novi, të pezulluar duke përballuar fraksionin e parë të lojës. Në pjesën e dytë, pa kaluar as 120 sekonda, ishte veterani Lici që goditi ndërkohë që topi i shpëtoi Tocit nga duart në të 47'.
Disa minuta më pas Luftëtari barazoi me Shenaj që zhyti topin në rrjetën e Grimës por anësori Guce e sinjalizoi kryesorin Meta si të parregullt, cka solli dhe tensionin në fushë e ndërprerjen e lojës për disa minuta.
Dhjetë minuta përpara përfundimit të ndeshjes, gjyqtari Meta akordoi 11-metërsh për Luftëtarin, por Nora humbi shansin më të mirë për të barazuar. Penalltia e dytë që sulmuesi gjirokastrit humbet këtë sezon.
Luftëtari me tri humbje të pësuar me Vllazninë dhe 13 në total ndihet plotësisht në zonën e ftohtë kur kanë mbetur edhe 9 javë, aq më tepër që java e 25 i ofron një përballje të mundishme me Tiranën, që nuk mund të lejojë kurrsesi vetes të humbasë dy herë rresht.
Vllaznia do të presë në javën e ardhshme Kastriotin, edhe ky një nga të "ftohurit" e Kategorisë Superiore.
TRI PËRBALLJET SEZONALE
Faza e parë
Vllaznia-Luftëtari 1-0
Faza e dytë
Luftëtari-Vllaznia 2-3
Faza e tretë
Luftëtari-Vllaznia 0-1