Shtanget Sejdini, fitore me Tiranën e Vllazninë

Albania-sport- Dy fitore të mëdha resht të Shkumbinit me Vllazninë (0-2, në Shkodër,një javë më par) dhe Tiranën (2-1, në Peqin dhe pa tifozë) po vërtetojnë faktin se trajneri me përvojë të madhë në kampionatin shqiptar, Faruk Sejdini, ka për t'ia dalë sërish ta mbajë në Superligë, një ekip modest por luftarak si Shkumbini.
Shkumbini, që vetëm dy javë më parë humbi 0-2 me Tiranën (2 gola të Sinanit) në Peqin të shoqëruar me incidentet të dhunshme kundër trajnerit të bardhebluve, Shkëlqim Muca, arriti të fitojë një takim shumë të vështirë me kryesuesit, me një mbështetje të jashtëzakonshm nga disa mijëra tifozë jashtë rrethimit zyrtar të fushës së Peqinit
Ishin këto dy fitoret më të bujshme të "Xhaxhit", qysh kurse ka marrë drejtimin e Shkumbinit në javën e 10 të kampionatit, pas largimit të Vasil Bicit.
Ish-lojtari i Tiranës (por më parë edhe i Dinamos e Partizanit), Erjon Rizvanolli finalizoi në minutën e 20 me mjeshtëri një aksion të shpejtë të skuadrës së tij duke mposhtur Isli Hidin dhe mbyllur pjesën e parë me rezultatin 1-0, pavarësisht shtyllës së goditur nga Klodian Duro dhe rastit të pashfrytëzuar të elbasanasit të tjetër të bardhebluve, Hetlem Capja.
Për Rizvanollin ky ishte goli i dytë sezonal kundër Tiranës, pas atij të realizuar në barazimin 2-2 të fazës së parë.
Pjesa e dytë ofroi më shumë spektakël dhe emocione në fushë, me protganistë vëllezrit Duro: Klodian i dhuroi një asist të përkryer Abertit, dhe Duro i madh shpërtheu fuqishëm me kokë duke barazuar rezultatin në të 49'.
Disa minuta më vonë është kavajasi Dorian Bubeqi që falë edhe punës së jashtëzakonshme në mesfushë të lushnjarit të bardhekaltërve, Alban Byzhyti (në ditë të shkëlqyer) shënoi golin e fitores në minutën 67' duke i dhuruar tri pikë të cmuara Shkumbinit, që tashmë e sheh veten me vetëm një pikë larg Luftëtarit, që humbi 0-1 në shtëpi në mënyrë dramatike me Vllazninë.
Kjo ishte dhe fitorja e dytë historike e Shkumbinit në 32 përballje me Tiranën, e cila nga ana e saj ka fituar 24 ndeshje, ndërsa të barabartë në rezultat dy ekipet janë ndarë 5 herë, përfshirë dhe barazimet e bujshme 4-4 dhe 2-2, të cilat provokuan dhe shkarkimet e italianit Leonardo Menikini dhe trajnerit aktual të Vllaznisë, Mirel Josa.
Java e ardhshme (luhet më 31 mars) propozon një sfidë tjetër mjaft delikate Apolonia-Shkumbini, ku do të përballen dy ekipet e vendeve të fundit në luftën për mbijetësë.
TRI PËRBALLJET SEZONALE
Faza e parë
Tirana-Shkumbini 2-2
Faza e dytë
Shkumbini-Tirana 0-2
Faza e tretë
Shkumbini-Tirana 2-1