E Shtunë, 31 Tetor 2026

Normat minimale të gjelbra për banor

10/02/2011  Çdo ndërtesë banimi të ketë në 400 metra 1 m2 për banor në qytetet me më pak se 10 mijë banorë

Draft-rregullorja përcakton kushtet bazë për gjelbërimin në qendrat e banuara

Problemi i hapësirave të gjelbra sidomos në qytetet e mëdha, të cilat po betonizohen dita-ditës ka sjellë nevojën e rregullimit dhe caktimin e normave minimale për banor. Rregulloja e re uniforme e planifikimit parashikon disa lloje zonash të gjelbra në nivel qyteti. Gjithsesi, norma minimale e detyrueshme brenda qendrës së banuar është 1 m2 për banor deri në 4 m2 për banor, në varësi të numrit të popullsisë.

Rregullat

Kushtet bazë për gjelbërimin në qendrat e banuara janë përcaktuar në nenin 60 të rregullores, por ato përjashtojnë zonat që kanë përdorim homogjen bujqësi dhe natyror. Kështu, zonat e gjelbra në nivel qyteti përbëhen nga gjelbërimi i përgjithshëm publik, gjelbërimi publik i kufizuar dhe gjelbërimi i veçantë, të cilat janë të përcaktuara edhe në tabelë. Në përgjithësi, si normë orientuese, çdo ndërtesë banimi duhet të ketë në një rreze prej 400 metra, të paktën një hapësirë të gjelbër të llojit të specifikuar në tabelë. Gjelbërimi shoqëror i kufizuar përfshin sipërfaqet e gjelbra të strukturave për përdorim publik, kryesisht shërbime, si edhe gjelbërimin vetjak të banesave individuale tip vilë, pavarësisht nëse banesat janë të bashkangjitura apo të shkëputura. Norma minimale orientuese e treguesit cilësor është 1 – 2 m2/banor, dhe zona përdoret vetëm nga përdoruesit e strukturës, si pacientët që përdorin hapësirën e gjelbër në një spital, banorët e banesës individuale. Për strukturat për përdorim publik, kjo duhet të përmirësohet nëse parashikohet kështu nga dispozitat ligjore sektoriale në fuqi, për qëllime të sektorit për të cilin është krijuar ajo strukturë. Ndërkaq, gjelbërimi i veçantë përfshin struktura dhe zona me funksione të tipit kopsht botanik dhe zoologjik, fidanishte, breza sanitare mbrojtëse. Në këtë rast normat vlerësohen sipas kontekstit dhe manualeve të projektimit. Normat minimale orientuese janë 0.3 – 0.5 m2/banor për kopsht botanik, 0.6 – 1 m2/banor për kopsht zoologjik dhe 0.8 – 2 m2/banor për fidanishte ose zonë sanitare. Për parqet dhe lulishtet pronë e personave fizike dhe juridikë private nuk jepet norma të treguesve cilësore.

Situata

Vendi ynë, me statusin e një vendi në zhvillim është kritikuar për një përdorim pa kriter të hapësirave publike. Agjencia Evropiane për Mjedisin thekson se kryeqyteti shqiptar është qyteti i dytë më i betonizuar në Evropë. Sipas të dhënave të kësaj agjencie në 180 m2 beton vetëm 2.7 m2 janë hapësirë gjelbër për banor. Ndërsa vendin e parë e zë kryeqyteti i Rumanisë, Bukureshti. Në Planin Rregullues të Tiranës kjo normë parashikohet të dyfishohet brenda 20 viteve, duke arritur në 9 m2 për banor. Raporti thekson se në Evropë, popullsia është rritur shumë, por ndërtimet urbane janë shtuar disa herë më shumë se numri i banorëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›