Norvegji, Breivik deklaron se nuk është fajtor

Ndërsa Norvegjia po mbante zi për viktimat e sulmeve të dyfishta që lanë 76 persona të vrarë, norvegjezi 32- vjeçari i arrestuar në lidhje me masakrën, u dërgua në gjykatë për të shpjeguar motivet e tij.
Edhe pse Anders Behring Breivik ka pranuar se i ka kryer sulmet, ai nuk është deklaruar fajtor sot në Gjykatën e Oslos, po është përpjekur të shmanget nga hetimi penal.
Kim Heger, gjykatësi i Gjykatës së Qarkut të Oslos, tha se ka mjaft prova për të akuzuar atë se ka pasur për qëllim që të kryejë akt terrorizmi.
“Me gjithë faktin se i akuzuari njeh rrethanat aktuale, ai nuk është deklaruar fajtor. Nga ajo që Gjykata e ka kuptuar, i akuzuari beson se është dashur të kryejë këto sulme, për ta shpëtuar Norvegjinë dhe Evropën Perëndimore nga marksizmi kulturor dhe nga marrja prej myslimanëve”, ka thënë Heger.
Heger urdhëroi që Breivik të qëndrojë në paraburgim për tetë javë, ndërsa vazhdojnë përgatitjet për seancën gjyqësore.
Heger po ashtu ndaloi mediat që të merrnin pjesë në seancën dëgjimore, për të penguar kështu Breivikun që ta përdorë Gjykatën si një platformë politike, për të transmetuar ideologjinë e tij ekstreme të krahut të djathtë dhe anti-myslimane.
“Objektiv i sulmeve ishte që t`u jepej një sinjal i mprehtë njerëzve. I akuzuari dëshironte që të nxisë humbje sa më të mëdha në Partinë Laburiste me qëllim që të kufizojë rekrutimin në të ardhmen. I akuzuari ka shpjeguar se Partia Laburiste e ka çuar në dështim vendin dhe popullin dhe se çmimi i tradhtisë së tyre ishte ai që e paguan dje”, ka shpjeguar Heger.
Avokati i Breivikut tha se klienti i tij dëshironte që t`i tregojë vendit dhe botës se përse ndërmori sulmet me bomba në Oslo dhe në ishullin Utoja, në kampin veror për të rinjtë e Partisë Laburiste.
Ai zyrtarisht akuzohet se ka qëlluar për vdekje 68 njerëz në ishullin Utoja, shumica nga ta adoleshentë.
Ai po ashtu akuzohet se ka vrarë tetë njerëz në të njëjtën ditë në sulmin me bomba afër ndërtesave të qeverisë në Oslo, duke sjellë shifrën e të vdekurve në të dy rastet në 76.