E Shtunë, 31 Tetor 2026

Norvegji, ja cili është autori i masakrës

Anders Brehing Breivik, personi që akuzohet se ka shkaktuar vdekjen e të paktën 91 norvegjezëve në një sulm të dyfishtë terrorist me bombë dhe armë zjarri, krekosej “online” se kishte lidhje me të djathtën ekstreme angleze “English Defence League” dhe organizata të tjera anti-islamike evropiane, shkruan e përditshmja britanike “The Guardian”.

Ndërkohë, policia norvegjeze po merr në pyetje Breivik-un në lidhje me një artikull të botuar prej tij në disa uebsajte skandinave, përfshirë edhe “Nordisk”-un, një faqe “online” që frekuentohet nga neo-nazistët, nga ekstremistët e djathtë dhe islamofobët, qysh nga viti 2009, vijon e përditshmja britanike, duke e shtuar se “më herët ai kishte shfaqur interes për bodybuilding, politikat konservatore dhe frank-masonërinë”.

Një gazetar i gazetës norvegjeze “DagBladet” (në anglisht: “The Daily Magazine”) e përcakton si “islamofob, pro-izraelit, anti-emigracion, hiper-nacionalist dhe relativisht intelektual, që është rritur në pjesën lindore të kryeqytetit norvegjez të Oslos, një zonë e pasur dhe intelektuale”, shkruan e përditshmja spanjolle “El Pais”.

Agjencia  “Reuters” bën me dije se Anders Behring Breivik ka qenë anëtar i “Partisë së Progresit”, e cila deri në vitin 2006 ishte partia e dytë më e madhe në vend. 32-vjeçari  i përkiste forumeve rinore të kësaj partie që nga viti 1997 deri ne vitin 2007, sipas shefit të komunikimit të kësaj partie, Fredrik Faber. “Partia e Progresit” është mbështetësja kryesore e politikave për shtrëngesa sa më të forta ndaj emigracionit.

Duke e shmangur krejtësisht qysh në mbrëmjen e ditës së premte mundësinë e një sulmi terrorist të kryer nga celulat e Al Kaedës, hetuesit norvegjezë janë përqendruar tashmë në figurën e atentatorit vendas. Anders Behring Breivik, norvegjez i moshës 32-vjeçare ishte i lidhur me mjediset fondamentaliste kristiane. Anders kishte shprehur ide anti-islamike. Burimet e hetimit e shquajnë si një ekstremist  që gjithsesi ishte larguar nga idetë e qëndrimet neonaziste, shkruan e përditshmja italiane “Corriere della Sera”.

Sipas dëshmive të dhëna nga njëri prej shokëve të tij të fëmijërisë, i cili u pyet nga tabloidi norvegjez “Verdens Gang”, Andersi kishte filluar t’i qasej gjithnjë e më shumë ekstremit të djathtë dhe kishte filluar të shprehte idetë e tij radikale aty rreth moshës 30-vjeçare, shkruan e përditshmja franceze “Le Monde”.

Anders Behring Brievik ka shërbyer në ushtrinë norvegjeze, por nuk ka pasur lidhje të mëtejshme me ushtrinë. Ai nuk ka qenë një person që të ketë tërhequr vëmendjen e policisë, përveç një rasti kur dhjetë vite më parë ka ofenduar një polic rrugor, shkruan gazeta gjermane “Der Spiegel”.

I dyshuari për sulmin terrorist të dyfishtë të Oslos, që i mori jetën të paktën 92 personave, ishte anëtar i një forumi neonazist suedez, sipas fondacionit “Expo”, organizëm hetimor i grupimeve të ekstremit të djathtë me qendër në Stokholm. “Ai ka qenë i regjistruar si përdorues që në vitin 2009 me një pseudonim që të shpie në adresën e tij të postës elektronike”, ka saktësuar për agjencinë “AFP”, Mikael Ekman, punonjës i këtij fondacioni suedez, shkruan e përditshmja belge “Le Soir”.

Një ditë pas sulmit mizor të kryer në kryeqytetin norvegjez Oslo, ku deri më tani përllogariten të paktën 91 të vrarë, mbeten ende të pashpjegueshme motivet e të dyshuarit si autor të kapur nga forcat policore. Nga të dhënat e para  ka dalë në pah se bëhet fjalë për një “fondamentalist kristian”, i dhënë pas lojërave në internet, i lidhur me ekstremin e djathtë dhe që i përket ideologjisë anti-muslimane, shkruan e përditshmja portugeze “Publico”.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve Norvegjeze (“NTB”) thotë se policia po heton për një person të dytë që mund të ketë qenë i përfshirë në sulmin me armë në një ishull pranë kryeqytetit, ku mbetën të vrarë 85 persona. Policia ka arrestuar një person për  masakrën në ishull dhe vendosjen e bombave në Oslo. “NTB”-ja raporton se dëshmitarë okularë në vendngjarje e kanë bërë me dije policinë se kanë qenë dy persona të përfshirë në goditjet me armë zjarri në ishullin e Utoya-s. Agjencia thotë se policia është në kërkim të personit të dytë, që me gjasa ka qenë pa uniformë policie, ndërkohë që edhe personi i arrestuar mbante të  veshur një uniformë policie. Në total, 91 persona humbën jetën në dy sulmet e kryera, raporton e përditshmja irlandeze “Irish Times”.

Norvegjezi Anders Bering Brejvik (Anders Behring Breivik) që dyshohet se është përgjegjës i vrasjes së 92 personave përmes sulmit me bombë në Oslo dhe të shtënave me armë në ishullin Utoja, ka qenë anëtar i “Partisë së Progresit” në Norvegji, e dyta për nga madhësia në parlamentin vendas, si dhe i përkiste klaneve ekstremisht të djathta, anti-emigracion, anti-Islam, anti-multikulturalizmit në Evropë dhe pjesëtar i klaneve fondamentaliste kristiane. Sipas “TV2”, Brejvik gjithashtu njihet si përkrahës i flaktë i shkollës filozofike të Vjenës, ku formësohen idetë kundër multikulturalizmit dhe përhapjes së Islamit në Evropë. Ai njihet gjithashtu si admirues i Geert Wildersit, politikanit holandez që shquhet për qëndrimet e ashpra kundër Islamit, pasi edhe Vildersi është ithtar i mendimit filozofik të së njëjtës shkollë. Po sipas “TV2”-shit norvegjez, “në vitin 2008, Brejviku është bërë anëtar i lozhave masone”, shkruan e përditshmja boshnjake “Dnevni Avaz”.
/Start/Zamir Gjurgji/

                                                                                             2011-07-24 10:26
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›