E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, 65-vjeçari vret të birin, plagos dy të tjerë

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:00 të së shtunës, kur Yzeir Cjapi, 65 vjeç, qëlloi me armë zjarri dhe la të vdekur në vend djalin e tij, Vullnetin, 36 vjeç. Gjithashtu, kanë mbetur të plagosur kunati dhe kunata e autorit të krimit. Të lënduarit ndodhen për mjekim në spitalin rajonal të Beratit, jashtë rrezikut për jetën.

Nga burime policore mësohet se shkak i ngjarjes ka qenë një grindje mes djalit dhe babait. Ky i fundit e kishte ndaluar të birin të shkonte në dasmën e vajzës së dajës, për shkak se ishte grindur me familjen e kunatit.

Po sipas policisë, Yzeir Cjapi e ka pritur të birin të kthehej nga dasma dhe ka nisur të konfrontohet me të për shkakun se nuk kishte respektuar urdhrin e dhënë. Në ndihmë të viktimës ka ardhur edhe daja me bashkëshorten, por që nuk kanë mundur dot të ndalin krimin e rëndë.

65-vjecari ka nxjerrë çiften që mbante në banesë dhe ka qëlluar në drejtim të djalit, duke e lënë të vdekur në vend, ndërkohë që ka plagosur edhe dajën e viktimës dhe gruan e tij.

Më pas autori është mbyllur në një nga dhomat e shtëpisë së bashku me armën e krimit. Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe negociatorët u përpoqën ta bindnin agresorin që të dorëzohej.

Pas një ore negociatash me uniformat blu, Yzeir Cjapi u dorëzua dhe aktualisht  ndodhet në dhomat e paraburgimit të drejtorisë së policisë së Beratit, në pritje të masës së sigurisë.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-07-24 13:16
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›