Grabitet me dhunë biznesmeni grek, prangoset 47-vjeçari
DURRËS – Një biznesmen grek u bë objekt i dhunës në përpjekje për ta grabitur, kurse një i dyshuar është arrestuar mëngjesin e dy ditëve më parë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ngjarja ka për viktimë të grabitjes, 49-vjeçarin P.P., lindur e banues në Greqi, pronar i firmës “Teknometal sh.p.k.” që kryen aktivitetin në Sukth. Sipas tyre, biznesmeni grek ka bërë të martën një kallëzim mbi vjedhjen me dhunë. Struktura për hetimin e krimeve kundër pronës Durrës, tha se vendosi të kryejë operacion të shpejtë. Në orët e para të ditës së mërkurë, policia konfirmoi se është bërë e mundur që të identifikohet autori i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre që është 47-vjeçari Ibrahim Zeza, lindur në fshatin Rrubjekë Durrës e banues në Tiranë. I dyshuari, dënuar edhe më parë për krime kundër personit, u provua se dy ditë më parë, rreth orës 09.00 në Sukth, tek firma “Teknometal sh.p.k.”, ka tentuar t’i vjedhë me dhune një çantë dore pronarit greke të kompanisë, ku gjendej shuma e parave prej 15 mijë lekësh si dhe sende të tjera personale të grekut. Pas identifikimit dhe përpjekjeve për kapjen e të dyshuarit, nga ana e Policisë së Durrësit, u bë shpallja në kërkim e tij. Gjatë ditës së sotme, u bë e mundur kapja e Ibrahim Zezës, në qytetin e Tiranës.
Plagoset me armë zjarri 48-vjeçari, arrestohet autori
HAS - Një 48 vjeçar nga qyteti i Krumës u plagos rëndë me armë zjarri në orët e vona të mbrëmjes së marte pas një grindje për motive të dobëta nga një bashkëqytetar i tij, i cili u ndalua pak orë më pas nga policia. Burime të policisë lokale thanë se "Qamil Rada, 48 vjeç, nga qyteti i Krumës mori plagë të rënda në kokë, me armë zjarri, pas një grindje për motive të dobëta, në një nga lokalet e qytetit, ndërkohë që si autor i kësaj ngjarjeje është identifikuar bashkëqytetari i tij Astrit Dida, 33 vjeç". Sipas policisë, Rada iu nënshtrua një ndërhyrjeje të rëndë kirurgjikale në spitalin civil të qytetit të Kukësit, por mjekët nuk japin garanci për jetën e tij. Mësohet se policia ka sekuestruar armën e krimi, një pistoletë tip TT dhe 7 copë fishekë. Po hetohet për motivet e atentatit me pasojë plagosjen e 48-vjeçarit.
Katër të rinj në pranga për rrahje
KORÇË - Katër të rinj janë vënë në pranga në Korçë, pasi në dy episode të ndryshme kanë goditur e grushte dy persona. Policia e Korçës, tha se dy ditë më parë janë kapur Denis Shaholli, 17vjeç, Nuri Shaholli, 19 vjeç si dhe Denis Nuri 18 vjeç, të tre të lindur dhe banues në fshatin Voskop, Korçë. Këta të fundit janë ndaluar pasi ishin të shpallur në kërkim. Sipas policisë, të tre disa ditë më parë në bashkëpunim i kanë prerë rrugën dhe kane goditur me mjete te forta Sokol D. Po ashtu, është ndaluar dhe Ervin Bacleri, 23 vjeç, lindur dhe banues ne Pogradec. Ky i fundit është ndaluar pasi ka goditur pas një konflikti banal, Ervin H. 24 vjeç, nga Pogradeci. Bacleri, e ka goditur të riun me grushte në fytyrë.
Ndalohet autori i djegies së automjetit dy ditë më parë
FIER - Policia e Fierit ndaloi autorin e djegies së një automjeti tip "Wolksvagen", tre ditë më parë, pronë e shtetasit Roland Tozaj. Burime të policisë lokale thanë se "Fatjon Bido, 19 vjeç, banues në qytetin e Fierit u identifikua dhe si autor i djegies së një mjeti tjetër tip furgon në fillim të muajit shtator, pronë edhe kjo e shtetasit Tozaj. Nga hetimet e policisë rezulton se shkaqet e dy ngjarjeve kanë qenë për motive të dobëta. Mësohet se 19 vjeçari Bido ka qenë i dënuar më parë edhe për veprën penale të "armëmbajtjes pa leje". Të dielën në mëngjes u dogjën edhe 8 autobusë të transportit të udhëtarëve, duke shkaktuar një dëm prej 12 milionë lekësh. Për zbardhjen e kësaj ngjarje kanë shkuar në Fier disa ekspertë nga Tirana.
16 Tetor 2008