Norvegjia i trembet presionit të Qemal Stafës
Skuadra nordike vijon të jetë e tërhequr në deklaratat e saj, duke u munduar të postojë presionin larg lojtarëve
Në prag të ndeshjes eliminatore të Tiranës, ku Norvegjia do të shkelë në barin e stadiumit Qemal Stafa, zv-trajneri i skuadrës nordike, Ola By Rise shprehet optimist në një shkrim të publikuar në faqen zyrtare të internetit të federatës norvegjeze të futbollit, me titull Misioni në Shqipëri.
Sipas tij, disa lojtarë do ta kenë shumë të vështirë të përshtaten me ndeshjen e Tiranës, pasi disa prej tyre sapo kanë përfunduar kampionatet respektive, ndërsa të tjerët janë në mes të zhvillimit të tyre.
Ai shtoi gjithashtu se kjo ndeshje nuk vjen në momentin e duhur, pasi gjatë kësaj periudhe edhe kombëtarja U-21 është angazhuar në ndeshjet e Europianit që do të zhvillohet nga datat 5 deri në 18 qershor në Izrael.
Ndihmësi 53-vjeçar i Olsen shtoi se 4 elementë të skuadrës shpresa janë bashkuar tashmë me kombëtaren, e cila do të udhëtojë drejt Shqipërisë dhe në këndvështrimin e tij, ekipi që do të përballet me kuqezinjtë, do të jetë një miks mes lojtarëve me eksperiencë dhe prurjeve të reja.
Nga ana tjetër, ai konfirmon largimin përfundimtar të John Arne Rise, dëmtimet e mbrojtësit Jonathan Parr dhe sulmuesit më të rrezikshëm të skuadrës norvegjeze, Mostafa Abdellaue por nuk konfirmoi nëse ky i fundit do të mungojë ose jo.
Sipas asistentit norvegjez, mungesë me peshë do të jetë edhe ajo e mesfushorit me origjinë ganeze, Alex Tettey. Gjithsesi ne kemi në përbërje një grup të rinjsh që mund të na hyjnë në punë në Tiranë ku stadiumi do të jetë i tejmbushur, pasi Shqipëria po luan shanset e saj për një vend në Kupën e Botës.
Gjithsesi, pavarësisht atmosferës së nxehtë që do të gjejmë në Tiranë, ne do të luftojmë për të arritur një fitore”, tha ai. Ola By Rise hedh poshtë të gjithë emrat e publikuar ditët e fundit në mediat vendase për pasardhësin e mundshëm të Rise-s, duke theksuar se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Në fund ai shprehet se skuadra duhet të zbresë e motivuar në fushën e lojës për ti bërë ballë presionit të stadiumit Qemal Stafa.