Norvegjia ofron ekspertizë teknike në parandalimin e përmbytjeve.

Tiranë, 4 Shkurt NOA - Kryeministri Sali Berisha
takoi sot një delegacion të Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë, në përbërjen e
të cilit ishte edhe Drejtori i Seksionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë
e Jashtme të Norvegjisë, z. Nils Ragnar Kamsvag.
Kamsvag shprehu vlerësimin e lartë për
progresin e shpejtë dhe impresionues të Shqipërisë në vitet e fundit dhe
kënaqësinë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ai gjithashtu shprehu
interesin e Norvegjisë për të patur marrëdhënie aktive me Republikën e
Shqipërisë.
Po ashtu, ai vlerësoi arritjet dhe ofroi
ekspertizë teknike në fushën e burimeve energjetike dhe parandalimin e
përmbytjeve.
Kurse Berisha theksoi vullnetin e qeverisë
shqiptare në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Ai shprehu kënaqësinë për praninë e kompanive
norvegjeze me projekte të rëndësishme në energjetikë në Shqipëri, dhe inkurajoi
që interesi i biznesit norvegjez të shtrihet edhe në burimet minerare, turizëm,
e fusha të tjera me interes.
Në përfundim të takimit, palët shprehën
vendosmërinë për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në të ardhmen.
e.n/NOA