Vdes i helmuar me gaz një 24 vjeçar në banesën me qera
Krujë, 4 Shkurt NOA Jeta e një 24-vjeçari u
shua tragjikisht ndërsa flinte në banesën që kishte marrë me qera nga një
familje e cila kishte emigruar në Itali.
Dritan Bajrami, lindur në Vinjoll të Kurbinit
e banues në Borizanë të Krujës, i martuar disa kohë më parë, ka gjetur vdekjen ndërsa
jetonte i vetëm në banesën që i kishte marrë me qera shtetasit K.X. në Borizanë
të Thumanës në Krujë.
Korrespondenti i agjencisë NOA informon duke
cituar burimet policore se 24-vjeçari po flinte në banesën e marrë me qera para
pak kohësh tek shtetasi K.X i cili gjendet në Itali si emigrant dhe në rrethana
ende të paqarta është gjetur i vdekur nga banorë të zonës.
Nga hetimet e para policia thotë se shkak i
vdekjes ka qenë lënia hapur e një bombole gazi nga vetë viktima në banesën ku
ai jetonte i vetëm, ndaj hidhen dyshimet jo vetëm për ngjarje aksidentale por
edhe një vetëvrasje përmes helmimit me gaz.
Policia tha se një dosje me hetimet e para iu
kalua sot për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Krujë.
a.a.f.sh.NOA