E Shtunë, 31 Tetor 2026

Noterët maqedonas përbuzin gjuhën shqipe

Deklaratat dhe dokumentet e ndryshme të cilat janë në këtë gjuhë, noterët maqedonas dhe disa noterë shqiptarë, të cilët nuk e njohin ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, nuk i verifikojnë ato me arsyetim se vetëm gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare. Probleme të reja me noterët kanë lindur në momentin kur funksionarë të ndryshëm duhet të japin deklarata se nuk kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete.Prokuroi i lartë, Kasam Hasani ka pohuar për gazetën “Lajm” se vetë ai është ballafaquar me noterët maqedonas, të cilët nuk i kanë pranuar deklaratën në gjuhën shqipe. “Deklaratën për lustracion, të cilën duhet ta nënshkruajnë, është e përcaktuar me ligj se shqiptarët mund ta japin në gjuhën shqipe. Atë duhet ta verifikosh në noteri, por noterët maqedonas nuk e verifikojnë me arsyetimin se duhet të jetë në gjuhën maqedonase”, deklaroi Hasani. Sipas tij, noterët janë të obliguar t’i pranojnë dokumentet në gjuhën shqipe, ndërkaq është problem i noterëve maqedonas se si do ta praktikojnë këtë obligim me ligj.Edhe noteri shqiptar Mersim Pollozhani pohon se çdo dokument që është në gjuhën shqipe duhet të verifikohet nga noterët. “Ne i verifikojmë dokumentet edhe në gjuhën shqipe, pasi kjo gjuhë është zyrtare në Maqedoni. Ka amendament të posaçëm për këtë çështje”, deklaron Pollozhani. Ndërkohë, ai pohon për gazetën “Lajm” se ka pasur kërcënime nga inspektorët për verifikimin e dokumenteve në gjuhën shqipe. “Para katër viteve inspektorët mu kërcënuan pse kam pranuar dokumente në gjuhën shqipe, por unë u sqarova atyre se këtë e garanton ligji. Pastaj ka një ligj ku thuhet se çdo gjë lejohet kur nuk është e ndaluar”, thotë Pollozhani duke shtuar se, me këtë veprim, noterët maqedonas e thyejnë ligjin, duke i detyruar shqiptarët ta përkthejnë dokumentin në maqedonisht.Prokurori tjetër publik, Bardhyl Kukaj, duke sqaruar shkeljen e ligjit nga noterët, ka pohuar se do të dërgojnë edhe një ankesë deri te Oda Ekonomike e Noterëve në Maqedoni. “Ne do të ankohemi për këtë shkelje të ligjit. Noterët maqedonas janë të obliguar që ata t’i verifikojnë edhe deklaratat në gjuhën shqipe. Ka një ligj ku thuhet se noteri është i obliguar ta verifikojë çdo dokument, pasi atij nuk i intereson përmbajtja”, deklaron Kukaj.Ndryshe, noteri është shërbim publik në interes të të gjithë qytetarëve dhe ai obligohet që t’i ndihmojë qytetarët. Gjithashtu edhe pse rreth 30 për qind e qytetarëve janë shqiptarë që i shfrytëzojnë shërbimet e noterit, është shumë i vogël numri i noterëve shqiptar në Maqedoni për t’i përmbushur të gjitha nevojat e popullatës shqiptare. Shqipja nuk respektohet edhe në gjykatëGjuha shqipe nuk respektohet edhe nëpër gjykata. Shumica e qytetarëve ankohen se përkundër faktit se ata kanë të drejtë të flasin në gjuhën amtare gjatë proceseve të ndryshme gjyqësore, shumica e gjyqtarëve nuk e aplikojnë këtë vendim. Ata i detyrojnë palët e ndryshme që të flasin në maqedonisht, t’i plotësojnë dokumentet në maqedonisht, etj., me qëllim që të mos punësojnë përkthyes shqiptarë. /lajm/                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›