E Shtunë, 31 Tetor 2026

Noteri holandez: Ja lapsusi ynë në pasaportën e Lulzim Bashës

SHKRUAN: Habjon Hasani 27-04-2011 11:25

Tiranë- Noteri holandez Ritzo Holtman pranon përmes një letre për mediat shqiptare lapsusin me pasaportën e Lulzim Bashës. Holtman ka marrë përsipër gjithë ngatërresën me pasaportën e kandidatit të PD-së për Bashkinë e Tiranës, në kohën kur ky i fundit po kryente procedurat për blerjen e një apartamenti në Ultrecht të Holandës. Në letrën e tij noteri holandez sqaron se një punonjës i zyrës së tij ka hapur gabimisht faqen ku ndodhej një vizë amerikane e zotit Basha dhe jo faqen e parë të pasaportës shqiptare. “Më datë 21 dhjetor 2001, përpara meje, Ritzo Jacob Holtman, noter i të drejtës civile në Mbretërinë e Vende të Ulëta (Holandë) u paraqit për hartimin/ekzekutimin e një kontrate shit-blerje dhe transferimi pasurie të patundshme, zoti Basha, lindur më 12 qershor 1974 në Tiranë, (Shqipëri), për identitetin e te cilit u sigurova nga pasaporta shqiptare, me numër identifikimi 0160138, e dorëzuar në praninë time. Në këtë pasaportë shqiptare ishte vulosur një vizë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një punonjës i zyrës sonë noteriale, pasi fotokopjoi faqen e pasaportës në të cilën ndodhej viza amerikane (bashkëngjitur), shënoi gabimisht në kontratën e transfertës së pronës së paluajtshme se pasaporta në fjalë ishte amerikane, ç’ka ishte një shënim i pasaktë nga ana e punonjësit”,-thuhet në letrën e noterit holandez. Sipas tij, kontrata duhej të shkruante se z. Basha u identifikua nga pasaporta e tij shqiptare. Më tej, Holtman shprehet në letër se këtë gabim do ta shpallë dhe në fletoren zyrtare holandeze të regjistrimit të pasurive. “Zyra jonë noteriale do të korrigjojë këtë gabim material të shënuar në këtë kontratë dhe do ta regjistrojë korrigjimin në Agjencinë Publike të Regjistrit të Tokës së Holandës”, -përfundon letra e noterit holandez Ritzo Holtman. Letra e noterit Holtman ka mbërritur dje në Ambasadën Shqiptare në Holandë dhe më pas është përcjellë për në Tiranë. Në kopjen e pasaportës, të vënë në dispozicion nga noteri holandez, vërehet se Lulzim Basha kishte marrë vizë me afat njëvjeçar nga Ambasada e SHBA-ve në Holandë. Viza është dhënë më 20 mars 1998, me afat skadimi 20 mars 1999. Në vizën e stampuar të Ambasadës Amerikane, gjithashtu përshkruhet numri i pasaportës shqiptare, numri i cili gjendet dhe në kontratën e blerjes së shtëpisë “0160138”, por edhe në fund të kopjes së pasaportës, i njëjti numër, ndërsa pas numrit ishin renditur kodi kombëtar “ALB” dhe pas tij, vargu numerik i sigurisë së pasaportës. Po dje zyra e shtypit e shtabit elektoral e Lulzim Bashës bëri publike rregulloren e Ministrisë së Jashtme të firmosur nga ish-Ministri i Jashtëm, Paskal Milo. Kjo rregullore parashikon që funksionarët e lartë të Shtetit, përfshirë edhe Ministrin e Jashtëm mund të mbajnë më shumë se një pasaportë diplomatike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›