E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: 8 maji, dita që do t’i japë fund regjimit të Saliut

TIRANË- Ndryshe nga Kryeministri Sali Berisha, kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi mbrëmë në njësinë bashkiake numër shtatë se 8 maji do të jetë dita ku shqiptarët do t’i japin goditjen e merituar regjimit të Saliut. “Saliu flet për një shtëpi të qytetarëve, por ndërkohë përditë e më shumë qytetarëve ju çon gjithfarë mesazhesh, përmes atyre që presionojnë për të ndjellë frikën. Duke shantazhuar mësuesit, u thonë se do t’ua kontrollojnë edhe votën. Ta dinë mirë mësuesit, policët e doktorët, se vota është e fshehtë dhe e pakontrollueshme. Po ashtu, ta mësojë njëherë e mirë Saliu që kurrë më nuk do të ketë më shqiptar e shqiptare të vënë në presion”, tha Rama. Gjykimi me votë, sipas Ramës, është e vetmja mënyrë për t’i thënë ndal presioneve të përditshme, që i bëhen njerëzve me bindje politike të ndryshme. “Ka vetëm një mënyrë për të vepruar, të vëmë në veprim fuqinë magjike të demokracisë, që me votë ta gjykojë dhe ta ndëshkojë qeverinë, kur jeta e tij nuk përmirësohet e jo më siç kërcënohet këtu në këtë vend. Më 8 maj është dita për të marrë hak hapur, për një qeveri që premtoi gjithçka e përfitoi gjithçka për interesat e Saliut e oborrit të tij, ndërsa shqiptarët kanë humbur gjithçka”, - shtoi Rama. Kryesocialisti u shpreh më tej se Tirana e sotme është Tirana e çdo shqiptari të ardhur nga çdo cep i Shqipërisë, për të realizuar ëndrrën e një jete më të mirë. Ndërsa në njësinë numër dy, kryetari i PS-së dhe i Bashkisë Tiranë u shpreh se gjatë takimeve, ai po percepton gjithnjë e më shumë “dhimbjen e qytetarëve për situatën e krijuar”.

Duke u ndalur në njësi tregtare, lokale apo në takime spontane të njerëzve, në rrugët e kësaj njësie, Edi Rama ka kërkuar votën e kryeqytetasve për Këshillin Bashkiak.

Kjo votë është kërkuar nga ai për të vazhduar punët në kryeqytet dhe për të çliruar Tiranën nga ajo që ai e cilësoi si “pengmarrja e Saliut dhe Ilirit”. Kryetari Rama nënvizoi se të gjitha ushqimet bazë janë shtrenjtuar me dy shifra: “Sa më shumë flas me njerëz, sa më shumë takoj njerëz, sa më shumë dëgjoj njerëz, aq më shumë ndjej dhimbjen që ka shkuar deri në palcë. Rriten me dy shifra të gjithë burimet bazë të jetesës. Buka me dy shifra, vaji me dy shifra, sheqeri me dy shifra, nafta me dy shifra, gazi me dy shifra, shërbimi në spital me dy shifra, ilaçet me dy shifra, të gjitha çmimet e faturat të rritura me dy shifra”, - tha ai. Në bisedë me një mesoburrë, Kryetari i PS-së ndër të tjera është shprehur se është koha për një mirëmenaxhim të territorit: “Menaxhimi i territorit është një katastrofë që duhet ndalur me çdo kusht. Ndryshe, do vijë dita që ata që sot janë fëmijë, nesër s'do kenë më asnjë mundësi më, që ta zhvillojnë jetesën për shkak të kësaj batërdie. Një shfrytëzim barbar i të gjitha pasurive, një babëzi, një kusari, një matrapazllëk nga të katërt anët që po shkatërron indet e shoqërisë sonë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›