Novak Xhokovic humb durimin, por fiton ndeshjen

Novak Xhokovic e nisi vitin 2023 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar turneun e Adelaides, i 92-ti në karrierën e tij, ashtu si Rafa Nadal. Megjithatë, më shumë se fitorja 2-1, ndaj amerikanit Sebastian Korda, pas tre orë e 9 minuta lojë, lajm ka bërë shpërthimi i ashpër i ish-numrit 1 në botë, pasi humbi setin e parë. Teksa po ulej në këndin e tij, tenisti serb tepër i nxehur u ka folur ashpër në gjuhën italiane vëllait të tij Marko dhe menaxherit Edoardo Artaldi: “Dil. Dil jashtë. Po, po ti, dil”, i ka bërtitur çiftit që u larguan nga tribuna pas disa sekondash.
Diskutimet vazhduan në distancë, me trajnerin Goran Ivanisevic dhe më pas me vëllain e tij Markon, i cili u kthye në setin e dytë. Por në fund, Xhokoviç e ktheu ndeshjen duke fituar 2-1. Pas pikës së fundit, kampioni 35-vjeçar u gëzua shumë e me gishtin tregues në tëmthin e tij, ka nënvizuar forcën mendore që ushqehet gjithashtu me zemërimin, tërbimin konkurrues dhe dëshirën për të mos u dorëzuar kurrë edhe kur është në buzë të greminës.