Novela skandaloze
Në romanin modern, trekëndëshi zhirardian reduktohet në një pikë, marrëdhënia dashurore subjekt-objekt-model reduktohet si esencë safi e “dashurisë së dashurisë”, dhe prej këtej pasojnë varg esencat alkimike analoge të shit-blera në tregun e lirë: “liri për liri”, “art për art”, “kapital për kapital” dhe “për për për”-e të tjera pa fund, që kanë për fund shkatërrimin për-fundimtar. Kjo lloj dashnie shkatërrimtare dëshmohet më mirë e më bukur s’bëhet prej novelës së famshme “Vdekje në Venecie” të Tomas Manit (vënë në film nga Luchino Visconti), në të cilën përshkruhet dëshirimi i artistit dekadent Aschenbach - i rrëgjuar nga mosha e thyer dhe sforcimi për të rrokur formën sublime “art për art” dhe bukurinë e përsosur - për një të mitur që i mishëronte fizikisht këto veti (sipas disa kritikëve mishërim i alteregos narcistike të Aschenbach). Kjo novelë e shkruar në vitin 1911 është fryti më i lezetshëm i atmosferës apokaliptike dhe nihiliste që paraprinë vitin ogurzi 1914, atmosferë që është mbushur me shenja paralajmëruese për mynxyrat që ndodhën më vonë. (Lufta e ardhshme botërore profetizohet saktë në novelë nga kërcënimi i epidemisë së kolerës, mbajtur fshehur prej autoriteteve qeverisëse për të mbrojtur interesa fitimi turistik). Pikërisht në këto vite zanafillon kultura moderne (arti modern, fizika moderne, psikologjia moderne, gjuhësia moderne etj.), në kuptimin që hidhen teza të cilat vënë në dyshim kulturën tradicionale, e që mbeten akoma qendrore, themelore dhe agresivisht vepruese në kulturën bashkëkohore. Në këto vite vihet në dyshim vepra dhe krijuesi, ose arti dhe artisti përthyen mbi vete duke u vetëhulumtuar në lidhje me funksionet e tyre, pikërisht çfarë bën edhe Man (prandaj quajtur nga kritika “i fundmi i klasikëve”), vepra e të cilit trajton në mënyra të ndryshme në kohë të ndryshme dikotominë niçeane dionis-apollon, ose thënë me fjalë të tjera: dilemën e artistit modern të çapëlyer midis dëshirës për jetën normale e racionale të bakallit (borgjezit) dhe pasionit për jetën romantike e iracionale, ku rafsha mos u vrafsha të artistit bohem.
Stili i përsosur deri në parodi i novelës, përputhet për bukuri me brendinë e saj që është një parodi e gjallë, bërë kultit të formës dhe përsosmërisë që fsheh me marifet rrënimin dhe kaosin, ose, sipas simbolikës niçeane, një parodi e hidhur e fitores së Dionisit (dezintegrimit, lëshimit pa fre, dehjes, kaosit etj.) mbi Apollonin (kultit të formës, vetëpërmbajtjes, kthjelltësisë, kozmosit etj). Agonia dhe vdekja e poetit i shkon për bukuri sfondi i qytetit me bukuri të rrënuar të Venecias (përditë gjithnjë e më tepër i kërcënuar prej përmbytjes, si paralajmërim simbolik që bota rrezikon të vdesë bashkë me këtë qytet), në të cilin ngrysin ditët artistë dhe miliarderë të rrënuar nga pleqëria dhe pasionet e jetës; fjala vjen miliarderja, mecenatja, koleksionistja dhe beqarja e staxhionuar Gugenhaim dhe kryeromantiku Wagner, autori i “Muzgu i Perëndive” dhe “Tristiani dhe Izota” (vajtimi zvarritës i korit baritor tek akti i tretë është frymëzuar nga ulërima e një gondolieri në një mesnatë vere veneciane). Në këtë qytet të famshëm për karnavalet me maska dhe për pallatet të rrënuara prej kohës e lagështirës vdekjeprurëse të lagunës e që fshehin pas fasadave madhështore prej mermeri ndyrësinë e mureve me tulla të pasuvatuara, i ngrysi ditët artisti dekadent Aschenbach, i lyer e përlyer si maskë makabre prej makiazhit të bërë për t’u dukur përsëri i ri përballë miturakut të dëshiruar Tadzio. Ja dhe disa rastësi të tjera të vyera veneciane që dëshmojnë për dikotominë farfuritëse art-ekonomi: harqet gotikë në bazë të Kullave Binjake (ish-Qendra e Biznesit Botëror) imitonin harqet e arkitekturës të sheshit të Shën Markut në qendër të Venecias sipas Ruskin - i pari që vuri në dukje ndërlidhjen midis estetikës dhe ekonomisë politike dhe që u mundua t’i zhdukte nga faqja e dheut këto dy disiplina moderne - këmbanorja e Shën Markut është “ndërtesa qendrore e botës”; Venecia, qytet ireal i ndërtuar mbi ujë, dikur superfuqi detare që i dha hov të pashembullt tregtisë midis Orientit e Oksidentit dhe qarkullimit të mallit dhe monedhës nëpërmjet elementit primordial ujë (termi likuidim - financiar - prejardhjet etimologjikisht nga liquidus=lëng), ishte superfuqi botërore e qeverisur nga këshilli i dogëve si një biçim demokracie shumë pranë konceptit të sotëm për demokracinë (qeverisja e Greqisë së vjetër ishte demokraci katundi).
Novela skandaloze “Vdekje në Venecie” shkaktoi një uragan polemikash, sidomos rreth çështjes homoseksuale, mjaft në modë në kohët moderne. Dishepujt e rrethit të Stefan George, një poet i famshëm gjerman që llokoçiste bashkë artin, ezoterizmin, shoqëritë sekrete dhe pederastinë, panë në figurën e Aschenbach një parodi të mjeshtrit të tyre. Nga ana tjetër, novela është quajtur deri edhe si krejt autobiografike, meqë Man dhe gruaja e tij, Katja, rrëfejnë se pothuaj të gjitha situatat e përshkruara në novelë janë njëfarësoj të ngjashme me çfarë u ka ndodhur përgjatë një udhëtimi në Venecie për të kaluar pushimet verore, dhe që personazhet e novelës - përfshirë miturakun Tadzio dhe familjen e tij - nuk janë trillime letrare, por persona me mish e kocka të ndeshur përgjatë udhëtimit në fjalë. Për më tepër vetë Man pohon se është tunduar nga ndjenja e homoseksualitetit (biografët e tij dëshmojnë për një histori dashurie rinore me një piktor), mposhtur prej tij me shumë vështirësi dhe vuajtje. ǒështë më e keqja llomotitjet në modë për çështjen homoseksuale mbysin faktin që në këtë rast bëhet fjalë për çështjen tabu të pedofilisë, sepse Tadzio i romanit ishte 14 vjeç, ndërsa ai “prej vërteti” ishte 11 vjeç (Man me ironi ka thënë se asnjeri nuk do të pipëtinte në rast se Tadzio do të quhej Tadzia), plus dhe fakti që Man rrëfehet në një letër intime se në fillim ishte cytur për të shkruar këtë novelë prej një episodi biografik të Gëtes 74-vjeçar të dashuruar marrëzisht me një vajzë 17 vjeçare, sipas tij, “një histori e ligë, groteske, turbulluese” (për të bërë të vetin përsosmërinë stilistike të Gëtes, gjatë shkrimit të novelës lexonte çdo ditë disa faqe - gjithnjë të njëjtat - të veprës “Ngjashmëri të zgjedhura”).
Si gjithnjë është miti i lashtë që shpjegon situatën (edhe atë moderne) duke zbuluar rrënjën e së keqes: urdhri në Zanafillë për të mos ngrënë Frutin e Ndaluar (Zan. 2:17) - simbol i marrëdhënies seksuale - ishte vetëm i përkohshëm, dhe i nevojshëm për shkak të papjekurisë shpirtërore dhe fizike të Adamit dhe Evës. Çdo prind këshillon njësoj vocrrakët e tij në fillesat e jetës seksuale, dhe vetëm mbasi ata rriten jep licencën; në fakt në Zanafillë shkruhet e zezë mbi të bardhë urdhri ose më saktë bekimi: “shumohuni” (Zan. 1:28). Për këtë arsye Clemente Alessandrino mbronte tezën - në të njëjtën linjë me mjeshtër të ndryshëm të epokës të rabinëve hebraikë - që mëkati origjinal qëndronte në faktin e shuarjes së urisë së dëshirës seksuale para kohës së duhur. Si përfundimi teorik, Shejtani rezulton shkërdhyesi i bijve të Zotit, alias pedofili primordial, ndërsa si përfundim praktik rezulton se zyrtarizimi i pedofilisë (kërkuar prej të interesuarve si pjesë e tufës të së drejtave të njeriut), është fitorja zyrtare dhe përfundimtare e të keqes mbi tokë.
Për “Vdekje në Venecie” janë thënë thashethemnaja dhe shkruar shkrimnaja pa fund, Man është shprehur me keqardhje dhe deri me përbuzje se me novelën në fjalë kanë ndodhur mjaft keqkuptime dhe janë bërë manipulime të interesuara të opinionit publik. Ngjashmëritë e përgojosura midis bëmave të artistit dekadent Aschenbach dhe bëmave të Man, poetit August von Platen, muzikantit Gustav Mahler, poetit Stefan George, Wagner-it dhe Gëtes - dhe çfarëdo gjeniu tjetër të ngjashëm që mund të futet në këtë pilaf - nuk kanë pikë rëndësie në krahasim me çfarë mundohet të sjellë novela e shqyrtuar. Një thes i tërë me ese që shtjellojnë novelën në fjalë dhe përgojosin autorët e lartpërmendur - futur brenda edhe këtë që po lexoni - nuk e vlejnë leximin me nge të vetë novelës që përshkruan më bukur s’bëhet tutje e tëhunë e këtij shkrimi. Akoma më mirë nëse terjaqijtë e letrave ia kanë ngenë të lëçisin edhe novelat: “Tristani dhe Izota” dhe “Toni Kroger” (metabiografia e Manit), të cilat jo pa qëllim shpesh botohen në një vëllim të vetëm bashkë me “Vdekje në Venecie”, si dëshmi e shkëlqyer e rropatjes maniane - nga “Budenbrokët” e deri tek “Doctor Faustus” - për të ndriçuar problemin e dashnisë së dashurisë të artistit dekadent kitsch dhe “art për art”, komplementar me kapitalistin bakall kallp dhe “mall për mall”.
Filmi më monumental dhe më i shtrenjtë i kinematografisë gjermane të këtij viti është “Budenbrokët”, i ribërë për të katërtën herë përgjatë një shekulli. Gjatë xhirimit të filmit regjisori, Hajnrih Breoler, pohon se vuri re ngjashmëri të habitshme midis ndodhisë gjermane të përshkruar në roman (gjysma e dytë e shek. XIX) dhe gjendjes së sotme të krizës financiare dhe ekonomike, dhe u shpreh se në tatëpjetën e kësaj familjeje, “ka një ngjashmëri me të sotmen”, sot e mot tatëpjeta e fuqisë ekonomike dhe rënia e dinastive ngjall të njëjtat reagime dhe ankthe apokaliptike. Romani “Budenbrokët” - me të cilin Man fitoi çmimin Nobël - është historia e rrënimit progresiv të një familje (tëpkë si tribuja Man). Nëpërmjet përshkrimit të jetës të të parëlindurve të katër brezave përshkruhet dekadenca e një dinastie, gjithnjë më tepër e rafinuar dhe gjithnjë e më tepër e squllur dhe e pazota t’i bëjë ballë ndryshimeve të kohës dhe të mbrohet prej rishtarëve nepsqarë dhe agresivë, pa asnjë parim, pa din e pa iman. Trashëgimtari i fundit dekadent Hanno, i marrosur mbas muzikës “të rëndë”, vdes pa lënë fëmijë i mbyllur në tingëllima muzikore torturuese dhe shterpë, një metaforë e shuarjes së familjes dhe shoqërisë borgjeze gjermane si perëndim i perëndive që i lënë shëndenë botës në stil vagnerian. Në mes polemikave që ngjalli shfaqja e këtij filmi të prurë gjermanëve si dhuratë prej Plakut të Vitit të Ri, Kohler (Presidenti i Republikës Federale) pohon: “Për ne gjermanët ky libër mbetet gjithnjë pasqyra e qenies sonë dhe kulturës sonë”. Komplimenti është i mangët sepse, si rëndom ndodh me ngrefosjen kombëtare, librit i hiqen meritat ndërkombëtare; fjala vjen tribuja e parellijve Agnelli (Fiati italian) tashmë është budenbrok-izuar dhe aschenbach-izuar me kuç e me maç. Ku më shumë e ku më pak, në të gjitha dinastitë plutokratike moderne dukuria në fjalë ndeshet me domosdoshmërinë e një ligji të fizikës: brezi i tretë i nipërve vjen në jetë vetëm për të bërë byk paratë e gjyshërve të përkorë, në rastin më të mirë pinjollët bëhen mecenatë ose filantropë që financojnë veprimtaritë kulturore ose ndihmat humanitare, ndërkohë që ndërmarrjet i drejtojnë mercenarë profesionistë.
Nuk mund të rri pa e zbrazur edhe një të fundit që nxjerr sheshit gjysmën e hallit të muhabetit tonë; bëhet fjalë për paragrafin e famshëm të “Fedra” të Platonit, të gjendur edhe në faqet e fundit të “Vdekje në Venecie”: “Sepse duhet të kesh parasysh që ne poetët nuk mund të ndjekim shtegun e bukurisë pa u bashkuar Erosi me ne dhe pa pretenduar që të na udhëheqë; po, po, sado të jemi heronj - në mënyrën tonë - dhe luftëtarë të disiplinuar, ne jemi si gratë sepse është pasioni që na lartëson, ndërsa dëshira jonë detyrimisht mbetet dëshirë e dashurisë: është ky nepsi dhe turpi jonë. A e kupton tani që ne poetët nuk mund të jemi as të urtë dhe as me dinjitet? Që me domosdo ndjekim rrugë të gabuara, e domosdoshmërish mbetemi të shthurur dhe aventurierë të ndjenjës? Mjeshtëria e stilit tonë është mashtrim dhe marrëzi; lavdia dhe nderimi jonë, një shaka; besimi që na jep turma, qesharake sa s’ka ku të vejë më; edukimi i popullit dhe rinisë nëpërmjet artit, një ndërmarrje e rrëmbyer që duhet ndalur. E si mund ta përmbushë detyrën e edukatorit ai që e ka të lindur prirjen e natyrshme dhe të pakorrigjueshme drejt humnerës?”.
Gjysmën tjetër të muhabetit lëçistësit mund ta gjejnë në gërr-vërret mediatike rreth katastrofës financiare të ekonomisë globale, e cila ka vënë kaq tepër në dyshim figurën shik të bankierit “pare për pare”, sa që pak mungon të konsiderohet si dikur në Mesjetë fajdexhiu.