E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët, arsyet e rënies së lekut



Dobësimi i lekut përballë valutave të huaja. Efektet negative në ekonomi, sektorët që preken dhe shtrenjtimi i kredive. Ekspertët e ekonomisë propozojnë masat antikrizë që qeveria dhe Banka e Shqipërisë duhet të marrin. Të frenohet dalja e valutës jashtë kufijve

Monedha vendase, leku, po vazhdon të dobësohet dita-ditës në tregun tonë të këmbimit. Dollari dhe euro vazhdojnë të fitojnë pikë kundrejt lekut gjithnjë e më shumë. Në agjencitë e këmbimit, monedha amerikane dje blihej me 103.4 lekë dhe shitej me 103.9 lekë, ndërsa monedha e përbashkët evropiane këmbehej me 130.2 lekë në blerje dhe 130.7 lekë në shitje. Ekspertët e ekonomisë të pyetur nga “standard” sjellin argumentet e tyre për zhvlerësimin e lekut. Ata argumentojnë se kjo ka ardhur në radhë të parë nga mungesa e valutës në treg, për shkak të rënies së dërgesave nga emigrantët, si pasojë e krizës globale. Dhe faktori i dytë është vendimi i Bankës së Shqipërisë, për të ulur me 0.5 për qind normën bazë të interesit për lekun. Gjergji Filipi, drejtor i Kërkimeve pranë Institutit AGENDA, Elvin Meka, sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, si dhe Zef Preçi i qendrës ACER kanë dhënë argumentet e tyre për zhvlerësimin e lekut, si dhe kanë propozuar disa masa që qeveria dhe Banka e Shqipërisë mund të marrë, me qëllim që efektet të jenë sa më minimale në ekonomi. Ekspertët vlerësojnë se zhvlerësimi i monedhës kombëtare është me pasoja për ekonominë e vendit, pasi pritet që të shtrenjtojë importet, eksportet po ashtu janë një sektor që do të kenë vështirësi gjatë kësaj periudhe. Edhe qytetarët do ta ndjejnë peshën e zhvlerësimit të lekut, për shkak se shumë syresh kanë marrë kredi në valutë të huaj, por pagat i kanë në lekë dhe iu duhet të paguajnë më shumë për të shlyer interesat mujore.

Këtë fakt e pohon Filipi, i cili thekson se ndikimet e para të krizës po ndihen drejtpërsëdrejti në xhepat e qytetarëve shqiptarë. Sipas tij, kursimet e tyre po humbasin vlerë dita-ditës nëse ato janë ruajtur në monedhën vendase. Çmimet e produkteve të importit do të fillojnë të shtrenjtohen për sa kohë blihen me valutë, ndërsa pagat mujore në lekë humbasin njësoj vlerë, sikurse kursimet kur vjen fjala për konsumin e produkteve prej importit. Filipi propozon që qeveria të mbështesë biznesin eksportues, i cili është më i ekspozuari në këtë situatë dhe nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë duhet të hartojë me shpejtësi masa për të nxitur garancinë në sektorin bankar vendas dhe për të frenuar daljen jashtë të valutës së depozituar në vend. Ndërkaq Meka thekson se nuk duhen krijuar situata pasigurie në një kohë kur situata makroekonomike është e qëndrueshme. Ai sugjeron që klientët e bankave që kanë depozituar paratë në lekë të mos nxitojnë t’i kthejnë ato në valutë të huaj, euro apo dollarë. Preçi propozon që qeveria të miratojë në Kuvend masa antikrizë për t’iu paraprirë rreziqeve të mëvonshme. Preçi thekson se nxitja e huamarrjes si mjeti kryesor i zgjerimit të punësimit, konsiderohet si një ndër masat e vetme që prodhon efekte të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme antikrizë.

Gjergji Filipi, drejtor i Kërkimeve pranë Institutit AGENDA

Biznesi eksportues të çlirohet nga referencat e të subvencionohet

Monedha vendase, leku, ka disa kohë që po humb vlerën përballë valutave të huaja. Pse erdhi kjo situatë tani, cilët janë faktorët që zhvlerësuan lekun?

-Në kushtet e një kursi këmbimi tërësisht të liberalizuar, pra që vlera e tij përcaktohet vetëm nga përballja e kërkesës dhe ofertës për monedhat respektive në tregun vendas, ky zhvlerësim justifikohet duke analizuar prurjet dhe kërkesën për secilën monedhe. Oferta e lekut në treg u ndikua së fundmi nga ana e Bankës së Shqipërisë, e cila nëpërmjet instrumentit të politikë monetare uli me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit. E thënë ndryshe, norma bazë e interesit shpreh “çmimin” e lekut në harkun kohor të një viti. Ky “çmim” është 8 për qind më i ulët në krahasim me vlerën e tij të mëparshme mbas kësaj ndërhyrjeje (5.75 norma aktuale kur ajo paraprijëse ishte 6.25 %). Nga ana tjetër, prurjet e valutave në tregun vendas kanë rënë kryesisht si rrjedhojë e dy faktorëve. Në radhë të parë fundi i 2008-s dhe mesa duket edhe fillimi i 2009-s, kanë shënuar një bilanc thellësisht deficitar të tregtisë së jashtme. Pra, importuesit kërkojnë të blejnë më shumë valutë nga sa arrijnë të sjellin eksportuesit në vend. Dhe në radhë të dytë, dërgesat e emigrantëve në valutë kanë shënuar një rënie gjithashtu të ndjeshme, sidomos gjatë dhe pas gjysmës së dytë të vitit që lamë pas. Në kombinim, rënia e prurjeve në valutë dhe e “çmimit” të lekut në kontekstin e parashtruar, kanë sjellë situatën aktuale të zhvlerësimit të lekut.

Ju si ekspert i ekonomisë, si e shihni këtë situatë, të përkohshme, apo ajo do të zgjasë shumë? Dhe nëse zgjat, cilat janë efektet negative që do të rrjedhin prej saj?

Cilët sektorë do të preken më së shumti prej dobësimit të lekut?

-Kohëzgjatja e një situate të tillë varet nga intensiteti dhe efikasiteti i ndërhyrjeve me politika mbështetëse në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në varësi të reagimeve, shpresojmë të shpejta, në këto sektorë do të ndikohet normalizimi ose jo i vlerës së monedhës. Gjithsesi, në kushtet kur tregjet në të cilat eksportojnë bizneset shqiptare, që për më tepër përputhen edhe me vendet nga ku vjen shumica e prurjeve të emigranteve tanë, janë tanimë zyrtarisht në recesion, situata bëhet më e komplikuar. Në këto kushte, qeveria duhet të reagojë shpejtë në mbështetje të biznesit vendas eksportues, për të mos e lënë këtë situatë të degradojë edhe më thellë. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë duhet të hartojë me shpejtësi masa për të nxitur garancinë në sektorin bankar vendas dhe për të frenuar daljen jashtë të valutës së depozituar në vend. Ndonëse duket sikur i shpëtuam paq goditjes së sektorit tonë financiar nga kriza globale, kjo nuk justifikon kurrsesi apatinë e institucionit qendror bankar në vend. Në kushte të tilla krize dhe duke anticipuar fushatën elektorale, banka duhet të ushqejë me argumentim të shëndetshëm ekonomik e financiar, politikisht të pavarur, diskurset për hartimin në nivel kombëtar të masave për lehtësimin e krizës. Sa u përket sektorëve, biznesi eksportues goditet i pari. Në radhë të parë për shkak të tkurrjes së kërkesës në tregjet ku ai shet; dhe në radhë të dytë, për shkak të humbjes së avantazheve konkurruese karshi bizneseve të vendeve fqinje, për shkak të mungesës së skemave mbështetëse. Në këtë kuadër, bizneset eksportuese duhen jo vetëm lehtësuar nga barrat e paarsyeshme të tipit të “listave të referencës”, por ato duhen mbështetur drejtpërsëdrejti, pse jo, edhe nëpërmjet subvencioneve. Ndonëse jam mbështetës i liberalizmit ekonomik, këtë të fundit e sugjeroj vetëm për kushtet aktuale të krizës. Vendet fqinje po e bëjnë një gjë të tillë dhe sa më shumë kohë humbasim duke evituar të pranojmë krizën, aq më shumë e vështirësojmë riparimin e një situate të tillë.

Çfarë pasojash do të ketë zhvlerësimi i lekut mbi qytetarët shqiptarë?

-Ndikimet e para të krizës po ndjehen drejtpërsëdrejti në xhepat e qytetarëve shqiptarë. Kursimet e tyre po humbasin vlerë dita-ditës nëse ato janë ruajtur në monedhën vendase. Çmimet e produkteve të importit do të fillojnë të shtrenjtohen për sa kohë blihen me valutë, ndërsa pagat mujore në lekë humbasin njësoj vlerë sikurse kursimet kur vjen fjala për konsumin e produkteve prej importit. Ndonëse çmimet e produkteve të importuara kanë rënë në vendet të cilat janë prekur tashmë prej krizës, në tregun vendas ato vijnë artificialisht më të shtrenjta për shkak të listave të referencës që zbatohen nga doganat shqiptare.

A do të ishte zgjidhje nëse Banka e Shqipërisë do të ndërhynte duke hedhur euro në treg, për të zbutur këtë situatë?

-Nga sa folëm më lart, kuptohet që problemi i kursit të këmbimit nuk është i lidhur me ndonjë luhatje të përkohshme të këtij kursi, por me strukturën ekonomike që e kushtëzon atë. Në të tilla raste ndërhyrjet kompensuese, të cilat mund të jenë vetëm afatshkurtra, nuk mund të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme.

Elvin Meka, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave

“Mos të krijojmë situata pasigurie, qytetarët mos të konvertojnë lekët në valutë”

Monedha vendase, leku, ka disa kohë që po humb vlerën përballë valutave të huaja. Pse erdhi kjo situatë tani, cilët janë faktorët që zhvlerësuan lekun?

-Kjo situatë nuk ka ardhur në mënyrë të rrufeshme, por zhvlerësimi ka qenë gradual që para fillimit e festave të fundvitit 2008. Ajo që konstatohet është një zhvlerësim i lekut në raport me euron, por që gjithsesi nuk mund të pohohet që është niveli më i ulët historik i këmbimit të lekut me euron, pasi 4-5 vjet të shkuara euro këmbehej me mbi 134 lekë. Këtu mund të kenë ndikuar shumë faktorë si: --Kriza aktuale globale financiare dhe ekonomike, që ka dhënë patjetër një efekt psikologjik të pashmangshëm (si në të gjitha vendet e Evropës Juglindore). Qytetarët mund të kenë dalë në treg dhe janë pozicionuar në euro, gjë që mund të rritur kërkesën për euro. -Dërgesat e emigrantëve ka gjasa të kenë pësuar ulje, duke kufizuar kështu fluksin hyrës të euros. -Rënia e eksporteve në përgjithësi, që kufizon akoma dhe më shumë fluksin fizik të eurove në treg. - Kërkesat e mundshme të bizneseve për euro, me qëllim riatdhesimin e pjesshëm të fitimeve dhe fondeve tek shoqëritë mëmë etj.

Pasojat që do të japë zhvlerësimi i lekut në ekonominë shqiptare?

-Natyrisht, si ekonomi importuese neto, efekti i parë do të jetë tek pasqyrimi i këtij zhvlerësimi tek çmimet e mallrave të konsumit, të cilët mund të rriten në të ardhmen e afërt. Natyrisht kjo ndihmon eksportet, por gjithsesi kjo nuk mund të kompensojë fuqishëm rënien e eksporteve.

Si mund të përballohet kjo situatë nga shteti dhe nga klientët e bankave?

-Ajo çka duhet evituar është krijimi i situatave të paqena të pasigurisë. Është e rëndësishme që njerëzit të mos rendin pa arsye dhe shkak drejt një valute të caktuar dhe të konvertojnë pa shkak paratë dhe kursimet e tyre në lekë, kur parametrat aktualë makroekonomikë të ekonomisë shqiptare nuk tregojnë përkeqësim. Bizneset mund të ndjekin rrjedhën normale të aktivitetit të tyre, duke shmangur pozicionimet e panevojshme në valutë të huaj, pasi kjo ul vlerën e fondeve të tyre reale në lekë. Është po e njëjta këshillë që mund t’u jepet dhe qytetarëve të thjeshtë. Nëse të gjithë do të vrapojnë dhe konvertojnë lekët në euro, thjesht sepse kështu bëri fqinji apo i njohuri im, atëherë nuk bëjmë gjë tjetër veçse kontribuojmë në uljen reale të vlerës së parave që i kemi mbledhur me mund dhe punë në Shqipëri (të paguar me lekë). Qeveria mbetet e kufizuar në veprimet e saj në drejtim të mbrojtjes së vlerës së monedhës vendase, për vetë faktin se ekonomia e Shqipërisë është një ekonomi liberale që nuk bën të detyrueshme zhvillimin e një biznesi apo mbajtjen e regjistrave kontabël vetëm në monedhë vendase.

A do të ishte zgjidhje nëse Banka e Shqipërisë do të ndërhynte duke hedhur euro në treg, për të zbutur këtë situatë?

-Kjo është detyrë dhe atribut ekskluziv i Bankës së Shqipërisë, e cila ka të gjithë autoritetin dhe kujdesin për të gjykuar dhe vendosur se kur dhe sa do të duhet të ndërhyhet në treg. Duhet të jetë e qartë se ndërhyrja në tregun valutor nga ana e Bankës Qendrore nuk është qëllim në vetvete dhe një mekanizëm magjik, por gjithnjë synon evitimin dhe zbutjen e goditjeve apo situatave “shock” që mund të krijohen. Eksperienca e Federatës Ruse po tregon se ndërhyrjet e vazhdueshme dhe energjike me rezerva valutore nuk është shumë e efektshme për të ruajtur në një nivel të caktuar kursin e këmbimit të monedhës vendase. Këto ndërhyje duhen kombinuar gjithnjë edhe me masa të tjera dhe instrumente efektive të politikës monetare. Jam i bindur se në situatën aktuale, me të gjithë informacionin ekonomik e financiar që Banka e Shqipërisë disponon, ka kompetencën dhe autoritetin e duhur për të ndërhyrë në mënyrë profesionale, në ato momente që ajo i gjykon të vlefshme për të ndërmarrë masat respektive.

Zef Preçi, (ACER) ish-kryetari i Autoritet të Konkurrencës

Interesat e kredive, bankat situatë oligopoliste si tregu i karburanteve

Monedha vendase ka kohë që po humb terren në treg përballë valutave të huaja. Pse kjo situatë për lekun? Ju duket e përkohshme kjo gjendje, apo do të thellohet më shumë dhe nëse po, cili mendohet se do të jetë efekti në ekonomi?

-Zhvillimet në sistemin bankar të vendit tonë gjatë dy-tre muajve të fundit dhe në ekonominë në përgjithësi qysh nga gjysma e vitit 2008 dëshmojnë se efektet e krizës botërore po mbarten gjithnjë e më shumë në ekonominë tonë kombëtare. Kështu qeveria dhe Banka e Shqipërisë, edhe pse nuk e pranojnë ende zyrtarisht se ekonomia po kërcënohet nga një gjendje paqëndrueshmërie, d.m.th., mund të përkufizohet “me prognozë të rezervuar” për shkak se kriza nuk ka arritur ende kulmin e vet, kanë filluar të marrin disa masa që duhen inkurajuar dhe thelluar më tej. Të tilla janë masat për nxitjen e eksporteve, vendimet e Bankës së Shqipërisë për uljen e normave të interesit, për rritjen e shumës së garantimit të depozitave, për kufizimin e transferimit jashtë vendit të valutave të huaja, hedhja në treg e një sasie parash (euro) nga rezerva valutore e vendit për të frenuar zhvlerësimin e menjëhershëm të monedhës sonë kombëtare - lekut (jo e konfirmuar zyrtarisht) etj. Në morinë e shenjave të krizës, pakësimi me më shumë se ¼ brenda gjashtë muajve i prurjeve monetare të emigracionit dhe zhvlerësimi 10-15% i lekut në 2-3 javët e fundit mbeten padyshim problemet më serioze ekonomike të vendit. Madje, mund të thuhet se nëse pakësimi i prurjeve të emigracionit ishte diçka që gradualisht do të ndodhte edhe pa krizën e rëndë që po përjeton ekonomia botërore, zhvlerësimi i lekut nxori në dukje jo vetëm qëndrimin euforik dhe propagandistik të qeverisë (që e konsideron një dukuri të përkohshme dhe të dominuar nga faktorë të rastit), por edhe faktin se në duart e saj nuk ndodhet ende një plan serioz antikrizë (edhe pse është folur për një të tillë).

Si mund të përballohet nga shteti dhe klientët e bankave kjo situatë?

-Kriza financiare dhe ekonomike botërore, si dhe rënia e besimit të qytetarëve dhe biznesit shqiptar ndaj bankave (e konfirmuar ditët e fundit edhe nga Guvernatori Fullani), mendoj se duhet të nxisë qëndrime të bashkërenduara të Kuvendit, qeverisë dhe të vetë sistemit bankar. Për një qëndrim më institucional dhe më të koordinuar në këtë periudhë, kur kriza është në zhvillimin e saj dhe nuk dihet se cili do të jetë "piku" i saj, mendoj se qeveria duhet të ndërmarrë hapat e duhura institucionale për një marrëveshje të re specifike anti-krizë me Fondin Monetar Ndërkombëtar për dy-tre vitet e ardhshme (aq sa gjykohet se do të vazhdojë edhe kriza që ende mendohet se nuk ka arritur pikun e saj në ekonomitë e vendeve të BE-së). Kjo do t'i jepte mundësi edhe Bankës së Shqipërisë të luante realisht dhe në mënyrë më të sigurt dhe "më të mbrojtur" rolin e saj

institucional në këtë kohë krize. Nga ana tjetër, mendoj se ky institucion (Banka e Shqipërisë), duhet të vazhdoje uljen e normave të interesit për huatë bankare në përputhje me zhvillimet në vendet e Eurozonës. Domethënë duhet ecur me shpejt në këtë drejtim, për të penguar rritjen e menjëhershme të peshës së kredive bankare "të pakthyera" apo "në rrezik moskthimi". Po kështu, duke marrë parasysh specifikat dhe shtrirjen e sektorit informal financiar të vendit tonë, mendoj se duhet të forcohet më tej mbikëqyrja e veprimtarisë së bankave tregtare, si për vlerësimin korrekt të gjendjes së huamarrësve të tyre, ashtu edhe në drejtim të nxjerrjes së parave jashtë vendit. Kjo do të parandalonte "surprizat" dhe rreziqet e zhvillimeve negative në sistemin bankar të vendeve prej nga vijnë bankat tregtare që operojnë në Shqipëri.

Çfarë duhet të bëjnë më tej qeveria dhe bankat në këto kushte?

-Së pari, mendoj se qeveria duhet të nxitojë të hartojë dhe të paraqesë në Kuvendin e Shqipërisë një plan kombëtar antikrizë. Pjesë të këtij plani mund dhe duhet të jetë rishikimi i investimeve vjetore, me synim përqendrimin e mjeteve monetare të buxhetit në ato degë dhe sektorë që ruajnë punësimin dhe nxitin zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë; nxitja e eksporteve, nxitja e punësimit etj. Nxitimi nga ana e qeverisë për të marrë hua tregtare në bankat e huaja tregtare, kur dihet se një pjesë e mirë e këtyre parave do të investohen në infrastrukturë, por që edhe do të largohen përsëri jashtë vendit në formën e fitimeve për firmat e huaja etj., si dhe rritja e normave të interesit për bonot e thesarit, nuk mendoj se janë të mjaftueshme për të përballuar një krizë kaq të rëndë si kjo e sotmja. Së dyti, sipas mendimit tim, qeveria shqiptare duhet të kërkojë mbështetje financiare nga FMN dhe Bashkimi Evropian për përballimin e krizës aktuale në kushtet kur rënia ekonomike tashmë është “certifikuar” dhe nga qeveritë e vendeve perëndimore, duke përfshirë edhe vendet anëtare të G7-ës (vendet më të zhvilluara të botës).

Së treti, përveç pozicionimit të kuptueshëm të qeverisë “në krah” të bankave tregtare dhe sistemit bankar në tërësi, zhvlerësimi i lekut mendoj se e “detyron” qeverinë dhe Bankën e Shqipërisë të veprojnë me shpejtësi edhe “në krahun tjetër”, domethënë në anën e debitorëve të bankave. Kështu, janë të gjitha kushtet që të ndërmerren prej tyre ndryshimet ligjore përkatëse, që “mbrojnë” këta të fundit dhe frenojnë përkeqësimin e mëtejshëm të situatës, si dhe nxitin huamarrjen në ekonomi. Në të gjitha studimet e 2-3 dekadave të fundit mbi rrugët e përballimit të krizave të ngjashme, nxitja e huamarrjes, si mjeti kryesor i zgjerimit të punësimit konsiderohet si një ndër masat e vetme që prodhon efekte të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme antikrizë. Të tilla janë: detyrimi i bankave për të zgjatur afatin e kthimit të huave të marra në valutë të huaj; lejimi i konvertimit të huave bankare nga valuta e huaj në lekë shqiptare pa kosto shtesë, në çdo kohë që debitorët e bankave e konsiderojnë të arsyeshme; negocimi i madhësisë së kësteve të huave që qytetarë të ndryshëm kanë garantuar me pagën e tyre deri edhe pezullimin e përkohshëm të kthimit për këta të fundit kur humbasin vendin e punës etj.

Ruajtja thuajse e pandryshuar e niveleve të mëparshme të normave të interesit për kreditë tregon për shfrytëzim të rrethanave nga ana e bankave tregtare në dëm të debitorëve të tyre, për dobësi të sistemit të mbikëqyrjes nga ana e Bankës së Shqipërisë, por edhe për mungesë të konkurrencës ndërmjet bankave tregtare dhe për qëndrim të sistemit tonë bankar deri diku jashtë trendeve të vendeve të Eurozonës. Madje, nivelet më të larta të interesave për kreditë në krahasim me vendet e Eurozonës dëshmojnë edhe njëlloj situate oligopolistike në tregun bankar shqiptar, mjaft të ngjashëm me tregun e karburanteve. Domethënë kemi të bëjmë me një situatë në të cilën ndryshimet që ndodhin në ekonomitë evropiane përcillen në ekonominë tonë vetëm në njërën anë – në rritje pak ose aspak dhe thuajse asnjëherë në kahun e kundërt. Kjo çështje duhet të jetë edhe një objekt analizash e debatesh edhe nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, nga Autoriteti i Konkurrencës etj. Në këtë mënyrë, institucionet shtetërore mund të arrijnë në një trajtim të balancuar të bankave dhe të debitorëve të tyre dhe disa standarde evropiane do të mund të adoptoheshin gjithashtu. Në kushtet e sotme janë të gjithë mundësitë për të monitoruar me kujdes zhvillimet, për t’u paraprirë zhvillimeve negative dhe për të minimizuar efektet mbi ekonominë në tërësi. Se në fund të fundit, të gjithë duhet të kuptojmë se kriza aktuale (se cilës nuk i dihet fundi) nuk rrezikon vetëm debitorët – huamarrësit privatë apo biznese qofshin ata. Kriza rrezikon njëkohësisht edhe vetë sistemin bankar dhe ekonominë në tërësi, prandaj ndërhyrjet rregullatore të sugjeruara më sipër mund të jenë pjesë e një plani shpëtimi të ekonomisë sonë kombëtare nga efektet negative dhe të paparashikueshme të saj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›