SHBA pohon qartë: Pas një muaji, Shqipëria në NATO
Withers: Vendim, me të drejta e privilegje të barabarta
“Shqipëria, rol pozitiv në rrugën integruese”
SHBA-të përmes ambasadorit të tyre në Tiranë, John Withers, flasin qartë: Shqipëria pas një muaji është anëtare e NATO-s. Në një tryezë të përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës, ambasadori Withers nuk lë hije dyshimi për anëtarësimin e vendit tonë në Aleancën e Veriut, duke theksuar faktin se vendimi për Shqipërinë do të jetë me të drejta dhe privilegje të barabarta. Në një kohë kur nga Samiti i NATO-s na ndajnë dhe 5 javë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës japin garancinë e plotë se Shqipëria do të bëhet pjesë e saj me të drejta dhe privilegje të barabarta. Deklarata e ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers, synon të japë pikërisht një garanci të fortë në një kohë kur procesi është vënë në pikëpyetje për shkak të kundërshtimeve që po vijnë nga Sllovenia, për anëtarësimin e Kroacisë. Në një situatë të tillë, ambasadori Withers i ndodhur në një tryezë të përbashkët mes pozitës dhe opozitës, përmend dy herë: “Në më pak se dy muaj, Shqipëria do të jetë pjesë e NATO-s me të drejta dhe privilegje të barabarta”. Po e përsëris edhe një herë, sepse tingëllon bukur, me të drejta dhe privilegje të barabarta”.
Deklarata e ambasadorit amerikan në Tiranë vjen pak më shumë se një muaj përpara kohës kur pritet të mbahet dhe Samiti i Strasburgut, kur Shqipëria dhe Kroacia priten të bëhen anëtare të Aleancës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë një takimi në Poloni me ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të aleancës, ka shprehur shqetësimin për Kroacinë pas përpjekjeve në Slloveni për të ndaluar këtë proces. Dy ditë më parë, në samitin joformal të ministrave të Mbrojtjes në Krakov të Polonisë, ku ishte i pranishëm edhe ministri shqiptar, Gazmend Oketa, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hoop Shefer është shprehur i shqetësuar, veçanërisht për Kroacinë, kundër së cilës një parti e vogël nacionaliste sllovene ka marre 5 javë kohë për të mbledhur 40 mijë firma për referendum. Por megjithëse çështja nuk ka lidhje direkte me Shqipërinë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u tha gazetarëve në Krakov se “zhvillimet në Slloveni, me të drejtë ngrenë shqetësimin se në Samitin e prillit në Strasburg dhe Kel, mund të mos krijohen kushtet e duhura për të mirëpritur Shqipërinë dhe Kroacinë në familjen e NATO-s”. Por pavarësisht shqetësimeve të lindura në lidershipin e NATO-s për anëtarësimet e reja në samitin e prillit për shkak të Kroacisë, ambasadori amerikan në Tiranë, Withers deklaroi dje në mënyrë të qartë dhe të padiskutueshme se Shqipëria do të bëhet pjesë e Aleancës. Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, vlerësoi rolin pozitiv të Shqipërisë në këtë rrugë drejt integrimit të saj me të drejta të barabarta, si dhe theksoi gjithashtu se rruga drejt institucioneve të pavarura kërkon ende kohë.
Basha: As pas NATO-s, nuk ndalim reformat
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, i bën të qartë SHBA-së se edhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Shqipëria nuk do të ndalë reformat në vend. Basha mori pjesë dje në konferencën e organizuar për “Shqipërinë në NATO”, në të cilën foli për angazhimet e qeverisë që rrjedhin nga anëtarësimi në strukturën atlantike të Veriut. “Me anëtarësimin në NATO, nuk do të shterojë procesi i reformave, përkundrazi, qeveria është e bindur të vazhdojë rrugën e ndërmarrë deri tani”, - u shpreh ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Në fjalën e tij, z. Basha u ndal në mënyrë të veçantë në angazhimet që rrjedhin si pasojë e detyrimeve që duhet të përmbushë qeveria shqiptare për të qenë pjesë e këtyre strukturave euroatlantike. Konferenca e organizuar dje nga Institutit i Studimeve Ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë, opozitës dhe trupit diplomatik në vend, vjen pak ditë pasi 26 vende të NATO-s mbyllën procesin e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë. Pas përfundimit të këtij procesi, pritet që në samitin e muajit prill të krerëve të vendeve të NATO-s, Shqipëria dhe Kroacia të bëhen anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Madhe të Atlantikut të Veriut.