Nuk befasohen nga refuzimi i Serbisë

Autoritetet serbe kanë marrë vendim që të mos nënshkruajnë marrëveshjen e propozuar me palën kosovare, ata dëshirojnë që të vazhdojnë me negociata.
Ky qëndrim i Serbisë nuk ishte befasi për lidershipin kosovar, ngase sipas tyre, Beogradi, të njëjtën sjellje e ka pasur në vazhdimësi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se nuk është tragjike që Serbia nuk e pranon marrëveshjen pasi që pala kosovare dhe ajo serbe asnjëherë nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje, as në Rambuje dhe as në Vjenë.
E rëndësishme, sipas tij, është që Kosova të punojë në sundimin e ligjit.
Gjithashtu edhe grupet opozitare kanë dhënë pothuajse të njëjtin qëndrim.
“Ne kemi një praktik të bisedimeve me palën serbe. Me Beogradin edhe kur jemi marr vesh s’jemi marr vesh, Fatkeqësia është se ne asnjëherë nuk jemi marr vesh me politiken e Beogradit, as në konferencën e Rambujes, as pas bisedimeve të Vjenës, dhe natyrisht nuk kam pritë që do dal diçka më mirë as në këto bisedime. Megjithatë, ne sis palë kosovare nuk kemi bërë asgjë keq që kemi treguar gatishmërinë për të biseduar, dhe për ti normalizuar raportet”, tha Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Edhe nëse, nuk arrihet marrëveshje me Serbinë, për veriun e Kosovës, Krasniqi thotë se Kosova ka për obligim të shtrijë autoritetin e sajë ligjor në të gjithë vendin.
Shefi grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, thotë se qëndrimi i Serbisë nuk është risi. Grabovci pret një angazhim më të madh të Bashkësisë Ndërkombëtare.
“Tash , mendoj se angazhim më i madhe do t'i duhej Bashkësisë ndërkombëtare, që të angazhohet më shumë për të shkëputur Serbinë nga ky mentalitet”, tha shefi grupit parlamentar të PDK-së.
AAK-ja mendon se pala kosovare deri më tani është sjellë korrektë me respektimin e të drejtave të komunitetit serbë në Kosovë. Shefi i grupit parlamentarë të AAK-së, Ardian Gjini thotë se nuk ka asgjë për tu tmerruar nga qëndrimi i Serbisë për refuzim.
“Serbia njëjtë është sjellë çdo herë. Qëndrim i Kosovës për të drejtat e minoritetit serb në Kosovë ka qenë korrekt, deri më tash”.
E, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka përsëritur se për LDK-në është e rëndësishme që në procesin e bisedimeve, pala kosovare e involvuar në dialog t'i përmbahet ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Sipas tij nuk është më rëndësi se çka thotë Serbia. “Është çështje e Beogradit të marrë vendime për orientim e vetë evropian. Ne do të të mbështesim çdo herë dialogun, deri sa ai është në përputhje më kushtetutën”, tha Beqiri.
Ndryshe, Kuvendi në këtë javë ka vendosur që të mbajë tri seanca. Sot, do të mbahet seancë solemne për luftën e Koshares. Të mërkurën do të mbahet vazhdimi i seancës së kaluar, ndërsa të enjtën do të mbahet seancë lidhur me Debatin parlamentar për statusin e pazgjidhur të punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1900 deri në vitin shkollor 1999, sipas kërkesë së grupit parlamentar të LDK-së. /M.B/Indeksonline/