E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk di të tradhtoj!”

Autori i Lajmit: red.
Emigrantët nën ritmin e Vesës

E ka kaluar dimrin me këngë. Në mes të shkurtit, Vesa Luma udhëtoi drejt Amerikës në një turne ku e pritën pesë koncerte, që përkuan me datën e pavarësisë së Kosovës, por edhe me festën e Shën Valentinit. Së fundi, ka bërë dhe një këngë ritmike, por titulli i saj është lënë surprizë. “Është një këngë tamam për mërgimtarët”,- thotë Vesa, edhe pse është “fanatike” në zbulimin e detajeve. E shoqërueshme, lozonjare dhe sigurisht pa ia mohuar pamjen seksi, Vesa i është bashkuar një grupi në Facebook, në të cilin thuhet: "Lidhna, se mun i baj 10.000 veta që e urrejnë Big Brother Albania". Një antireklamë kjo për të treguar se nuk është adhuruese e njërit prej emisioneve më të shikuara në të gjithë trojet shqiptare.
Vesa në top-listën e medieve
Muajin e fundit në të gjitha top listat e medieve shqiptare është e pranishme Vesa Luma. Sigurisht, si këngëtare, por ka edhe një informacion tjetër. Për ata që nuk e dinë, mësojeni: Vesa Luma për disa vjet ka qenë gazetare pranë Radiotelevizionit të Kosovës. Po themi ishte, pasi nuk është më. Ajo është larguar nga RTK-ja për shkak se dëshiron të jetë më e përkushtuar në karrierën muzikore. “Është e vërtetë që jam larguar nga RTK-ja, por edhe në të ardhmen do të bashkëpunoj me këtë televizion, por si bashkëpunëtore e jashtme”,- thotë Vesa. Ishte vendim i vështirë, por i domosdoshëm për momentin, pasi, siç e shpjegon vetë Vesa, gazetaria të merr shumë kohë dhe, për më tepër, nuk është aq fitimprurëse sa muzika. “Unë e dua muzikën, ajo më shoqëron në çdo çast të jetës sime, por edhe gazetarinë e kam në shpirt",- shprehet Vesa Luma.
Vesa nëpër këngë
Vesa Luma njihet si një ndër këngëtaret më të suksesshme kosovare. Ajo u zbulua si talente në spektaklin “Ethet e së premtes”, ku arriti deri në finale. Ka bërë disa këngë, disa prej të cilave janë kthyer në hite dhe vazhdon të punojë pa u ndalur. Ajo ka marrë pjesë në disa festivale, ku është nderuar me çmime shumë të rëndësishme. Tashmë vazhdon me performance. Biondina ka preferuar edhe bashkëpunimet. Për pak kohë ka realizuar dy të tilla. I fundit është me Turin e “Produkt 28. Ndërkohë më parë e kemi parë në krahët e djemve të “Etno Engjujve” me një këngë po ashtu të suksesshme.
Jeta private
Për profesionet e saj flet me dëshirë, për jetën private flet pak sa me përtesë, apo edhe nuk preferon të flasë. Thotë se atë e ruan për vete. "Unë e ruaj jetën time private për vete, e ruaj nga vrazhdësia e shou biznesit, sepse nëse atë e bëj publike atëherë ajo më nuk është private",- sqaron ajo. Vesa, thotë se fansat gjithmonë janë të interesuar të mësojnë më shumë edhe për jetën private, por shton: “Kur kam folur për jetën private shumë shpesh e kanë keqpërdorur dhe jam ndier keq për këtë fakt. Megjithatë, nuk e mohoj, që jam e dashuruar seriozisht”.

Është amvisë e mirë, edhe pse në fazën fillestare. Sigurisht, ka dëshirë që t i gjejë gjërat gati, nga dora e mamit, sidomos peshkun. Vesa Luma është shumë e lidhur me familjen, por edhe nacionaliste “e flaktë”. Jo më kot thotë që mesazhi më i bukur që ka marrë deri më sot në celular është: “Ti je krenaria dhe shembulli më i mirë i popullit tonë”. Ky është një mesazh i dërguar nga një shumë i rëndësishëm në Kosovë, por më poshtë po japim të tjera gjëra të rëndësishme në jetën e Vesa Lumës.
Ka mbi dy vjet që frekuentohet me vëllanë e aktores së njohur Arta Dobroshi. Që në fillim, ajo e ka deklaruar hapur këtë lidhje ndryshe nga koleget e saj, të cilat bëjnë ç është e mundur, që të mos ekspozohen në publik. Të tjerat mësojini më poshtë…
Shqipëri apo Kosovë? Ku e keni tregun e punës më të mirë?
Unë punoj njëlloj si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, dhe tashmë ka vite që unë kaloj shumicën e kohës në Shqipëri. Më duket njëlloj si në Kosovë, ashtu edhe kur jam në Shqipëri. Nëse flasim për festivale, të cilat mendoj se ndiqen më shumë se klipet, atëherë patjetër se do të jem pse jo, por pas një pauze shumë të shkurtër.
Koha e lirë e Vesës kalon me…
“Kam një oborr apo kopsht si i thoni ju në Shqipëri, që është në shtëpinë time. Ai është një ambient i mrekullueshëm dhe shumë i freskët. Aty bashkë me njerëzit, që i dua e kaloj kohën e lirë.
Mund të them që familja është çelësi i suksesit tim. Pa ndihmën e tyre unë nuk do të isha këtu ku jam. Kam nënën dhe motrat të cilat më ndihmojnë në çdo aspekt të jetës, jo vetëm në karrierë”.
Akoma me të shtëpisë? S po mendon për martesë?
“Çdo gjë vjen natyrshëm. Bashkëjetesa dhe martesa janë të njëjta, nëse dy njerëz duhen në të vërtetë. Mendoj që një lidhjeje dashurie të funksionojë, duhet të ketë respektin për njeri-tjetrin dhe normalisht dashurinë reciproke”.
Po sikur t ju tradhtojë?
Nuk e kam provuar e as nuk kam tradhtuar ndonjëherë. Por nuk e di çfarë do të bëja.
Mos thuaj që nuk je xheloze…
Nuk ka vend për xhelozi në lidhjen tonë. Në asnjë mënyrë, sepse nga fillimi është ndërtuar ashtu, që të mos ketë vend për xhelozi.
Mjafton bukuria apo zgjuarsia për të arritur sukses?
Patjetër që duhet të jenë të dyja. Në momente të caktuara të duket se vetëm njëra mjafton, por me kalimin e kohës besoj se e kuptojmë, që nëse duam të kemi një karrierë të gjatë atëherë na duhen të dyja së bashku.
Po veshja sa ndikon?
Kam filluar të shpenzoj më shumë se ç më duhet për veshje, prandaj kam filluar të brengosem për këtë fakt. Megjithatë, është pjesë e shoubizit, prandaj përveç dëshirës sime për t u veshur sa më bukur, njëkohësisht e ndiej edhe detyrim të shpenzoj për veshje. Si veshje më të përshtatshme kam atletet, xhinse, gjëra të rehatshme. Ndërsa për sa u përket ngjyrave, nga e kuqja kam kaluar në ngjyrën e kaltër.
Si jeni me kujtesën, keni ndonjë moment që ia vlen për ta mbajtur mend?
Në karrierën time artistike momenti më i bukur ka qenë paraqitja ime e parë para publikut në “Akordet e Kosovës”, kur isha fëmijë në vitet 90, por edhe shumë momente të tjera gjatë spektaklit të “Etheve”, që u zhvillua në Shqipëri, po ashtu momente të bukura kam nga pjesëmarrja nëpër festivale, por dhe shumë e shumë aktivitete të tjera. Jashtë profesionit çdo pjesë të jetës mundohem ta kaloj si një moment të bukur.
Bën muzikë, merresh me muzikë. Rryma juaj e preferuar?
Çdo lloj muzike që nuk ma vret veshin dhe që kënaqem duke e dëgjuar. Ka momente kur jam në disponim të dëgjoj muzikën e lehtë, ka momente kur më nevojitet muzikë energjike “techno” apo diçka e tillë. Por kur dal në mbrëmje me shoqërinë preferoj muzikën “hip-hop”.

Ky lajm është publikuar: 26/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›