E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk do e pranojmë rezultatin e zgjedhjeve të diktuar nga Rama

Partia Demokratike nëpërmjet deputetit Gerti Bogdani deklaroi se numërimi i kutive të votimit në qarkun e Lezhës dhe rinumërimi katër ditë më parë para kamerave i votave të hedhura në dhjetë kuti votimi nxori në dritën e diellit fytyrën e fitores së Edi Ramës.

Ai tha se kryesocialisti me bandën krimit, drogës dhe trafiqeve kishte vjedhur me terror dhe para droge 704 vota, duke përmbysur me vota të vjedhura rezultatin në qarkun e Lezhës, shkruan noa.

“Por numërimi dje i votave në qendrat tjera të votimit solli dëshmi të tjera të krimit elektoral monstruoz të Edi Ramës dhe bandës së tij të vrasjeve, drogës e parave të pista në këtë qark. Kështu nga hapja kutisë dhe rinumërimi i votave në qendrën e votim 754 shqyrtimi i tabelave dhe rinumërimi i fletëve të votimit tregojnë se PS në tabela kishte 198 vota kurse në fakt kishte vetëm 82 vota pra kishte vjedhur 116 vota. Po në këtë kuti, rezultoi se PD në tabelë kishte 128 vota kurse në fakt ajo kishte 196 vota, pra i ishin vjedhur edhe 64 vota; duke rritur kështu në 180 vota të vjedhura në këtë qendër votimi nga Rama e banda e tij e krimit. Kurse në qendrën e votimit 757 rezultoi se PS në tabelë kishte 144 vota kurse në fakt kjo kishte vetëm 96 vota, pra kishte vjedhur 48 vota. Në total pas rinumërimit të votave në të gjitha kutitë e të gjitha qendrave të zonës elektorale të KZAZ nr 13, të Qarkut Lezhë, rezulton se Edi Rama dhe banda e tij e krimit dhe drogës ka vjedhur me dhunë dhe terror dhe para të pista mbi 1250 vota”, deklaroi Bogdani.

Më tej ai shtoi se këto prova dhe dëshmi faktojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se PS me bandat e krimit përsëritën në Shqipëri zgjedhjet e 2001.

Sipas tij Edi Rama dhe mediat e kontrolluara prej tij, nga njëra anë thonë që nuk ka ndodhur asnjë krim elektoral në qarkun e Lezhës dhe nga ana tjetër bllokojnë transparencën e rishikimit të votave dhe rezultatit të manipuluar prej tij.

“I damkosur para qytetarëve shqiptarë dhe komunitetit ndërkombëtar nga kjo vjedhje e votës së qytetarëve shqiptarë Edi Rama dhe banda e tij e vrasësve, trafikantëve të drogës dhe prostitucionit po përdorin të gjitha format nga kërcënimi me hanxharët e krimit tek oferta marramendëse me para të pista për bllokimin e transparencës dhe rinumërimit të votave”, tha ndër të tjera deputeti demokrat.

Në këtë linjë PD i kërkoi Edi Ramës që të ndalojë menjëherë çdo forme presioni, çdo përpjekje për të bllokuar me çdo mjet rinumërimin e votave dhe fshehur kështu me çdo kusht krimin e tij monstruoz të vjedhjes së votave.

Bodani theksoi se PD i deklaron shqiptarëve dhe miqve dhe partnerëve të Shqipërisë se nuk do pranojë kurrë pushtetin e dale nga këto zgjedhje as dhe rezultatin e këtyre zgjedhjeve të diktuar nga Edi Rama me vrasës serialë, trafikantë droge dhe para të pista pa transaparencën e plotë të votës së qytetarëve shqiptarë dhe për këtë përgjegjësia do bjerë vetëm dhe personalisht mbi Edi Ramën./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›