Tenton të djegë gruan shtatzënë!

Xhelozia mes një çifti durrsak për pak do të përfundonte me një fund tragjik. Bashkëshorti 37- vjeçar, pasi dhunoi fizikisht gruan e tij shtatzënë, e spërkati me benzinë banesën nga brenda dhe tentoi t’i vërë zjarrin.Ngjarja ndodhi dje në Lagjen Nr. 9 të Durrësit, ku në banesë ndodhej edhe fëmija i parë i këtij çifti i moshës 15-muajshe. Sipas Policisë, Asllan Hoxha për arsye xhelozie ka ushtruar dhunë sistematike kundrejt bashkëshortes Enkelejda Hoxha është shtatzënë në muajin e tretë. Ajo arriti të shpëtonte nga duart e të shoqit dhe doli nga banesa për ta lajmëruar policinë, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe e neutralizoi agresorin. Si raporton Panorama, ai u kap në flagrancë teksa mbante në dorë një shkrepëse dhe kërcënonte se do t’i vinte flakën shtëpisë.
Debati mes çiftit kishte nisur që në orët e vona të mbrëmjes, kur bashkëshorti i ka kërkuar gruas së tij të përgatitej për të shkuar në Kukës, pasi martonte motrën e tij. Ajo ka refuzuar, duke u justifikuar se nuk e shoqëronte dot për shkak se kishte probleme me shtatzëninë, por 37-vjeçari ka këmbëngulur duke i dhënë urdhër që, kur të kthehej, të ishte bërë gati. Kur bashkëshortja e ka refuzuar sërish, ai i ka kërkuar të mblidhte plaçkat dhe të largohej nga shtëpia.
Pas shoqërimit të çiftit në polici, burrë e grua kanë dhënë deklaratat e tyre, duke pohuar të njëjtin version, xhelozinë si shkak të konflikteve. “Prej vitesh vazhdon të më dhunojë sistematikisht. Për rastin e fundit shkak është bërë dasma e kunatës sime. Ai më kërkoi ta shoqëroja në Kukës, por për shkak të shtatzënisë nuk mund të shkoja. I thashë se nuk vij dot, por ai këmbëngulte. Në mëngjes (ora 08:30), përpara se të ikte për në punë, më tha që kur të kthehej të isha gati, në të kundërt të bëja gati plaçkat dhe të ikja nga shtëpia.
Nuk mund të largohem i thash, pasi kjo është edhe shtëpia ime. Në ato momente zbriti poshtë, mori një bidon me benzinë dhe nisi të spërkaste shtëpinë. U mundova ta ndalja, ndërsa ai nisi të më qëllonte, siç bënte zakonisht. Është dyshues për gjithçka, madje edhe për atësinë e fëmijës”, është shprehur gruaja në Polici. Ndërkaq, i arrestuari ka dhënë deklaratën e tij. “Nuk më bindej për asgjë. Kam dyshimet e mia dhe xhelozia ka qenë arsyeja e konflikteve tona. Kam dashur të ndahem prej kohësh, por për shkak se nuk i kam shlyer një borxh prej 20 milionë lekësh kunatit tim (vëllait të Enkelejdës), jam tërhequr duke duruar. Dyshoj edhe për atësinë e fëmijëve”, ka deklaruar në polici Asllan Hoxha./Indeksonline/