E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk do shkoj në Strasburg”

 Kastriot Islami, deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh anëtar i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deklaroi dje se nuk do të udhëtojë për në Strasburg ku do të zhvillohet edhe mbledhja e parë e këtij viti. Në një prononcim për gazetën "Panorama" ai tha se nuk do bëhet pjesë e pesë deputetëve të maxhorancës që do të shkojnë në Asamble pa u marrë më parë vendimi nga parlamenti. Sipas deputetit socialist emri i tij në listën e delegacionit është vetëm formalisht, në mënyrë që Shqipëria të mbajë një vend në Komisionin e Raportimit. "Unë nuk do jem në Strasburg pa bërë betimin dhe pa u marrë vendimi nga Kuvendi për delegacionin. Emri im është formalisht aty për të ruajtur postin e raportuesit në Komisionin e Raportimit, por ligjërisht kjo do të hynte në fuqi vetëm pasi të bëhet betimi dhe miratimi i delegacionit nga Kuvendi. Kjo është arsyeja që nuk jam prezent në këtë sesion", tha mbrëmë Islami. Deputeti socialist ka qenë pjesë e delegacionit shqiptar së bashku me Paskal Milon, si përfaqësues të opozitës gjatë mandatit të kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›