E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni shqiptar në Strasburg, PS akuzon Topallin: Na grabiti mandatet tona

 ADI SHKEMBIKuvendi reagon lidhur me përbërjen e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ftoi opozitën të përcaktojë emrat e saj. Përmes një njoftimi për shtyp, ky institucion i bëri thirrje Partisë Socialiste të paraqesë deputetët për përbërjen e delegacioneve që përfaqësojnë Shqipërinë në institucionet e huaja. "Kuvendi fton opozitën të përcaktojë emrat e saj për delegacionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës, Asamblesë së NATO-s, Asamblesë së OSBE-së dhe institucione të tjera", thuhet në deklaratën për shtyp. Në një letër drejtuar këshillit të Evropës, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka përcaktuar tre anëtarët e delegacionit, Shpëtim Idrizin, Lajla Përnaskën dhe Ilir Rusmalin, ndërsa zëvendësues do të jenë Kastriot Islami, Mesila Doda dhe Arenca Trashani. Lidhur me emrin e deputetit të PS-së, Kastriot Islami, i cili ndodhet në listën e anëtarëve zëvendësues të delegacionit tonë, Kuvendi sqaroi se "mazhoranca nuk cakton emrat e opozitës në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Zoti Kastriot Islami ka qenë anëtar i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe mbetet deri në momentin që opozita do të caktojë emrat për këtë delegacion. çdo interpretim tjetër është spekulativ dhe abuziv". Delegacioni shqiptar dol të niset sot paradite drejt Strasburgut, kur në mbledhjen e parë pritet të bëhet edhe akreditimi i përfaqësisë shqiptare. Reagimi i PSPartia Socialiste ka reaguar përmes deputetes, Arta Dade lidhur me përbërjen e delegacionit shqiptar. Ajo e ka quajtur letrën e Topallit drejtuar KiE-së, diversion dhe dhunim i të drejtave të opozitës. "Këtë vit Jozefina ka emëruar sipas orekseve të saj anëtarët dhe ka grabitur vendet që i përkasin përfaqësuesve të opozitës në delegacionin parlamentar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Gjithashtu në mënyrë flagrante zonja Topalli ka bërë edhe emërimin e anëtarëve të parlamentit që parashikohen si zëvendësues të delegacionit kryesor", theksoi Dade. Sipas saj "aktet e Jozefina Topallit jo vetëm që nuk i shërbejnë uljeve të tensioneve, por përkundrazi japin një mesazh tejet negativ lidhur me angazhimin që duhet të manifestoj kjo maxhorancë lidhur me zgjidhjen e krizës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›