Burgaj: Ulje 4% i kriminalitetit gjatë 2009-ës, problem vjedhjet e pronës

Policia e Shtetit po mban analizën vjetore për 2009-ën. Drejtori i Policisë, Hysni Burgaj në fjalën e tij tha se puna e forcave blu është realizuar duke pasur si faktor parësor luftën ndaj krimit të organizuar. "Puna jonë është përqendruar po ashtu edhe në rritjen e sigurisë, rritje e nivelit të punës për parandalimin e aksidenteve, dhe parandalimin e kalimit të kufirit", theksoi ai. Burgaj pohoi se gjatë 2009-ës ka pasur ulje të kriminalitetit me 4%, duke u shënuar edhe numri më i ulët i vrasjeve.Kreu i Policisë Burgaj tha se personeli i Policisë së Shtetit është më i afërt me vendet e Perëndimit, pasi tashmë në Shqipëri është 1 polic në 420 banorë, nga 1 në 370 banorë që është në vendet e BE-së. Ai shtoi se lufta kundër krimit do vijojë të mbetet prioritet për policinë edhe në 2010-ën. Kreu i Policisë së Shtetit tha se policia ka marrë vlerësim maksimal për punën e saj gjatë fushatës zgjedhore.
Ai bëri me dije se janë goditur 142 grupe kriminale. Sipas tij, problematike vijojnë të mbeten vjedhjet e pronës. Ai nënvizoi se në vitin që lamë pas është rritur me 40% sekuestrimi i drogës, ndërkohë që 419 persona që janë lidhur me trafikun e drogës janë vënë në pranga. Sa i përket luftës kundër trafiqeve të paligjshme, Burgaj tha se janë evidentuar 372 vepra penale. Ndërsa për krimin ekonomik, Burgaj tha se janë shënuar 1.646 vepra, dhe janë zbuluar 1.610 prej tyre.
Të pranishëm në konferencë janë kreu i qeverisë Berisha dhe ministri i Brendshëm Basha. (Vijon)