“Nuk do të dorëzohemi pa dorëheqjen e Ramës” – Të rinjtë nga protesta: Opozita dhe maxhoranca bëjnë cirk në Parlament! Dialog? Në vitin 2018 s’pati rezultat, kërkesa e kryeministrit është film i përsëritur
Të rinjtë nga protesta kanë bërë me dije se nuk do të largohen nga sheshi derisa kryeministri Edi Rama të pranojë kërkesën e tyre dhe të japë dorëheqjen. Në një prononcim për News24, njëri prej tyre theksoi se dialogu me kryeministrin nuk dha rezultate gjatë protestës studentore në vitin 2018, dhe se kërkesa e tij për të bërë sërish bisedime është një film i përsëritur.
“Dialogu që është kërkuar nga kryeministri, u bë dhe në 2018 dhe nuk pati asnjë rezultat. Është një film i përsëritur. Ne refuzojmë të bëjmë të njëjta gjëra si në 2018 dhe të mos kemi asnjë rezultat. Revolta ka ardhur sepse u bë një protestë shumë paqësore për gati 140 ditë dhe ne nuk u dëgjuam, ne u tallëm nga kryeministri dhe kjo nxiti revoltën e madhe. Studentët dolën në mënyrë paqësore për të gjitha hallet e nuk u dëgjuan.”, tha një studente.
Një tjetër i ri deklaroi se me qeverisjen aktuale nuk mund të vazhdohet më, ndërsa shprehu bindjen se kryeministri do të japë dorëheqjen.
“Kam qenë tek protesta e studentëve në vitin 2018, kërkesat tona ishin bazike. Disa kërkesa që nuk u plotësuan edhe pse u bë një propagandë e madhe. Ne kemi një shembull që pas një proteste pikat nuk realizohen. Ne e lexojmë dhe e dimë shumë mirë se kush është Rama. Kështu nuk mund të vazhdohet më. Besoj se do t’i vijë fundi. Ka një pushtet të madh se ka 83 mandate, administratën për vete. Besoj se shqiptarët e kanë kuptuar se ky sistem nuk mund të vazhdojë më dhe e vetmja zgjidhje është dorëheqje e kryeministrit”, tha i riu.
Një tjetër vajzë e re drejtoi gishtin edhe tek opozita, duke theksuar se bën cirk në Parlament bashkë me maxhorancën.
“Nuk kemi besim te opozita, ku e ka treguar veten që nga 2017. Bashkë me maxhorancën bëjnë cirk në parlament, bëjnë sikur prishin seancat plenare. Ne kërkojmë pastrim të të gjithë klasës politike. Përmendim Ramën dhe Berishën, themi se i duam në burg sepse për ne është thirrje për drejtësi. Thirrja ime për të gjithë është t’i bashkohen protestës sepse të gjithë meritojmë ndryshim. Se cilat janë alternativat e ndryshimit është ende herët për të folur, duhet suport i shoqërisë.”, tha ajo.
Ndërsa një tjetër studente theksoi se po angazhohen për një organizim më të mirëfilltë.
“ Prej 140 ditësh kemi protestuar paqësisht. Kërkesat nuk janë dëgjuar por kemi pasur një tallje nga ana e qeverisë. Kanë luajtur me mendimet dhe kërkesat tona. Ndaj ka kaluar në një revoltë. Mendoj se të rinjtë nuk do të dorëzohen pa dorëheqjen e kryeministrit.”, tha ajo.