E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk do të ketë status special

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, edhe njëherë, ka shprehur qëndrimin e tij se nuk do të ketë kurrfarë statusi special apo autonom për ndonjë pjesë të territorit të Kosovës, ndërsa ka mirëpritur të gjithë ata që donë ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ai këto komente i bëri pas takimit me përfaqësuesin special të BE-së për Kosovë, Samuel Zbogar.

Pas takimit që ka zgjatur mbi një orë, të dy, kanë dal në një konferencë për media.

Lidhur me deklarimin e serbëve të pjesës veriore të cilët kanë thënë se pranojnë pavarësinë e Kosovës, në shkëmbim të statusit special për veriun, Thaçi ka thënë se është një mesazh i mirë që edhe ata kanë filluar ta pranojnë këtë realitet, duke shtuar se institucionet e vendit do të jenë sa më afër qytetarëve.

“Unë do t’ju shërbej gjithë qytetarëve të vendit pa dallim etnie në gjithë hapësirën e territorit të Kosovës. Është mesazh i mirë që edhe serbët në veri kanë filluar të deklarohen se e pranojnë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Ne do të jem afër tyre që t’ju shërbejmë si gjithë qytetarëve në gjithë hapësirën e Kosovës, natyrisht se nuk ka etnie të veçantë në Kosovë. Kosova është vend i të gjithëve. Është atdhe i të gjithëve dhe do t’i gëzojnë të drejtat afirmative të gjithë, të drejtat më afirmative të ndonjë komuniteti që ka në Evropë dhe ky është dokumenti i presidentit Ahtisari”, ka thënë kryeministri Thaçi.

I pyetur se a do të ketë status special për atë pjesë, shefi i ekzekutivit të vendit ka thënë se nuk do të ketë, pasi, siç ka thënë ai, Kosova është shtet sovran i njohur ndërkombëtarisht.

“Unë e mirëpres njohjen e Kosovës nga të gjithë, por Kosova është një unike shtet i pavarur dhe natyrisht sovran. Nuk do të ketë trajtim të veçantë special apo autonom për asnjë etni, për një hapësirë të territorit. Kosova është një, me integritetin territorial të saj të paprekshëm të njohur ndërkombëtarisht. Prandaj Kosova është vend sovran”, ka deklaruar ai.

I pari i qeverisë, gjatë takimit përfaqësuesin special të BE-së për Kosovë, Samuel Zbogar, ka biseduar për hapat e mëtutjeshëm që i ka Kosova me institucionet evropiane, në mënyrë që Kosova të afrohet edhe më tepër drejt strukturave të Brukselit.

Gjithashtu, ai ka shtuar se do të punohet në implementimin e konkluzioneve që janë arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, me udhëheqjen e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër, Zbogar ka thënë se këtë vit pritet të ketë një dialog më intensiv mes Kosovës dhe Brukselit në mënyrë që raporti i fundvitit të jetë më pozitiv për Kosovën.

“Mendoj se do të ketë dialog më të intensifikuar këtë vit në mes të Kosovës dhe BE-se për shumë çështje. Shpresojmë se në fund të viti, kur komisioni do të përgatitë një raport, do të jetë me pozitiv dhe do të shikojë përpara. Do të mund të shohim prapa dhe të vërejmë gjërat që i kemi lëvizur. Mendoj se ka gjëra që duhet lëvizur si dialogu për sundim të ligjit, liberalizimi i vizave dhe shumë çështje tjera. Pres të punojë me Qeverinë e Kosovës, me kryeministrin në çështje të ndryshme”, ka deklaruar Zbogar.

Për më tepër ai ka shtuar se është në Kosovë për të dëgjuar nevojat dhe aspiratat e Kosovës dhe të jap këshillën e Brukselit për ideja konkrete për Qeverinë e Kosovës, për procesin e reformave, për dialogun Prishtine-Beograd, për çështjen e veriut.

Zbogar ka thënë se do të jetë mik i Qeverisë, në mënyrë që Kosova të shkoje drejt të ardhmes dhe e ardhmja e saj, sipas tij, është në Bashkimin Evropian.

Gjatë ditës së sotme, mysafirin e porsaardhur në Kosovë, e ka pritur edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nga i cili takim nuk ka pas prononcime për media. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›