E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk do të përulemi përpara Sali Berishës

Intervistë me deputeten socialiste, pjesëmarrëse në grevën e urisë, Olta Xhaçka

“Kjo është një betejë e mendjes, jo e trupit”. Ky përkufizim, që vjen edhe si shenjë e vetëdijes politike, është për deputeten Olta Xhaçka çelsi i qëndresës në grevën e urisë, që vijon prej 15 ditësh para selisë së qeverisë. E sigurt dhe e vendosur në këtë nismë, që për një deputete të re vulos në mënyrë domethënëse karrierën politike, ajo rikonfirmon atë që opinioni publik po e dëgjon prej dy javësh: askush nuk do të tërhiqet nga greva deri sa e drejta e kërkuar të realizohet. Vendosmëria dhe rezistenca e deputetëve socialistë dhe qytetarëve që i janë bashkuar grevës së urisë, po i jep përgjigje edhe dilemës mediatike që ka të bëjë me veprimet e mëtejshme politike nga ana e opozitës. Një çadër me 200 njerëz, që qëndron për ditë të tëra para selisë së qeverisë, është një problem politik, i cili kërkon zgjidhje politike, ku heshtja apo shpërfillja duket se nuk vlejnë më.

Jeni prej 15 ditësh në një grevë urie. Si është gjendja e njerëzve dhe juaja pas dy javësh privim nga ushqimi?

Situata shëndetësore dhe fizike sigurisht që është e rënduar për të gjithë, sepse përpara se të hynim në këtë grevë, asnjë nga ne nuk i dinte limitet e vetes, nuk e dinte se çfarë do të thoshte; gjithsecili kishte një ide të qartë se çfarë nënkupton, por duke qenë se nuk e kishim provuar më parë, sigurisht që nuk arrinim ta parashikonim më parë se si do të ishte. Për hir të së vërtetës nuk mendoja se do të zgjaste kaq shumë; jam munduar që ta përballoj rëndimin fizik, jam munduar që ta kaloj çdo ditë ashtu siç vjen, pa u shqetësuar shumë se çfarë pasojash shëndetësore mund të ketë, apo se çfarë mund të ndodhë për sa kohë jam këtu. U futëm shumë të vetëdijshëm që kjo ishte një sakrificë e domosdoshme për një të drejtë kushtetuese, që nuk i takon vetëm Partisë Socialiste apo mbështetësve të saj, por për një të drejtë që duhet ta gëzojnë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe që është ajo e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, gjë të cilën ne mund ta garantojmë vetëm duke bërë transparencën e zgjedhjeve që shkuan. Dua të shtoj këtu edhe faktin se qëllimi dhe vetëdija jonë që nga momenti kur kemi hyrë nuk kanë ndryshuar, edhe pse kanë kaluar 15 ditë. Kanë qenë shumë të vështira padyshim në aspektin fizik dhe shëndetësor, por morali është shumë i lartë dhe ajo që po kuptoj është se më shumë sesa me trupin, kjo është një betejë me mendjen. Po është mendja e fortë, trupi reziston.

Znj.Xhaçka, ka një interes publik rreth mënyrës si përballohet kaq gjatë refuzimi i ushqimit. Madje nuk ka munguar edhe cinizmi apo dyshimi për transparencën e grevës, apo edhe për aftësinë e femrave për ta përballuar atë.

Femrave, Zoti u ka besuar vijueshmërinë e jetës, që do të thotë se nga natyra femra është rezistente. Dallimi burrë–grua për mua është shumë bajat, por edhe shumë anadollak. Nuk është problemi se si rezistojnë gratë, por se si rezistojnë të gjithë këtu. Unë jam krenare për një gjë, që me këtë grevë që ka qenë e vërtetë, ne kemi vënë në vend dinjitetin e këtij institucioni, pra të grevës së urisë si një formë rezistence shumë paqësore dhe vetëflijuese. Mënyra se si rezistojmë, lidhet me atë që thashë, se kjo është një betejë me mendjen, morali është i lartë, por është edhe ndihma e mjekëve, që gjej rastin t’i falënderoj nëpërmjet gazetës suaj. Kryesisht me serume; është e vetmja mundësi për të rezistuar dhe për t’i dhënë trupit atë burim energjie që i shteron edhe duke përjetuar emocione. Madje përjetimi i emocioneve, thonë doktorët, është më shterues për sa u takon emocioneve, se sa çdo aktivitet tjetër, e ecura, e lëvizura. Dihet se trupi i njeriut jeton edhe shumë më gjatë se kaq, pra vetëm me ujë. Serumet na kanë ndihmuar për të na dhënë energjinë për kapërcimin e disa momenteve të vështira që nuk janë aq kritike sa do të na duhej të shkonim në spital, sikurse kanë bërë disa të tjerë kolegë këtu. Largimi i tyre ka ardhur për shkak të komplikacioneve të rënda, duke e bërë qëndrimin e mëtejshëm të tyre në çadër të rrezikshëm për jetën.

A shpresoni se protesta e 14 majit, së bashku me sakrificën tuaj, do të nxitin një kompromis? U fol për një zgjidhje, ndërkohë që sot Kryeministri mohoi të ketë diskutime mbi ndonjë draft të caktuar. A shpresoni se zgjidhja është e afërt?

Dihet se Kryeministri përpara furtunës edhe në raste të tjera gjithnjë ka bërë indiferentin dhe të paditurin. Kjo nuk është ndonjë gjë e re. Sigurisht që zgjidhja ekziston, ajo mund të ishte gjetur edhe më përpara, sepse ajo që kërkojmë ne nuk pengohet as nga Kushtetuta, as nga ligjet e vendit, as refuzohet nga ndërkombëtarët, siç rëndom na thuhet nga Kryeministri dhe përfaqësues të mazhorancës. Mjafton të ishte bërë transparenca e zgjedhjeve dhe gjërat nuk do kishin mbërritur deri këtu. Ajo çfarë ne duam, është që të gjendet një kompromis, që do mund të mendohej përmes hapjes së kutive të materialeve zgjedhore, shoqëruar me një vlerësim të Komisionit të Venecias sa i takon hapjes së kutive të fletëve të votimit. Zgjidhja mund të jetë diçka që kënaq të dyja palët, ku edhe shumica çedon diku për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Pra, lëviz pak nga ai pozicioni i ngurtë i artikuluar deri më tani, që pretendon se transparenca pengohet nga Kushtetuta, çka natyrisht nuk është e vërtetë. Ne kemi bërë ç’është e mundur që të mbajmë në fre zemëratën e një populli të tërë, të njerëzve që nuk janë vetëm simpatizantë apo militantë të PS-së, por qytetarë të Shqipërisë që duan të jetojnë në një vend ku standardet europiane, siç është edhe ai i votës së lirë, të përbëjnë gurthemelin e demokracisë. Këtë synojmë edhe ne. Kompromisi duhet të arrihet në një kohë sa më të afërt, në mënyrë që zemërata apo indinjata e qytetarëve të mos shkojë deri aty sa të mos kenë më gjë për të humbur. Ne jemi treguar shumë të arsyeshëm; duhet të bëjmë transparencën e zgjedhjeve, ose në të kundërt kjo qeveri duhet të largohet dhe të shpallë zgjedhjet e parakohshme, sepse nuk po përfaqëson të gjithë popullin shqiptar.

çfarë përshkallëzimi duhet të presim përtej grevës së urisë, nëse shumica nuk lëshon pe?

Unë nuk dua të paragjykoj apo spekuloj mbi lëvizjet apo moslëvizjet e mazhorancës në këto ditë, që do t’i quaja të nxehta. Ndaj nuk di t’ju jap një përgjigje se si do të jetë përshkallëzimi i radhës. Di t’ju them që ne jemi të përgatitur të rezistojmë deri në fund, deri sa i fundit nga ne të dalë që këtu me barelë. Ne nuk do ulim kurrizin, as do të tërhiqemi dhe mpakemi nga indiferenca e kësaj qeverie. Do të presim me durim që kompromisi të mbërrihet, në të kundërt do të marrim vendime të tjera, për ta përshkallëzuar protestën apo aksionin tonë politik.

Kjo grevë ndër të tjera ka rënduar edhe klimën njerëzore mes përfaqësuesve të të dyja palëve. Si e mendoni rikthimin tuaj në Parlament, pas një përvoje ku akuzat dhe shpërfillja e kolegëve tuaj nuk janë ndalur as para kësaj nisme të vështirë?

Klima njerëzore ishte e prishur që prej fillimit. Ne nuk kemi gjetur një Parlament i cili respektonte funksionet e tij, të çdo deputeti dhe të institucionit. Parlamenti si institucion vlen të thuhet që është i vetmi që mund të bëjë transparencën e zgjedhjeve përmes komisioneve hetimore. Për sa kohë që është mohuar kjo e drejtë nëpërmjet dhunës së kartonëve, nëpërmjet atyre që sot drejtojnë këtë vend, Parlamenti nuk po ushtron funksionin e tij kushtetues. Në planin personal, nuk mund të them se kam gjetur një klimë miqësore ose bashkëpunuese, apo një klimë profesionale. Kështu që nuk besoj se do ndryshojë ndonjë gjë nga kjo grevë urie në këtë drejtim. E rëndësishme është që ne si përfaqësues të popullit të jemi – dhe për mua kjo ka qenë një përvojë shumë emancipuese –më afër halleve të njerëzve, më pranë shqetësimeve të përditshme që njerëzit kanë. Unë vuaj urinë prej 14 ditëve, por jam e bindur se mijëra e mijëra njerëz vuajnë urinë prej shumë e shumë vitesh për shkak të papunësisë, varfërisë, pamundësisë. Ndaj mendoj se ka qenë një përvojë që më ka rritur, për faktin se më ka sjellë më pranë njerëzve dhe uroj që mbas kësaj greve Parlamenti të mos jetë më një përfaqësi fiktive e njerëzve, por të jetë realisht në shërbim të atyre që përfaqëson.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›