E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk do t’i çojmë kutitë në Kushtetuese se na thotë Berisha

30/04/2010 Kryetari i opozitës Edi Rama intervistë për BBC-në

PS-ja dhe aleatët e saj të qendrës dhe të spektrit të djathtë prej muajsh kanë paralajmëruar dhe po përgatitin një protestë popullore në Tiranë kundër qeverisë për çështjen e zgjedhjeve të vitit të kaluar. Organizatorët thonë se protesta do të vazhdojë pa afat. Qeveria thotë se e drejta e protestës është një mjet demokratik. Ajo përgatitet gjithashtu për një manifestim të madh popullor një ditë më pas.

Lidhur me këto zhvillime dhe situatën e përgjithshme politike në Shqipëri BBC-ja intervistoi kryetarin e PS-së Edi Rama.

- Ne jemi prej kohësh në protestë, dhe ky është vetëm një episod apo një stacion në një rrugë që është pa ndalim dhe pa kthim deri në realizimin e objektivit tonë, që është transparenca e zgjedhjeve të shkuara, për të mos lejuar që zgjedhjet e ardhshme të goditen nga i njëjti mekanizëm korrupsioni që tjetërsoi vullnetin e popullit më 28 qershor.

- Zoti Rama, kritikët e qëndrimit zyrtar të PS-së mendojnë se kjo nuk është gjë tjetër veçse një strategji personale e kryetarit, pra juaja, për të mos pranuar në asnjë mënyrë humbjen e zgjedhjeve. Cila është përgjigja juaj?

- Nuk është e mundur që një popull i tërë të derdhet lumë në protestë për arsye personale të cilitdo qoftë, aq më tepër në kushtet kur sot jemi në demokraci, së paku për sa i përket zgjedhjes së një përkatësie partiake apo zgjedhjes nëse dilet apo jo në një tubim, apo merret apo jo pjesë në një aktivitet. Kështu që besoj se jehona e madhe e përpjekjes sime dhe të miqve e kolegëve të mi është prova më e sigurt dhe argumenti më i fortë që hedh poshtë këtë lajthitje.

- Zoti Rama, sot duket sikur në vitin 2008, kur bashkëpunuat me zotin Berisha për ndryshimet në -Kushtetutë dhe hartimin e kodit të ri elektoral, ju keni menduar vetëm se do t’i fitonit zgjedhjet dhe se do të ishit sot kryetar i qeverisë. Një katërvjeçar tjetër në opozitë po duket si një alternativë që ju nuk po e pranoni në asnjë mënyrë. Si do përgjigjeshit?

- Ne i fituam zgjedhjet, por nuk u zgjodhëm. Nuk u zgjodhëm sepse ata që sot janë në pushtet nuk morën votën e popullit, por nuk e lanë popullin të zgjedhë. Sot jemi në kushtet ku një pushtet që nuk e la popullin të zgjedhë, e ka futur Shqipërinë në rrugën e një rrënimi të pandalshëm edhe ekonomik, sepse ç’ka i mban qeveritë në një demokraci funksionale të lidhura pas interesave të vendit dhe të popullit të tyre është fakti se tek e mbramja populli i gjykon ato me votë. Kur qeveria ia merr popullit votën edhe kur njerëzit nuk ia japin, atëherë pa dyshim gjëja e fundit për të cilën qeveria qetësohet është cilësia e jetës së njerëzve.

- Nuk ua mori mendja asnjëherë në vitin 2008, në kohën që ju bëtë marrëveshje me të, se zoti Berisha do të sillej ashtu siç ju besoni sot se ai është sjellë me zgjedhjet?

- Ne nuk jemi në një protestë që ka të bëjë me ligjin. Ne jemi në protestë sepse ligji nuk është zbatuar. Kur ne bashkëpunuam me palën tjetër në funksion të disa interesave të mëdha të vendit për t’i dhënë mundësi një shansi historik që Shqipëria të bënte zgjedhje të lira dhe të ndershme, të standardeve europiane pas shumë e shumë vitesh, e bëmë këtë duke bërë detyrën tonë, që ishte të bënim një ligj sa më të mirë. Zbatimi i ligjit është një çështje që nuk ka të bëjë fare me atë bashkëpunim, por ka të bëjë me mungesën e vullnetit për zgjedhje të lira dhe të ndershme, madje me një vullnet të mbrapshtë e djallëzor për t’i tjetërsuar votat e njerëzve.

- Zoti Rama, PS-ja nën drejtimin tuaj hyri në zgjedhjet e vitit të kaluar me një numër të kufizuar aleatësh të kampit të majtë, dhe kjo sot vlerësohet edhe si ndër arsyet e humbjes së PS-së. Me sa duket, kjo është arsyeja që ju sot nuk po hezitoni që aleatët t’i kërkoni edhe nga qendra, por edhe nga krahu i djathtë i spektrit politik?

- Për sa i përket çështjes së aleancës që është krijuar në këtë protestë, është një aleancë e natyrshme e të gjitha forcave që janë të të njëjtit mendim se, në rast se nuk përballet dhe nuk çmontohet një mekanizëm që i tjetërson zgjedhjet, atëherë në Shqipëri gjithë funksionet bazë të demokracisë janë të kapura në funksion të pushtetit që e ka kthyer shtetin në një makineri në shërbimin e vet. Kjo është arsyeja e kësaj aleance të madhe, që nuk ka kufi majtas, djathtas dhe është në rrugën e formimit si një aleancë për një program për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë e thellë, e cila kërkon një reagim shumë të fuqishëm në shumë aspekte dhe reforma reale dhe thelbësore të domosdoshme prej kohësh, por tani më urgjente se asnjëherë tjetër.

- Ndërkohë si e konsideroni rrugën që ju sugjeroi kundërshtari, zoti Berisha, i cili tha të shkoni në Gjykatën Kushtetuese, po qe e nevojshme, edhe në Komisionin e Venecies?

- Ne nuk marrim këshilla dhe sugjerime nga një personazh që në më pak se 5 vjet qeverisje e ka shkelur Kushtetutën e Shqipërisë jo më pak se 30 herë dhe, nga ana tjetër, nuk mund të shkohet në Gjykatë Kushtetuese për çdo episod dhe çdo detaj të një jete demokratike që është e rregulluar me Kushtetutë dhe me ligj, aq më tepër pastaj për liri dhe të drejta, siç është liria dhe e drejta e opozitës në bazë të Kushtetutës, që të ngrejë një komision hetimor dhe të mos kufizohet në objektin e hetimit nga shumica. Nuk kemi asnjë pikë të përbashkët në këtë arsyetim, por kjo është e natyrshme, sepse zoti Berisha e di fare mirë se çfarë ka në kuti, dhe kjo është arsyeja pse nuk e dëshiron hapjen e kutive, përkundrazi, i mban ato me pahir të mbyllura, duke e vendosur popullin opozitar përpara një domosdoshmërie që t’i rezistojë këtij pushteti me kërkesën e thjeshtë: “Hap kutitë, ose largohu!”.

- Zoti, Rama, kanë kaluar tashmë më shumë se dy vjet nga ngjarja e rëndë e Gërdecit dhe të gjithë e mbajnë mend reagimin e zbehtë në atë kohë të opozitës. Sot, po të gjykojmë, vështirë se opozitës mund t’i paraqitet një rast kaq i artë për betejën e vet politike. A jeni penduar për këtë rast të humbur?

- Ky është një mit urban i krijuar nga dëshira për ta parë asokohe qeverinë me këmbë përpjetë, por pa asnjë bazë në realitetin demokratik dhe kushtetues të këtij vendi. Reagimi ynë ishte i një opozite, siç jemi ne, pra qytetare dhe e vetëdijshme për domosdoshmërinë e një dënimi të fajtorëve duke e zbardhur krimin shtetëror të Gërdecit në rrugën e drejtësisë dhe për të mos bërë atë që është bërë gjithmonë historikisht në Shqipëri në rastet kur qeveria ka qenë fajtore për krime të ngjashme dhe ku politizimi i tejskajshëm e ka shpëtuar atë si një kamerdare. Nga ana tjetër, dëshiroj ta ritheksoj se çfarë ka ndodhur nuk është aspak më e lehtë, e vogël apo e pranueshme sesa krimi shtetëror i Gërdecit. Është një tjetër veprimtari kriminale e organizuar për të tjetërsuar vullnetin e popullit dhe transparenca shërben pikërisht për të nxjerrë në dritë përmasën e kësaj veprimtarie dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë individë që kanë shkelur ligjin dhe janë bërë pjesë e këtij skenari kriminal.

Në rast se ne nuk reagojmë që të gjithë si shoqëri lidhur me këtë element bazë të bashkëjetesës demokratike, kemi pranuar de fakto se nuk varet më qeveria prej nesh, por varet i gjithë populli nga qeveria. Mekanizmi është aty dhe mund të veprojë përsëri dhe njerëzit natyrshëm do të humbnin besimin te zgjedhjet dhe do t’i braktisin ato masivisht, ashtu siç ndodh në republika të ngjashme bananesh apo ish-sovjetike, ku ka një demokraci në letër dhe ka në fakt një regjim të një natyre antidemokratike në fuqi.

- Zoti Rama, prej muajsh forumet e larta të PS-së: kryesia, sekretariati nuk mblidhen, nuk funksionojnë sipas statutit. Në këtë pikë kritikët tuaj thonë se ju nuk ndryshoni shumë nga kundërshtari juaj, zoti Berisha?

- Nuk është çështje e BBC-së, është çështje e anëtarësisë së PS-së, e funksionimit të brendshëm të PS-së dhe unë jam i mendimit se i takon PS-s si organizatë të merret me problemet e organizimit të saj të brendshëm.

- Përvoja e dy dekadave të fundit tregon se kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i shumicës ka shumë gjasa që të mos tërhiqet nga pozicioni i moshapjes së kutive, me gjithë protestat tuaja. Keni ju një skenar të zhvillimeve politike në Shqipëri në një rast të tillë?

- Fakti që një diktator, uzurpator apo një personazh i kësaj natyre dhe këtij profili në krye të një qeverie mund të mos tërhiqet përpara evidencës që është kapur në flagrancë më shumë se një herë, dhe në rastin konkret në një çështje që është e një interesi të madh publik, nuk do të thotë aspak se ne duhet të mendojmë për një skenar tjetër, sepse nuk ka skenarë alternativë përballë një qeverisje të kthyer në një sundim dhe një qeverie të kthyer në një regjim. Skenari i vetëm është rezistenca dhe mjeti i vetëm që na ka mbetur është protesta.

- Zoti Rama, ndonëse është ende herët për të folur, a do të rikandidonit për kryetar të Bashkisë së kryeqytetit vitin e ardhshëm?

- Nuk është vetëm herët, por është jashtë kontekstit në të cilin sot jetojmë dhe është gjëja e fundit që unë sot mund të mendoj.

- Keni deklaruar se protesta e ditës së premte nuk do të jetë e dhunshme. Si mund të shmangen, zoti Rama, përplasjet mes simpatizantëve, nëse ju qëndroni në bulevard të nesërmen dhe partia në shumicë me simpatizantët e saj do jetë diku aty pranë?

- Kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni zotit Berisha, i cili si një organizator i vogël i 1 majeve të Enverit, atëherë kur ishte sekretar në një organizatë dhe mobilizonte kolektivin e ndërmarrjes spitalore të atëhershme për të shkuar dhe për të parakaluar para diktatorit, sot në cilësinë e kryeministrit të një vendi anëtar të NATO-s shpik të njëjtin akt të pistë për t’i bërë të njëjtin karshillëk një opozite që është në rrugë për të kërkuar pikërisht prej tij asgjë më shumë sesa transparencën e detyrueshme të procesit më jetik për një vend demokratik, që është procesi zgjedhor.

- Nëse deri në muajin qershor BE-ja vendos ta fusë Shqipërinë në listën e bardhë “Shengen”, nuk ju mbeten shumë kredenciale juve, që sot e gjithë ditën thoni se kjo qeveri e largon Shqipërinë nga Europa.

- Unë besoj se prioritetet e BE-së, ku përfshihet edhe liberalizimi vizave për të gjitha vendet e rajonit, nuk kanë të bëjnë gjëkundi me meritat e kësaj qeverie, e cila tashmë e ka mbushur kupën e turpit që mund t’i bënte Shqipërisë, duke bërë madje që të diskutohet Shqipëria si një vend që është dhe mbrapa Bosnjës. Pa asnjë dyshim liberalizimi vizave do të ndodhë, edhe sikur qeveria shqiptare të kalojë në paralizë të plotë, duke mos bërë asgjë deri në fund të vitit.

Liberalizimi duhet të jetë një fakt i kryer, pasi është një prioritet i tejshtyrë në kohë nga ana e BE-së për shkak të mungesës së plotë të efiçencës së qeverisë shqiptare. Ne të gjithë jemi shumë të kënaqur që kjo do të ndodhë. Kam qenë gjithmonë i bindur se në këtë pikë Europa nuk duhet ta kufizonte lëvizjen e lirë të shqiptarëve apo të tjerëve në rajon me performancën e qeverive të tyre, sepse ky është një parim dhe një vlerë europiane, është një shtyllë e ndërgjegjes së saj, liria e lëvizjes. Nga ana tjetër, do tëdoja të bëhej e qartë dhe të kuptohej mirë nga të gjithë njerëzit se ajo ç’ka do të ndodhë me liberalizimin e vizave do të jetë mundësi për të lëvizur lirshëm në Europë, por jo mundësia për të jetuar e punuar aty, gjë që e bën dhe më të qartë dhe imperative të vërtetën se ne do ta ndërtojmë Europën këtu. Ne duhet të bëjmë çmos që pa humbur kohë tjetër të çmuar dhe dekada të tjera, duhet të kemi në Shqipëri një shtet europian, gjykata si në Europë, polici, arsim, shëndetësi si në Europë, e këto gjëra pastaj, kur i sheh nga kjo perspektivë, e bëjnë shumë të qartë pse kjo qeveri duhet të largohet një orë e më parë, sepse nuk ka lidhje fare me axhendën europiane.

- Sikur qeveria ta dorëzonte sot pushtetin në duart e opozitës, në kushtet e krizës ekonomike, në kushtet kur Shqipëria tashmë po i ndien drejtpërsëdrejti pasojat e krizës globale, rajonale, por edhe lokale, si do të vepronit ju, a keni një mjet për ta nxjerrë Shqipërinë shpejt nga këto halle ekonomike, për të cilat po u bëni thirrje njerëzve që të dalin në protestë?

- Së pari, dua të theksoj se kriza shqiptare nuk është pasojë e krizës globale, por është rezultat i drejtpërdrejtë i keqqeverisjes. Pa as më të voglin dyshim më shumë sesa i çdo gjëje tjetër është produkt i mbrapshtisë qeverisëse të vitit të shkuar, kur për të blerë pushtetin Sali Berisha shkatërroi arkën e shtetit në 6-mujorin e parë, që nga pikëpamja e politikës ishte krim. Nga ana tjetër, dua ta theksoj shumë më fort se ne jemi në kushte akoma më të vështira sesa duket dhe ndihet, sepse nuk njohim të gjithë të vërtetën e krizës, pasi përballemi çdo ditë me shifra të manipuluara, të cilat mundohemi t’i analizojmë duke nxjerrë shifrat tona alternative, fenomen ky i njohur dhe fenomen që po e çon në pikën zero vendin fqinjë Greqinë. -Greqia e akumuloi gjithë këtë problem në dhjetëra dekada, ndërkohë që ne po përballemi me një problem të akumuluar në pak vjet për shkak të këtij pushteti dhe pa dyshim të udhëheqjes qorre, tërësisht injorante në aspektin e politikës ekonomike të këtij kryeministri.

- Cili është shkopi magjik i opozitës për të dalë nga kjo gjendje?

- Pa as më të voglin dyshim sa më shumë kjo qeveri do të qëndrojë aty ku është, aq më i madh do të jetë problemi, aq më e thellë do të jetë kriza, aq më e rëndë do të jetë barra e nxjerrjes së vendit nga ky batak. Por sigurisht që ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi në gjendje që gjithçka ta bëjmë ndryshe, më mirë, dhe kuptohet, jo me shkopin e magjistarit, sepse këtë nuk e kemi, por me diturinë dhe njëkohësisht aftësinë për të qeverisur në mënyrë shumë herë më të mirë, si nata me ditën me ç’ka Shqipëria ka jetuar dhe po vazhdon të jetojë sot nën këtë regjim të korruptuar dhe njerëzish pa vizion, pa asnjë lloj përgjegjshmërie, të paaftë, që e kanë kthyer shtetin në një çerdhe shërbëtorësh, të cilët vendet e punës i marrin vetëm për meritat që kanë të bëjnë me pushtetin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›