Rama: Edhe 10 muaj na ndajnë nga kurorëzimi me sukses i përpjekjes opozitare
Kryetari i PS tha se në këto dhjetë muaj ata do tregojnë jo vetëm dështimet e qeverisë, por edhe mënyrën se si do rilindë vendi. Rama tha se nuk pret që mazhoranca të votojë ndryshimet kushtetuese që kanë propozuar ata, por deklaroi se e bën këtë debat për shqiptarët. Rama tha se grabitja e votave e çon vendin në humnerë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar të kësaj partie se edhe dhjetë muaj na ndajnë nga kurorëzimi me sukses i përpjekjes sonë të gjatë e të mundimshme opozitare.
Këta dhjetë muaj ne do ndajmë me shqiptarët vizionin për Shqipërinë që duam dhe programin tonë për një Rilindje Kombëtare, tha Rama.
Kryetari i PS foli edhe për djegien e pyjeve në Shqipëri.
E kotë të shtohet këtu që qeveria nuk ka dhënë asnjë fond për restaurimin e pyjeve dhe nuk ka bërë asgjë për minimalizimin e dëmeve të pritshme nga sezoni i verës. Ndërsa çdo vend në rajon e botë ka të garantuar masat për mbrojtjen nga zjarri, planet dhe strategjitë afatgjata, kapacitetet e plota zjarrfikëse, Shqipëria e Saliut nuk ka akoma një makinë zjarrfikëse në pikat e nxehta. Më e shëmtuara është heshtja prej varri e kryeministrit për zjarret që bien dhe zhurma e qeverisë për të fajësuar opozitën madje edhe për zjarret. Problem nuk janë zjarret, problem është opozita tha dje ministri i Brendshëm i Saliut. Fajësimi i opozitës për çdo dështim të qeverisë është i vetmi avaz që i ka mbetur kësaj qeverie, tha Rama.
Rama përmendi edhe numrin e të vrarëve në rrugë dhe abuzimet e guvernatorit të Bankës Qendrore.
Vetëm në tre muajt e fundit janë vrarë apo plagosur në rrugët pa standarde më shumë njerëz se në Irak apo Afganistan të marrë së bashku, sepse nuk funksionon shteti, por Shqipëria mbahet peng, tha Rama.
Në një vend ku qeveria është bërë shëmbëlltyra e abuzivizmit nuk ka se si të mos gjendesh me guvernatorin e dytë më të paguar në botë. Qeveria e votoi këtë guvernator shpërdorues të parave të publikut. Guvernatori sillet me paratë e publikut si me thesarin e shpellës së Ali Babait.
Rama deklaroi se në këto dhjetë muaj ata do të tregojnë jo vetëm dështimin e kësaj qeverisë, por edhe mënyrën se si do rilindë Shqipëria.
Ne në këto dhjetë muaj nuk do merremi me monologun e Berishës, por me dështimin në ekonomi. Ne do fokusohemi në radhë të parë tek ekonomia dhe nuk do mjaftohemi duke treguar se sa keq është katandisur ekonomia, por do tregojmë se si do e rilindim ne ekonominë. Zyrtarisht të punësuarit janë sot në atë numër që ishin shtatë vjet më parë. Por fatkeqësisht sot ka më shumë të papunë se shtatë vite më parë, tha Rama.
Të dhënat tregojnë se më shumë se gjysma e shqiptarëve jetojnë sot në varfëri. Rënia e konsumit në familjet shqiptare është dramatike. Ne e kemi thënë vijimësisht se fuqia blerëse është e destinuar të vazhdojë të bjerë. Tremujori i parë i këtij viti ishte më i ulëti i pesë viteve të fundit, që do të thotë se familjet shqiptare nuk kanë para për të blerë më shumë se çblenin shtatë vite më parë. Arsyet dihen dhe ne do i shpjegojmë me shumë durim bashkë me shpjegimin se si do rrisim fuqinë blerëse.
Kryetari i PS deklaroi se gjatë kësaj vere qeveria ka ndërmarrë një sulm barbar ndaj bizneseve. Rama tha se këto janë përpëlitjet e një falimentimi ekonomik.
Kreditë e këqija i kanë kaluar 1 miliard dollarë, por guvernatori është i zënë me ekipin e volejbollisteve, për të cilat paguan sa tre federata të marra së bashku. Është koha për ti hapur rrugë asaj Rilindje Shqiptare, që përcakton alternativa jonë në programin tonë. Zgjedhja pas 10 muajsh është ose një rrugë e re, ose rrënim i mëtejshëm, tha Rama.
Do dialogojmë me shqiptarët për zgjedhjen që duhet të bëjnë pas 10 muajsh mes taksimit të ndershëm dhe taksimit të sheshtë, mes papunësisë dhe punësimit, tha Rama duke shtuar se do i jepet zgjidhje çështjes së pronësisë, që ka marrë mijëra jetë.
Më pas Rama komentoi edhe çështjen e paketës me ndryshime kushtetuese. Rama tha se nuk pret që mazhoranca të votojë ndryshimet e tyre, por shtoi se ata po e bëjnë këtë debat për shqiptarët.
Ne presim diskutimin e të gjitha ndryshimeve kushtetuese që kemi propozuar. Sa për imunitetin, qeveria po të dojë le ta vazhdojë monologun, e kemi thënë se jemi gati të votojmë imunitetin sapo të mbyllet diskutimi për propozimet për ndryshimet kushtetuese që kemi propozuar ne. Fatkeqësisht dje në Kuvend paketa jonë u etiketua si paçavure. Nuk është surprizë pasi ne kemi paraqitur një paketë që ka të bëjë me një reformë thelbësore për drejtësinë. Po si mund ta pranojë kjo qeveri korruptive që gjyqtarët e lartë të zgjidhen me 3/5 e votave të parlamentit? Ne jemi frymëzuar për propozimet nga kushtetutat e të gjitha vendeve të Bashkimit Europian, që anëtarët e gjykatave të larta i zgjedhin përmes parlamentit. Kur ndryshuam Kushtetutën për presidentin, iu referuam kushtetutave evropiane. Po kështu edhe kësaj here po iu referohemi kushtetutave evropiane. Kemi propozuar që Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet me 3/5 dhe që deputetët e ministrat të gjykohen jo nga gjykatat e larta që zgjidhen prej tyre. Po këtë nuk ka si e pranon Saliu sepse Gjykatën e Lartë e shikon si varkën e shpëtimit nga çdo akuzë, tha Rama, që shtoi se korrupsioni i ka rrënjët tek marrëveshja e heshtur mes qeverisë dhe gjyqtarëve.
Është një pikë e marrëveshjes së nëntorit, ende e pazbatuar, që lidhet me rregulloren e Kuvendit dhe demokratizimin e parlamentit. Po si mund ta pranojë këtë qeveria dhe Saliu, që parlamentin e quan si një foltore për të arritur kulmin e propagandës kundër opozitës. Ne nuk kemi pritur dhe nuk presim që pala tjetër të ngrejë dorë dhe të votojë pro këtyre ndryshimeve. Ne nuk jemi njësoj. Nëse do ishim si pala tjetër nuk do i sillnim këto propozime dhe do prisnim dhjetë muaj dhe do bënim si pala tjetër. Pala tjetër duket se nuk do i votojë këto amendamente, por ne do e bëjmë këtë debat për shqiptarët. Refuzimi i kësaj reforme të mirëfilltë kushtetuese është një arsye më shumë për të larguar me votë këtë pushtet, i cili praktikisht kërkon të marrë Shqipërinë në humnerën e pashmangshme ku e çon grabitja e zgjedhjeve për të grabitur më pas vendin, përfundoi Rama.