E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk duronte besimin e të birit, e çon në psikiatri

Besimi i ka kushtuar shumë një myslimani të devotshëm, pasi babai i tij duket se nuk e ka duruar këtë fakt, duke e denoncuar si të çmendur. Në këtë "lojë" apo ngjarje, është përfshirë edhe policia, e kjo çështje është kallëzuar penalisht në prokurori, pasi pretendohet se është bërë një shoqërim i padrejtë. Bëhet fjalë për një histori në një nga lagjet e Tiranës, ku babai ka denoncuar të birin për dhunë psikologjike. Sipas të dhënave të policisë, Daut L., 30 vjeç është denoncuar nga babai Hysen L., 60 vjeç, me pretendimin se ushtronte dhunë ndaj tij. Në këto kushte, shërbimet e Komisariatit Nr. 6 kanë bërë shoqërimin e 30-vjeçarit, i cili me vendim të mjekëve është dërguar në psikiatri. Babai 60-vjeçar pretendonte se i biri nuk ishte mirë nga gjendja mendore dhe për pasojë përbënte rrezik për jetën e familjarëve dhe të komunitetit, ndaj duhet të mbyllej në spitalin psikiatrik. Kështu, me ndihmën e policisë, ai e ka shoqëruar të birin në psikiatri. Policia nuk e ka mohuar këtë fakt, e cila ka pranuar se ka bërë shoqërimin konform gjithë rregullave dhe nuk është marrë më tepër me këtë çështje. Në fakt, shoqërimi i një të sëmuri mendor në spital është një gjë më se normale dhe deri këtu nuk do të kishte asgjë të keqe. Por, në këtë rast 30-vjeçari pretendon se nuk ka asnjë problem mendor, por akuzon të atin se e ka denoncuar, pasi nuk duron dot faktin se ai është një besimtar i devotshëm mysliman dhe kryen të gjitha ritet fetare. Ditën e djeshme ka ardhur edhe reagimi i avokatit, i cili ka kërkuar ndërhyrjen e drejtuesve të policisë që mos të lejojnë që të bëhet ndonjë mjekim i paligjshëm ndaj 30-vjeçarit, duke akuzuar se po shkelet ligji. Megjithatë, pritet që prokuroria do jetë ajo që do hetojë këtë rast e do zbardhë të vërtetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›