Nuk është fundi i botës

Mediat gjermane e kanë kritikuar ashpër kampionin aktual të Gjermanisë, Bayern Munchen, pas humbjes nga Borussia Dortmund, e cila me këtë rast ka bërë një hap të madh përpara, drejt titullit të kampionit, i cili i mungonte në vitet e fundit.
Sulmuesi i ri, Thomas Muller thotë se humbja nga Dortmund nuk është fundi i botës. Ajo që e preokupon më së shumti atë është mënyra e qasjes së mediave gjermane, pas kësaj humbjeje. Sipas tij, komentet e mediave ishin të ekzagjeruara.
“Ky nuk është fundi i botës. Natyrisht, reagimi i mediave është paksa i tepruar. Natyrisht, ndeshja me Borussian ishte më e rëndësishmja e sezonit. Por, e përsëris: humbja nuk është fundi i botës. Jeta vazhdon”, theksoi 21-vjeçari për mediat gjermane.
Përfaqësuesi gjerman mendon se Bavarezëve në këtë ndeshje u mungoi fati, por ai nuk i mohoi në asnjë mënyrë meritat e kundërshtarit.
“Borussia ka një ekip mjaft të fortë, të organizuar mirë taktikisht dhe që bën një futboll të thjeshtë dhe të shkëlqyeshëm. Nuk ishte një ndeshje e lehtë. Kemi provuar të përgatiteshim maksimalisht, por ne shkuam në pushim në disavantazh, kjo nuk na shërbeu aspak. Unë e lëshova një rast që nuk mund të humbet, ndoshta do të ndryshonin gjërat. Pra, na mungoi edhe fati”, vazhdoi ai.
Muller çuditet me faktin se, kur Bayern fitoi ndaj Interit në Ligën e Kampionëve, në Gjermani, ky ekip konsiderohej si hero. Kurse, disa ditë më parë, ky klub u kritikua tej mase.
“Pas fitores në Milano, ishim fenomenë të Munchenit dhe të Gjermanisë. Tash e humbëm një ndeshje dhe, menjëherë u bëmë të gjorë. Ky nuk është realiteti”, shtoi Muller.
Edhe mbrojtësi i klubit bavarez, Philipp Lahm ka mbetur i zhgënjyer me humbjen nga Dortmundi, që ia shoi përfundimisht gjasat për titull ekipit të tij. “Sigurisht, nuk jemi në disponim. Humbja nga Dortmundi duhet të analizohet. Duhet ta kuptojmë se ku kemi gabuar dhe ku mund t’i përmirësojmë gabimet tona”, tha Lahm.
10 xhiro pa përfunduar kampionati gjerman, Dortmund është shkëputur plot 16 pikë karshi Bayern Munchenit, i cili tash e tutje do ta kërkojë një vend që çon në Ligën e Kampionëve, sezonin e ardhshëm.