Rusët ia mësyjnë Kakas

E ardhmja e Leite Kakas duket se gjithmonë shkon larg e më larg Madridit. E përditshmja spanjolle, Marca shkruan se klubi rus, Rubin Kazan do të ishte i gatshëm t’i ofrojë klubit spanjoll një super ofertë, për transferimin e mesfushorit brazilian në Rusi, gjatë verës.
Rubin ka bërë gati 45 milionë euro, duke i ofruar edhe futbollistit një kontratë të kënaqshme. Sipas kësaj të përditshmeje, për përfaqësuesin brazilian interesim kanë shfaqur edhe Milan, ku ka luajtur më parë, Inter e Chelsea.
Babai i futbollistit, Bosco Leite, të hënën mbrëma ka qëndruar në Milano, duke mos e kundërshtuar mundësinë që i biri i tij të kthehet në klubin Rossoner. “Të kthehet në Milan? Këtë pyetje duhet t’ia bëni Adriano Gallianit, të shohim se çka do të ndodhë në verë”, tha ai.
Një tjetër e përditshme spanjolle, AS, e afërt me klubin Real Madrid, u ka kërkuar lexuesve të saj online, shumica e tyre tifozë të Merengues, nëse Kaka duhet të shitet gjatë verës. 70 për qind prej tyre janë përgjigjur ‘Po’.
Në sondazh kanë marrë pjesë 141 mijë lexues. Kjo e përditshme shkruan se ‘paraqitja e Kakas në Madrid ka qenë zhgënjyese’. Braziliani ishte transferuar nga Milani në Madrid, dy sezone më parë, për një shumë marramendëse prej 67 milionë eurosh.