E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk është koha për të qarë! Është koha për tu përballur!

Nga Erion Braçe

Partia po merr shtetin e shqiptarëve me një qëllim:

Të vijojë të vjedhë, të vijojë të pasurohet, të konsolidojë bizneset e paligjshme, të sigurojë pasurinë e përfituar!

Por edhe tia imponojë këtë qeverisje hajdutësh çdo shqiptari! Duke i marrë lirinë për ta kundërshtuar!

Shkurt, duke i mbyllur gojën!

Emërimet e presidentit të partisë që ka marrë shtetin, Presidentit Nishani, ishin ato dekrete që priteshin. Nuk ka asgjë të papritur në to. Ndaj në opozitë nuk ka pse të ketë habi, as shastisje, as keqardhje. Pra as emocion dhe qarje.

Tani është koha për betejë!

Emërimet e Nishanit janë më shumë se kaq. Janë shenjë e qartë për opozitën.

Emërimi i drejtorit të SHISH ulëret. Ushtari Visho është njohje e vjetër e opozitës, ish- anëtar i rëndësishëm i SHIK-ut kriminal të Gazidedes, i ngritur deri në detyrën e drejtorit të kundërzbuliumit (atë kohë Gazidede e drejtoi nga partnerët që ishin rreshtuar kundër regjimit autokrat e të korruptuar të Sali Berishës), përfshirë gjerësisht në dhunën e para, gjatë dhe pas zgjedhjeve-vjedhje të vitit 1996.

Është një qen sulmi i Sali Berishës.

Në anë tjetër, emërimi në krye të shërbimit të një prej drejtorëve të SHIK kriminal të Gazidedes, në një kohë që ende nuk është dënuar asnjë shikas nga ata që vranë e zhdukën një shqiptar luftëtar, Remzi Hoxhën, është një kërcënim real për lirinë e çdo shqiptari të ndershëm, lirinë individuale dhe kolektive.

Ndaj sot është koha që opozita të paralajmërojë ushtarin Visho!

Ti rrijë larg opozitës, shumë larg, madje më larg se kufiri që i vendos Kushtetuta!

Visho duhet të dijë se me opozitën e sotme janë pa shlyer hesapet e vjetra, ato të SHIK të Gazidedes, ku ai vetë ka milituar. Por kjo opozitë është edhe më e dhunuara, larë në gjak e vrarë mu në mes të bulevardit. Pra, është prekur fundi e në këtë cak vetëm frike që ska.

Ndaj çdo akt survejimi, përgjimi, cenimi, dhunimi përkundër një opozitari qofte edhe i vetëm, do të konsiderohet akt sulmi ndaj gjithë opozitës. Të gjithës!

Por kaq do të mjaftojë për të dhënë një përgjigje shembullore, ligjore e të drejtë, natyrisht popullore, në përpjesëtim me sulmin.

Unë që po e them këtë jam njëri prej opozitarëve të shumtë në këtë vend dhe do ta bëj këtë me çdo fuqi që të kem.

Në anë tjetër, koha e kortezisë së pjesëmarrjes në betimin apo nderimi formal në marrjen e detyrës së Presidentit të Partisë Nishani, MBAROI!

Ky President partiak duhet ndalur. Nuk duhet frenuar prej respektit për Presidentin e Republikës apo keqardhjes për sëmundjen publike të tij. Fare!

Nishani nuk është President i Republikës dhe natyrisht që ai nuk është i sëmurë.

Ai ka formimin e duhur për të qenë thjesht këmbësor i Sali Berishës, por edhe shëndetin e duhur për ta pasur mendjen top për të zbatuar çdo urdhër!

Ai po e bën! Pra gjithë shtetin e ngritur me mund e sakrifica mbi institucione kushtetuese e të pavarura, po ia jep partisë!

Ky është kthim mbrapa. Ky është shkatërrim.

Ndaj presidenti i partisë duhet ndalur. Tani!

Marrëdhënia me të lindi e vdekur. Për opozitën ai nuk ekziston. Ai po rreshtohet si kundërshtuar dhe si kundërshtar duhet trajtuar.

Jo vetëm prej opozitës. Por nga çdo shqiptar që do lirinë e ka zgjedhur demokracinë e rregullat e saj si mënyrë për të jetuar.

Berisha dhe ai mund ta bëjnë mirë dyshen Putin- Medvedev, por ne nuk jemi opozita formale ruse. Jemi ndryshe. Duhet të jemi ndryshe, përballë dhe të fortë, pa mëdyshje e hezitim, të vendosur dhe pa mendjen në kompromis.

Ne i kemi mundur. Me çdo mjet.

Ata na kanë vrarë, por ne i kemi mundur.

Duke qenë bashkë!

Ju betohem, këta rrëzohen më lehtë seç ndonjë shqiptar e mendon.

Ka vetëm një kusht: të jemi bashkë!

Kemi motiv të jemi bashkë dhe shumë: ne se duam të tashmen e tyre. Ajo është për ta, por kundër popullit. Ne duhet të jemi me popullin kundër tyre.

Ata kanë një motiv të qëndrojnë, të ruajnë privilegjet, pasurinë e paligjshme, burimet e biznesit të tyre anembanë. Aty duhet ti luftojmë, fort e pa mëshirë.

Pasuria që kanë vënë është e popullit. Duhet të kthehet atje ku u vodh.

Rrini zgjuar- ky ishte mesazhi që lexova sot.

Koha për përballjen është tani. Këta thyhen lehtë, por me popullin!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›