E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk gjendet dokumenti origjinal i Marrëveshjes së Ohrit

Paralelisht me manifestimet me rastin e tetëvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe deklaratat e përfaqësuesve ndërkombëtarë për rëndësinë e këtij dokumenti, u paraqit edhe informacioni se dokumenti origjinal i kësaj marrëveshje është zhdukur.
Informacionet e këtilla janë paraqitur për shkak se origjinali i Marrëveshjes së Ohrit nuk gjendet as në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë, e as në kabinetin e Presidentit të Shtetit. Në kabinetin e Presidentit të shtetit, konfirmojnë se tek ata nuk gjendet dokumenti original i Marrëveshjes së Ohrit. Ata thonë se Marrëveshja e Ohrit është nënshkruar në shtatë kopje origjinale, të cilat u janë dhënë nënshkruesve të saj, Presidentit të atëhershëm Boris Trajkovski, kryetarëve të katër partive nënshkruese të Marrëveshjes, si dhe ndërmejtësuesve ndërkombëtarë Xhejms Perdju dhe Fransoa Leotar. Ndërkaq zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë Shefik Duraku në një deklaratë telefonike për Tv Klan ka thënë se origjinali i Marrëveshjes së Ohrit duhet të kërkohet tek kabineti i Presidentit të Shtetit.
Analisti Ismail Sinani thotë se dilemat se ku gjendet dokumenti original i Marrëveshjes së Ohrit flasin për qasjen joserioze të institucioneve ndaj kësaj marrëveshje.
Për sjelljen joserioze të institucioneve ndaj Marrëveshjes së Ohrit, flet edhe fakti se në solemnitetin e organiuzar me rastin e tetëvjettorit të kësaj marrëveshje nuk ishin prezent as Presidenti i Maqedonisë Georgi Ivanov, as kryeministri Nikola Gruevski e as kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›